Pas një rënie të madhe për shkak të pandemisë dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia, numri i turistëve rusë që vizitojnë Evropën është sërish në rritje. Pavarësisht kufizimeve të rrepta ndaj vizave dhe sanksioneve të vendosura ndaj Kremlinit, të dhënat tregojnë se disa vende anëtare të Bashkimit Evropian po vazhdojnë të mirëpresin turistët rusë, sidomos ato që kanë interesa ekonomike në turizëm. Italia, Franca dhe Spanja janë ndër vendet që po udhëheqin listën, duke lëshuar numrin më të madh të vizave Schengen për shtetasit rusë në vitin 2024. Italia ka lëshuar mbi 152 mijë viza, ndërsa Franca rreth 124 mijë. Këto vende argumentojnë se politika e tyre synon të bëjë dallimin mes popullit dhe regjimit të Putinit
Turistët rusë po rikthehen në Evropë në numra gjithnjë e më të mëdhenj, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe destinacionet e tyre të preferuara janë Franca, Italia dhe Spanja.
Të tri këto vende – anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian – kanë vendosur sanksione ndaj Moskës. Megjithatë, qëndrimet në hotele nga turistët rusë në Itali dhe Francë janë rritur me mbi 19 për qind gjatë vitit të kaluar, gjë që është cilësuar nga diplomatët ukrainas si “shqetësuese” dhe rrezik për sigurinë.
Franca dhe Italia, pavarësisht mbështetjes së tyre për Ukrainën dhe pjesëmarrjes në “koalicionin e të vullnetshmëve”, së bashku me Britaninë e Madhe e mbrojnë qëndrimin fillestar për të mbajtur kufijtë të hapur për turistët e pasur rusë.
Ky trend është zbuluar nga analiza e thuktë e gazetës britanike “The Telegraph”, duke u bazuar në të dhëna për netët e qëndrimit në hotele dhe rezervimet në platformat si “Booking.com” dhe “Airbnb”, si dhe mbi numrin e vizave të lëshuara për zonën Schengen të BE-së.
Vsevolod Chentsov, ambasador i Ukrainës në Bashkimin Evropian, ka paralajmëruar se rikthimi i turistëve rusë do të ishte vendim “shkurtpamës” dhe i rrezikshëm.
Ai ka thënë për gazetën e njohur britanike se “në vitin e katërt të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është jashtëzakonisht befasuese të shohësh statistika që tregojnë për rritje të numrit të vizave të lëshuara për shtetasit rusë dhe rritje të fluksit turistik nga Rusia drejt vendeve të BE-së”.
“Me rritjen e numrit të sulmeve kibernetike të Rusisë ndaj vendeve anëtare të BE-së, veprave sabotuese dhe të gjitha llojeve të aktiviteteve hibride që synojnë të minojnë demokracitë evropiane, është shqetësuese që qytetarët rusë mund të shijojnë aq lehtë përfitimet e udhëtimit në Evropë. Vazhdimi i injorimit të këtij realiteti është i pamatur. Është çështje e sigurisë evropiane”, ka shtuar Chentsov.
Zjarret në depo të njohura kanë ndodhur në disa vende të Evropës, përfshirë Britaninë, teksa ka pasur edhe raportime për sabotim në shinat e trenave.
Në të kaluarën spiunë rusë që maskoheshin si diplomatë ishin të lidhur me incidente të këtilla, mirëpo që nga helmimet të cilat ndodhën në Britani në vitin 2018, tashmë s’do mend që Moska zyrtare dërgon agjentë edhe përmes vizave turistike.
“Ndalo vizat e BE-së për rusët”
Sir William Browder, financier britanik i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kthyer në aktivist dhe kritik të ashpër të Putinit, iu ka bërë thirrje Francës, Italisë dhe Spanjës që të ndalojnë dhënien e vizave për rusët.
“Përveç nëse rusët mund të dëshmojnë gjatë intervistës për vizë se janë kundër regjimit të Putinit, ata nuk duhet të lejohen të hyjnë në Evropë”, ka thënë ai.
Kryeqytetet evropiane e kanë goditur Kremlinin me disa pako sanksionesh që nga fillimi i pushtimit të paligjshëm të Ukrainës në vitin 2022. Si Britania ashtu edhe BE-ja e kanë mbyllur hapësirën ajrore për kompanitë ruse, duke shkaktuar rënie të konsiderueshme të numrit të turistëve.
Megjithatë, ekzistojnë ende dhjetëra itinerare drejt Evropës përmes Turqisë, Gjeorgjisë, Serbisë dhe vendeve të tjera. Për shembull, për të mbërritur në Romë, një turist rus duhet të ndalet në Turqi ose Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të ndërrojë fluturimin.
Këto kosto shtesë e bëjnë të papërballueshëm udhëtimin për shumicën e rusëve të zakonshëm, por ata që ia dalin të vijnë në Evropë përballen gjithashtu me vështirësi për shkak të sanksioneve — sikurse pamundësia për të përdorur kartat bankare.
Megjithatë, aeroporti “Ataturk” i Stambollit është plot me pika këmbimi valutor, ku rusët mund të shkëmbejnë rubla me euro për të mbështetur qëndrimin e tyre në Evropë.
Browder ka theksuar se shumë rusë që kanë para janë njëkohësisht edhe mbështetës të luftës, teksa ka paralajmëruar që kësaj kategorie të mos i lejohet në asnjë mënyrë “që të shijojë privilegjet dhe burimet e Evropës, ndërkohë që mbështesin përpjekjet luftarake të Putinit”.
Ai ka shtuar se Evropa duhet të qëndrojë e hapur për opozitarët rusë që po përndiqen nga pushteti, por jo për oligarkët apo “minigarkët” që e mbështesin regjimin.
“Në këtë rast, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shmangim dhënien e vizave”, ka thënë ai, tek ka argumentuar se refuzimi i vizave do të ushtronte presion ndaj regjimit të Putinit dhe do të ulte rrezikun e sigurisë që vjen nga lufta hibride e Rusisë kundër Perëndimit.

Normaliteti shqetësues
Ndërsa shumica e qeverive perëndimore kanë shmangur ndalimet e plota të udhëtimeve — përveç rasteve të individëve të sanksionuar — vendet baltike dhe shtetet në kufi me Ukrainën kanë ndërmarrë masa më të ashpra, duke ndaluar ose kufizuar ndjeshëm vizat turistike për rusët.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavský, i ka kritikuar vendet e bllokut evropian që i presin turistët rusë në këmbim të përfitimeve ekonomike.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh disa vende të BE-së që rikthehen në normalitet me turistët rusë, ndërkohë që Ukraina vazhdon të vuajë nën agresionin brutal. Republika Çeke ka mbajtur qëndrim parimor – ne nuk miratojmë asnjë aplikim për vizë turistike dhe besojmë se kjo duhet të jetë standard për të gjithë Bashkimin Evropian”, ka thënë ai për ‘The Telegraph’.
Krahas kësaj, kryediplomati çek ka konsideruar se numri i turistëve që kanë hyrë në BE gjatë vitit të kaluar ishte “plotësisht i tepruar”, si dhe ka ngritur shqetësime serioze “jo vetëm nga këndvështrimi i sigurisë, por edhe nga ai moral”.
Ai është shprehur se “në përmasa të tilla nuk mund të përjashtohet mundësia që individë të përfshirë në krime lufte të jenë në mesin e atyre që pushojnë në hotelet tona. Kjo është e papranueshme”.
Nga ana tjetër, Andrei Soldatov, studiues i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe gazetar hetimor rus i specializuar në aktivitetin e shërbimeve sekrete të Kremlinit, ka bërë të ditur se vizat janë të vlefshme për disidentët dhe për familjet që duan t’i vizitojnë ata jashtë vendit.
“Është një problem që nuk ka zgjidhje të thjeshtë. Këto janë gjithashtu vendet që i ndihmojnë njerëzit me pikëpamje kundër Kremlinit për të emigruar. Që të jetë e sigurt për këta njerëz, duhet të maskosh aplikimet e tyre brenda fluksit të zakonshëm të kërkesave për vizë”, ka thënë ai.
“Nuk mund të presësh që një disident rus të paraqitet në një ambasadë të huaj dhe të kërkojë ‘vizë disidenti’, duke marrë parasysh nivelin e lartë të represionit në Rusi”, ka argumentuar Soldatov.

Lokacionet e preferuara
Në të gjithë BE-në, numri i vizitorëve rusë është vetëm një e dhjeta e asaj që ishte në vitin 2019, para pandemisë dhe pushtimit të Ukrainës, por kjo shifër ndryshon nga njëri vend në tjetrin.
Në vitin 2024, vetëm gjashtë vende të BE-së përjetuan rritje të numrit të netëve të rezervuara nga rusët përmes platformave si “Airbnb”, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Statistikave (Eurostat).
Italia ka shënuar rritjen më të madhe prej 18.9 për qind, me gjithsej 321,678 net, që e bëjnë atë lokacionin më të preferuar në Evropë për turistët rusë.
Franca renditet e treta me 203,072 net që përfaqësojnë rritje prej 7.8 për qind – rritja e katërt më e lartë në Evropë. Spanja ndodhet në vendin e dytë me 259,068 net të rezervuara, ndonëse kjo paraqet një rënie prej 3.6 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Ka pasur një rritje prej 13 për qind të netëve të rezervuara nga turistët rusë në Hungari, vend i cili ka një qeveri të njohur për qëndrimin e butë ndaj Putinit.
Britania e Madhe, e cila përdor një sistem statistikor disi të ndryshëm nga ai i BE-së, do të renditej e shtata në listën e destinacioneve më të vizituara nga rusët, pas Italisë, Spanjës, Francës, Portugalisë, Greqisë e Qipros.
Ndryshe nga Franca dhe Italia, Britania ka përjetuar rënie të numrit të vizitorëve rusë me rreth 1.3 për qind në baza vjetore, sipas të dhënave nga Zyra për Statistikat Kombëtare.
Londra zyrtare ka kërkuar gjithmonë që turistët rusë të aplikojnë për viza, përfshirë edhe kohën kur ishte pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo nuk iu bashkua kurrë zonës Schengen.
Edhe vendet anëtare të Schengenit kërkojnë që qytetarët rusë të pajisen me viza. Më parë ekzistonte një marrëveshje që e bënte më të shpejtë dhe më të lirë marrjen e vizave turistike për të hyrë në BE, porse ajo u pezullua në momentin që Rusia vendosi ta pushtojë Ukrainën.
Analiza e vizave të zonës Schengen ka treguar po ashtu se Italia dhe Franca po e udhëheqin afrimin turistik me Rusinë. Italia ka lëshuar 152,254 viza të zonës Schengen në dy konsullatat e saj në Rusi vitin e kaluar, gati 19,000 më shumë se në vitin 2023.
E Franca ka lëshuar gjithsej 123,890, sipas të dhënave të Komisionit Evropian – 25,000 më shumë se një vit më parë. Ndërkaq Spanja ka miratuar rreth 111,527 viza, rritje totale prej 15,000.
Të dhënat, të raportuara fillimisht nga faqja e internetit “EU Observer”, kanë treguar për rimëkëmbje evidente të vizave Schengen për qytetarët rusë, teksa 552,630 është totali i vizave të lëshuara vetëm në vitin e kaluar, që përbën rritje prej 9 për qind.
Greqia lëshoi 59,703 viza e Hungaria 23,382.
Roma dhe Parisi nuk tërhiqen
“Italia vazhdon të lëshojë rregullisht viza për turistët rusë që përmbushin kërkesat tona”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Italisë.
“Kundërshtimi ynë është ndaj operacioneve ushtarake të forcave ruse në Ukrainë, jo ndaj popullit rus”, ka shtuar ai.
Pallatit Elize iu paraqitën statistikat, por nuk pranoi të komentonte. Franca e ka mbrojtur qëmoti politikën e saj sa i përket lëshimit të vizave për rusët.
“Marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe lidhjet kulturore mund të luajnë rol pozitiv në nxitjen e mirëkuptimit dhe dialogut”, kanë njoftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës për “EU Observer”.
“Ne punojmë shumë për të ruajtur ndarjen e qartë mes regjimit që është përgjegjës për luftën dhe popullsisë, shoqërisë civile dhe opozitës”, thuhet në reagimin e saj. “Është thelbësore të mbahet e hapur kjo dritare, për të mundësuar që shoqëria ruse të ketë qasje në shumëllojshmërinë e burimeve të besueshme të informacionit”.
Edhe nga qeveritë britanike dhe spanjolle u kërkuan komente rreth kësaj çështjeje prej ekipit të “The Telegraph”.
Në Komisionin Evropian kanë bërë të ditur se BE-ja kishte ndërmarrë “masa të pashembullta” për ta bindur Rusinë të ndalojë “agresionin e saj të padrejtë dhe të paarsyeshëm”.
Përveç pezullimit të Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, blloku evropian ka nxjerrë udhëzime për vendet anëtare “që të mos u japin prioritet vizave për qytetarët rusë dhe të përqendrohen në sigurinë dhe kontrollin kufitar”.
“Udhëzimet e Komisionit kanë pasur ndikim në numrin e vizave të lëshuara për shtetasit rusë”, ka njoftuar një zëdhënëse.
Numri i vizave të lëshuara për rusët ra nga 27 për qind e totalit të vizave në vitin 2019 në vetëm 5 për qind nga janari deri në gusht të vitit 2024.
Po atë vit, numri i vizave të refuzuara u rrit në 7.5 për qind, nga 1.5 për qind sa ishte më parë.
“Në terma absolute, numri i vizave të lëshuara ka rënë nga 4 milionë në 500 mijë”, ka shtuar zëdhënësja.
Eurostati ka mbledhur të dhëna për numrin e netëve të kaluara nga vizitorët në faqe sikurse “Airbnb” dhe “Expedia”, që nga viti 2018.
Zyra Kombëtare e Statistikave të Britanisë së Madhe ka filluar të mbledhë të dhëna të ngjashme që nga mesi i vitit 2023, që nënkupton se nuk ka të dhëna në dispozicion përpara pushtimit të Ukrainës dhe se mund të ketë ndryshime të vogla metodologjike ndërmjet të dyja institucioneve.
Të dhënat më të gjera mbi qëndrimet në hotele në mbarë Evropën për vitin 2024 nuk janë përditësuar ende.