Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi shkarkon John Boltonin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar John Boltonin nga pozita e këshilltarit për siguri, duke thënë se s’është pajtuar me shumë prej sugjerimeve të tij.

“E kam njoftuar John Boltonin mbrëmë se shërbimet e tij më s’janë të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. S’jam pajtuar me shumë prej sugjerimeve të tij, siç nuk pajtohen as të tjerët në Administratë”, ka shkruar Trump në Twitter duke shtuar se një këshilltar për sigurinë kombëtare do të caktohet javën e ardhshme.

BBC shkruan se shkarkimi vjen pas raportimeve për ndarje në kabinetin e Trumpit lidhur me një plan të anuluar paqeje për të ftuar talebanët në SHBA.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se “Presidentit nuk i kanë pëlqyer shumë prej qëndrimeve të tij dhe se kishin mospajtime me Boltonin”.

Në përgjigjen e tij, Bolton ka shkruar në Twitter se e ka ofruar dorëheqjen të hënën në mbrëmje.

Bolton ka qenë kundër bisedimeve për paqe me talebanët, të cilat Trump i anuloi së fundmi pak pasi u kishte dërguar ftesë për të përfunduar bisedimet për paqe.

Kur ishte emëruar në këtë pozitë, Bolton ishte raportuar si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Bolton ishte këshilltari i tretë i sigurisë kombëtare, pas Michael Flynnit dhe HR McMaster.

Bolton ishte paraparë të vizitonte Kosovën dhe Serbinë në fund të muajit gusht për të folur rreth vazhdimit të dialogut, mirëpo vizita e tij, ishte shtyrë për shkak të rënies së Qeverisë së Kosovës dhe vazhdimit të taksës, kishte raportuar KTV-ja.

Artikuj të ngjashëm