Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stambolli goditet nga përmbytjet më të rënda në 80 vjet, katër të vdekur

stamb

Foto: Associated Press

Përmbytjet katastrofike të ditëve të fundit në Stamboll janë më të rëndat në më shumë se 80 vjet, deklaroi ministri i Brendshëm i Turqisë, ndërsa numri i viktimave arriti në katër.

Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë me 16 milionë banorë, u godit nga reshje shiu që, gjatë 48 orëve deri të enjten në mëngjes, tejkaluan mesataren e kombinuar të muajve shtator dhe tetor, raportoi AP.

“Po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i ndihmuar qytetarët tanë, por po përballemi gjithashtu me fatkeqësinë më të madhe nga përmbytjet që nga viti 1942”, tha Mustafa Ciftci gjatë një vizite në njërën prej zonave më të goditura nga reshjet e së mërkurës në mbrëmje.

Të premten, trupi i pajetë i një burri 66-vjeçar u gjet nën një urë në lagjen Sariyer të Stambollit. Tri viktima të tjera ishin raportuar më herët, përfshirë një adoleshent që humbi jetën nga goditja elektrike gjatë stuhisë.

Shtëpi dhe biznese u përmbytën, ndërsa uji mbuloi rrugë dhe parqe në të gjithë qytetin. Automjetet u morën nga rrjedha e ujit, ndërsa shumë prej tyre përfunduan të grumbulluara.

Ministri bëri të ditur se ishin raportuar 9.850 raste të dëmeve dhe problemeve të tjera të lidhura me përmbytjet. 

Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë paralajmëroi për reshje “të dendura dhe intensive” në Stamboll dhe në katër provinca përreth gjatë fundjavës.

Ministri i Mjedisit, Urbanizmit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, duke iu përgjigjur shqetësimeve se përmbytjet ishin përkeqësuar nga zhvillimi urban pranë rrjedhave ujore, tha se trajtimi i këtij problemi ishte “thelbësor”.

Kurum, i cili muajin e ardhshëm do të kryesojë konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, COP31, që do të mbahet në Antalya, i lidhi gjithashtu përmbytjet me pasojat e ndryshimeve klimatike.