Aktivisti i ekstremit të djathtë nga Danimarka, Rasmus Paludan, ka marrë leje nga Policia për të organizuar një protestë jashtë Ambasadës turke në Stokholm, ku është djegur Kurani, libri i shenjtë i Islamit. Ndërkohë, grupet pro-turke dhe prokurde po planifikojnë demonstrata në kryeqytetin suedez.
Turqia ka anuluar të shtunën vizitën e planifikuar nga ministri suedez i Mbrojtjes si përgjigje për dhënien e lejeve nga vendi nordik për protesta antiturke, duke ngritur tensionet edhe më shumë ndaj dy shteteve, teksa Suedia po kërkon miratimin e Turqisë për anëtarësim në NATO.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka thënë se vizita e planifikuar për 27 janar nga homologu i tij suedez Pål Jonson nuk do të realizohej. Ai ka shtuar se takimi nuk kishte më “asnjë rëndësi apo synim” sepse Suedia vazhdoi të lejojë demonstrata “të neveritshme” kundër Turqisë.
Jonson ka thënë në një postim në Twitter se u takua me Akarin në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes në Ramstein të Gjermanisë, të premten, ku ata “ranë dakord ta shtyjnë” takimin në Ankara.
“Marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për Suedinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun për çështjet e përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes në një datë të mëvonshme”, ka shkruar ai.
Kërkesa e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO është bllokuar nga Ankaraja, e cila e ka akuzuar Suedinë për qëndrimet e buta ndaj militantëve kurdë dhe grupeve tjera që Turqia i ka cilësuar si kërcënim për sigurinë e vet kombëtare.
Përpjekjet e Qeverisë suedeze për të përmirësuar marrëdhëniet janë prishur për shkak të protestave nga aktivistët pro-kurd, të cilat kanë shkaktuar pakënaqësi te Qeveria turke.
Suedia po përgatitet për disa demonstrata të dielën. Aktivisti i ekstremit të djathtë nga Danimarka, Rasmus Paludan, ka marrë leje nga Policia për të organizuar një protestë jashtë Ambasadës turke në Stokholm, ku në mbrëmje është djegur Kurani, libri i shenjtë i Islamit. Ndërkohë, grupet pro-turke dhe prokurde po planifikojnë demonstrata në kryeqytetin suedez.
Në Suedi, liria e shprehjes garantohet me Kushtetutë dhe u jep njerëzve të drejta të gjera për të shprehur publikisht pikëpamjet e tyre, megjithëse nxitja e dhunës ose gjuha e urrejtjes nuk lejohet. Demonstruesit duhet të aplikojnë në Polici për një leje për një tubim publik. Policia mund t'i refuzojë këto leje vetëm për arsye të jashtëzakonshme, siç janë rreziqet për sigurinë publike.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se djegia e Kuranit nuk mund të cilësohet si liri e shprehjes dhe se shpreson që autoritetet suedeze do të anulojnë protestën. Aleati nacionalist i Erdoganit, Devlet Bahceli, ka thënë se Parlamenti nuk do ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO “nën këto rrethana”.
Është reagimi i fundit nga Turqia, një anëtare e NATO-s, e cila ka frenuar miratimin e kërkesës së Suedisë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake derisa Qeveria suedeze të godasë grupet që Ankaraja i konsideron si kërcënime të sigurisë.
Më 14 janar, aktivistët pro-kurdëve organizuan një protestë në Stokholm gjatë të cilës varën një kukull që portretizonte presidentin e Turqisë, Recep Tayiip Erdogan. Kurdët e varën kukullën si akt sabotazhi kundër përpjekjes së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.