Suedia nuk duhet të presë që Turqia ta mbështesë aplikimin e saj për anëtarësim në NATO, ka deklaruar presidenti turk Recep Tayipp Erdogan të hënën, disa ditë pasi një kopje e Kuranit u dogj në një protestë në Stokholm.
Suedia aplikoi për t'u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por ka nevojë që Turqia, tashmë anëtare, ta miratojë kërkesën e saj.
Protestuesit kurdë në Suedi varën një figurë të Erdoganit këtë muaj, veprim ky që pasoi me djegien e Kuranit, raportoi BBC-ja të martën.
“Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga ne për NATO-n”, është shprehur Erdogani.
“Është e qartë se ata që shkaktuan një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë nuk mund të presin më asnjë dashamirësi nga ne për aplikimin e tyre”, ka shtuar ai.
Edhe
Erdogani u kërkon aleatëve të NATO-s të heqin kufizimet e industrisë së mbrojtjes
Protestës të së shtunës, por jo edhe djegies së librit, iu dha miratimi paraprak nga autoritetet suedeze.
Erdogani dënoi protestën e fundit, të kryer nga një politikan i ekstremit të djathtë nga një parti daneze, si blasfemi që nuk duhet mbrojtur nga liria e fjalës.
Edhe qeveria suedeze kritikoi protestën.
"Suedia ka një liri të gjerë të shprehjes, por kjo nuk do të thotë që qeveria suedeze, ose unë, mbështesim mendimet e shprehura", ka deklaruar të shtunën ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom.
Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por protestat e fundit kanë rritur tensionet.
Edhe
Trumpi e rikërkon Grenlandën, ia heq sanksionet Turqisë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se liria e shprehjes ishte një "mall i çmuar" në vendet e NATO-s dhe se këto akte, megjithëse të papërshtatshme, nuk ishin "automatikisht të paligjshme".
Ndërkaq, Turqia, një vend me shumicë myslimane, denoncoi vendimin e qeverisë suedeze për të lejuar protestën duke e quajtur "plotësisht të papranueshme".