Turqia anuloi të shtunën një vizitë të planifikuar nga ministri suedez i Mbrojtjes si përgjigje për dhënien e lejeve nga vendi nordik për protesta antiturke.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se vizita e planifikuar për 27 janar nga homologu i tij suedez Pål Jonson nuk do të realizohej. Ai tha se takimi nuk kishte më "asnjë rëndësi apo synim" sepse Suedia vazhdoi të lejonte demonstrata "të neveritshme" kundër Turqisë, raportoi AP.
Jonson tha në një postim në Twitter se ai u takua me Akarin në një takim të ministrave të mbrojtjes në Ramstein, Gjermani, të premten, ku ata "ranë dakord të shtyjnë" takimin në Ankara.
“Marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për Suedinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun për çështjet e përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes në një datë të mëvonshme”, shkroi ai.
Suedia po përgatitet për disa demonstrata këtë fundjavë. Një aktivist i ekstremit të djathtë nga Danimarka ka marrë leje nga policia për të organizuar një protestë jashtë ambasadës turke në Stokholm, ku ai synon të djegë Kuranin, librin e shenjtë të Islamit. Ndërkohë, grupet pro-turke dhe prokurde po planifikojnë demonstrata në kryeqytetin suedez.
Edhe
Digjet Kurani në Stokholm, kundërshton Turqia
Në Suedi, liria e shprehjes garantohet me kushtetutë dhe u jep njerëzve të drejta të gjera për të shprehur publikisht pikëpamjet e tyre, megjithëse nxitja e dhunës ose gjuha e urrejtjes nuk lejohet. Demonstruesit duhet të aplikojnë në polici për një leje për një tubim publik. Policia mund t'i refuzojë këto leje vetëm për arsye të jashtëzakonshme, siç janë rreziqet për sigurinë publike.
Është reagimi i fundit nga Turqia, një anëtare e NATO-s, e cila ka frenuar miratimin e kërkesës së Suedisë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake derisa qeveria suedeze të godasë grupet që Ankaraja i konsideron si kërcënime të sigurisë.