Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “do të paguajë çmim shumë të madh, nëse nuk bën atë që është e drejtë”.
Trump ka folur për mediumin amerikan “The Atlantic”. Ushtria e Venezuelës i ka dhënë mbështetje Rodriguezit që të veprojë si presidente e përkohshme, pas arrestimit të Nicolas Maduros nga SHBA-ja.
“Nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, ajo do të paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”, tha Trump për revistën.
Lidhur me të ardhmen e Venezuelës, Trump tha se “ndryshimi i regjimit, sido që doni ta quani, është më i mirë se ai që keni tani”.
“S’mund të bëhet më keq”, tha Trump.
Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka konfirmuar për “Fox News” se Trump po zhvillon biseda me Rodriguezin.
“Bisedat janë shumë të bazuara në fakte dhe shumë të qarta. Mund të udhëheqësh ose mund të largohesh. Nuk do të lejojmë që të vazhdoni të përmbysni ndikimin tonë amerikan”, tha Noem.
E pyetur nëse Maduro mund të ekstradohet pas gjykimit të tij në SHBA, Noem tha: “Mendoj se duhet ta shohim e ta lëmë procesin të zhvillohet”.
E ministri i Brendshëm i Venezuelës, Valdimir Padrino, ka treguar se një pjesë e madhe e ekipit të sigurisë së Maduros janë vrarë në operacionin e fundjavës të zhvilluar nga SHBA-ja. Ai tha se janë vrarë edhe civilë të pafajshëm.
“New York Times” ka raportuar se ka pasur të paktën 40 viktima.
Padrino u ka bërë thirrje qytetarëve në Venezuelë t’i kthehen aktivitetit normal.
Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores u kapën në shtëpinë e tyre në Karakas në aksionin e SHBA-së në fundjavë. Ata do të paraqiten të hënën në gjykatë në Manhattan.