Botë

Trumpi kërcënon Japoninë me tarifa të reja

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar me vendosjen e tarifave më të larta mbi mallrat japoneze që synojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të asaj që pretendon se është mungesa e gatishmërisë së Japonisë për të blerë oriz të kultivuar në SHBA.

“Ata nuk pranojnë orizin tonë, dhe megjithatë kanë një mungesë të madhe orizi. Me fjalë të tjera, ne do t’u dërgojmë atyre vetëm një letër, dhe na pëlqen që të jemi partnerë tregtarë me ta për shumë vite që vijnë”, ka shkruar Trumpi në platformën e tij “Truth Social”.

Mirëpo, pretendimi i Trumpit se Japonia “nuk e pranon” orizin nga SHBA-ja nuk është i vërtetë. Sipas të dhënave të Zyrës së Regjistrimit të SHBA-së, vendi aziatik ka blerë oriz amerikan me vlerë 298 milionë dollarë vitin e kaluar. Ndërsa nga janari deri në prill të këtij viti, Japonia ka importuar oriz në vlerë prej 114 milionë dollar, ka raportuar CNN.

Sekretari i Këshillit të Kabinetit në Japoni, Yoshimasa Hayashi, ka thënë se bisedimet tregtare do të vazhdojnë dhe se Qeveria japoneze është e vetëdijshme për pretendimin e Trumpit, porse ka refuzuar të komentojë më tutje.

“Ndërsa hezitojmë të zbulojmë specifikat e diskutimeve tona me SHBA-në, Japonia do të vazhdojë të ndjekë me vendosmëri bisedimet e sinqerta dhe të ndershme me qëllim për arritjen e marrëveshjes që do të sjellë përfitime për të dyja palët”, ka thënë ai.

Një raport i vitit 2021 i publikuar nga Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara, nën administratën e ish-presidentit Joe Biden, kishte njoftuar asokohe se “sistemi shumë i rregulluar dhe jo transparent i Japonisë për importin dhe shpërndarjen e orizit kufizon mundësitë e eksportuesve amerikanë për të pasur qasje të mirëfilltë te konsumatorët japonezë”.

Trump ka thënë së fundmi se administrata e tij planifikon t’u dërgojë disa vendeve letra ku do t’i këshillojë për normat e reja të tarifave që mund t’u vendosen, pas pezullimit 90-ditor të tarifave “reciproke” mbi partnerët tregtarë të SHBA-së në muajin prill.

Në një intervistë për Fox News që u transmetua të dielën, presidenti amerikan e kishte përmendur Japoninë si një nga vendet që mund të pranojë një letër të atillë.

Mesazhi i Trumpit në Truth Social është bërë vetëm disa ditë para afatit të 9 korrikut, kur përfundon edhe pezullimi 90-ditor i tarifave “reciproke”.

Para se Trumpi të njoftonte pezullimin, importet japoneze ishin subjekt i një tarife minimale prej 24%. Që nga hyrja në fuqi e pezullimit, ato janë subjekt i normës universale prej 10%.

Drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, ka sugjeruar të hënën se negociatat me Japoninë po vazhdojnë.

“Asgjë nuk ka përfunduar”, ka thënë Hassett para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “E di çfarë sapo postoi ai, por bisedimet do të vazhdojnë deri në fund. Edhe nëse arrijmë një kornizë, do të ketë ende gjëra për t’u finalizuar”.