Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi sheh fund të shpejtë të luftës teksa Irani shqyrton propozimin e ri të SHBA-së

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka parashikuar se lufta në Iran do të mbarojë shpejt dhe ka thënë se shumica e njerëzve "e kuptojnë" qëllimin e tij për t'u dhënë fund ambicieve bërthamore të Teheranit.

Komentet e tij vijnë pasi Irani ka thënë se një propozim i SHBA-së për t'i dhënë fund luftës "është ende duke u shqyrtuar".

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Agjencia amerikane e lajmeve Axios ka raportuar se Shtëpia e Bardhë beson se mund të jetë duke u afruar me një memorandum mirëkuptimi prej 14 pikash me Iranin, i cili mund të vendosë një kornizë për negociata më të detajuara bërthamore.

Një anëtar i lartë i parlamentit të Iranit e ka hedhur poshtë atë si një "listë dëshirash", ndërsa një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ka thënë se Teherani do të ndajë pikëpamjet e tij për propozimin e SHBA-së me ndërmjetësit pakistanezë.

Ministri i jashtëm i Pakistanit ka thënë ndërkaq se vendi i tij po "përpiqet ta shndërrojë këtë armëpushim në një përfundim të përhershëm të kësaj lufte".

Në raportin e tij, Axios e përshkruan memorandumin si një dokument 14 pikash, i cili mund të vendosë një kornizë për negociata më të detajuara bërthamore.

Ndër dispozitat që rendit janë një pezullim i pasurimit bërthamor iranian, heqja e sanksioneve dhe rikthimi i tranzitit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai ka cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera, të gjithë të paidentifikuar, të cilët i kanë përshkruar si të informuar mbi çështjet. Këto burime raportohet të kenë thënë se shumë nga kushtet e përcaktuara në memorandum do të varen nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se dy burime të informuara mbi ndërmjetësimin midis SHBA-së dhe Iranit kishin konfirmuar informacionin e raportuar fillimisht nga Axios, por propozimi nuk është paraqitur publikisht.

Duke folur gjatë një eventi virtual të mërkurën në mbrëmje, Trumpi u ka thënë republikanëve në shtetin e Xhorxhias se ishte optimist se lufta do të përfundonte së shpejti.

Ai ka shtuar se shumica e njerëzve e kuptuan se kishte të drejtë t'i mohonte Iranit mundësinë për të pasur një armë bërthamore.

SHBA-ja dhe Irani drejt një marrëveshjeje të përkohshme për fundin e luftës

1 muaj më parë / 7 maj 2026 13:02
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara dhe Irani po shkojnë drejt një marrëveshjeje të përkohshme dhe të kufizuar për të ndaluar luftën e tyre, kanë thënë burime dhe zyrtarë të enjten.

Një draft-kornizë mes tyre do të ndalonte luftimet, por do të linte çështjet më të diskutueshme të pazgjidhura.

Plani në zhvillim përqendrohet në një memorandum afatshkurtër dhe jo në një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, duke nënvizuar përçarjet e thella midis dy palëve dhe duke sinjalizuar se çdo marrëveshje në këtë fazë do të ishte një hap i përkohshëm.

Shpresat se edhe një marrëveshje e pjesshme mund të çojë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kanë lëvizur tashmë tregjet.

Teherani dhe Uashingtoni kanë ulur ambiciet për një zgjidhje gjithëpërfshirëse ndërsa mosmarrëveshjet vazhdojnë, veçanërisht mbi programin bërthamor të Iranit, duke përfshirë fatin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar shumë. 

Në vend të kësaj, ata po punojnë drejt një marrëveshjeje të përkohshme që synon parandalimin e një kthimi në konflikt dhe stabilizimin e transportit detar përmes ngushticës, kanë thënë burimet dhe zyrtarët.

"Prioriteti ynë është që ata të shpallin një fund të përhershëm të luftës dhe pjesa tjetër e çështjeve mund të zgjidhet sapo të kthehen në bisedime të drejtpërdrejta”, ka thënë për Reuters një zyrtar i lartë pakistanez i përfshirë në ndërmjetësim midis dy palëve.

Korniza e propozuar do të zhvillohej në tri faza: përfundimi zyrtar i luftës, zgjidhja e krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe nisja e një dritareje 30-ditore për negociata mbi një marrëveshje më të gjerë, sipas burimeve dhe zyrtarëve.

Një burim pakistanez dhe një burim tjetër i informuar mbi ndërmjetësimin kanë thënë se një memorandum njëfaqësh për t'i dhënë fund zyrtarisht konfliktit është afër, megjithëse mbeten boshllëqe midis palëve.