Reagimi erdhi pasi një aktivist danez i së djathtës ekstreme dogji të shtunën Kuranin në Stokholm, me leje të policisë lokale. Turqia menjëherë ka anuluar vizitën e planifikuar të ministrit suedez të Mbrojtjes në kryeqytetin turk për të biseduar për përdorimin turk të vetos pas kërkesës suedeze për anëtarësim në NATO
(AP) - Protestuesit e zemëruar kanë dalë të shtunën mbrëma në rrugët e Stambollit, pasi një aktivisti i së djathtës ekstreme dogji një kopje të Kuranit, para Ambasadës turke në Stokholm.
Rasmus Paludanit, aktivist i njohur nga Danimarka, iu dha leja nga policia suedeze që ta digjte librin e shenjtë islamik më herët gjatë së shtunës, duke thënë fjala të ashpra kundër emigrantëve dhe islamit para se t’ia fuste flakën Kuranit.
“Do të thosha gjithashtu se problemi që Recep Erdogani e ka me hyrjen e Suedisë në NATO nuk duhet të lidhet aq shumë me lirinë e shprehjes, por më shumë me faktin e qartë se Qeveria suedeze dhe 70 për qind e votuesve suedezë nuk e kanë njëmend vullnetin ose qëllimin për të mbrojtur vendin e tyre”, ka deklaruar Rasmus Paludan, lider i partisë së djathtë ekstreme, “Linja e Ashpër”
Në Stamboll, protestuesit para konsullatës suedeze kanë brohoritur “Sulmojeni Suedinë dhe vareni Rasmus Paludanin” dhe kanë djegur flamurin e shtetit të Suedisë.
Kursat Mican, kryetar i fondacionit të së djathtës ekstreme, Yesevi Alperenler, u është bashkuar protestuesve, duke e thënë se ishte e turpshme që Suedia lejoi aksionin e Paludanit.
“Ne jemi këtu sot për të protestuar kundër aktit të neveritshëm dhe provokues nga një krijesë e poshtër para Ambasadës turke në kryeqytetin suedez”, ka deklaruar Mican.
Turqia ka anuluar të shtunën vizitën e planifikuar të ministrit suedez të Mbrojtjes si kundërpërgjigje ndaj vendimit të shtetit nordik për t’ia lejuar Paludanit djegien e Kuranit.
Turqia dhe Suedia kanë përplasje të mëdha për shkak se Ankaraja ka bllokuar kërkesën e Stokholmit zyrtar për anëtarësim në NATO pas rritjes së kërcënimeve ruse për shtetet nordike. Turqia po i kërkon Suedisë arrestimin dhe dorëzimin e personave të dyshuar për lidhje me lëvizjen e liderit islamik në azil të vetëshpallur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethulah Gulen, dhe dëbimin e aktivistëve kurdë që jetojnë dhe veprojnë në shtetin skandinav. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë i kanë bërë thirrje Turqisë që t’i hapë rrugë integrimit të Suedisë dhe Finlandës në Aleancën Veriatlantike, por Ankaraja ende nuk ka ndryshuar qëndrim.