Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia e fajëson Suedinë për djegien e Kuranit në Stokholm

Qeveria suedeze ishte bashkëpunëtore në djegien e Kuranit në një protestë në Stokholm fundjavën e kaluar, ka deklaruar të enjten ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Rritja e tensioneve midis dy vendeve vjen në një kohë kur Suedia po mbështetet tek Turqia për aplikimin e saj për anëtarësim në aleancën ushtarake të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), anëtare e së cilës është Turqia, raportoi CNN-i të enjten.

Çavuşoğlu fajësoi qeverinë suedeze pasi policia në kryeqytetin Stokholm autorizoi demonstratën e politikanit të krahut të djathtë, Rasmus Paludan dhe e konsideroi atë përgjegjës për djegien e librit të shenjtë islamik.

Marrëdhëniet turko-suedeze pësuan një goditje të madhe javën e kaluar pas tubimit jashtë Ambasadës Turke të qytetit të shtunën e kaluar, ku politikani anti-emigracion Paludan ndezi një kopje të Kuranit.

Incidenti shkaktoi zemërim në kryeqytetin turk, Ankara, ku protestuesit dolën në rrugë dhe dogjën flamurin suedez jashtë ambasadës suedeze si përgjigje.

Duke folur të enjten, Çavuşoğlu tha se qeveria suedeze kishte "marrë pjesë në këtë krim duke lejuar që ky akt i poshtër të vazhdonte".

Edhe Djegia e Kuranit, Suedia u kërkon qytetarëve të saj të kenë kujdes në Turqi Botë Djegia e Kuranit, Suedia u kërkon qytetarëve të saj të kenë kujdes në Turqi

Ministri i Jashtëm e përshkroi incidentin si një "sulm racist" që nuk kishte asnjë lidhje me lirinë e mendimit.

Çavuşoğlu këshilloi Suedinë të "çminojë" rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO ose të rrezikojë të shkatërrojë shansin e saj duke "shkelur ato mina".

Në fillim të kësaj jave, Ankaraja bëri thirrje që një takim i shkurtit midis Turqisë, Suedisë dhe Finlandës të shtyhet, sipas transmetuesit shtetëror turk TRT Haber, i cili citoi burime diplomatike të paidentifikuara.