Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë takimit në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, ka bërë të ditur se nuk janë aspak të lumtur se çfarë po ndodh në Ukrainë, porse është treguar optimist se do ta ndalojnë gjakderdhjen.
“Nuk është mirë. Ai (Merzi) s’është i lumtur për këtë. As unë s’jam i lumtur, por mendoj se eventualisht ne do të jemi të suksesshëm për ta ndaluar gjakderdhjen”, ka thënë presidenti amerikan para gazetarëve.
Nga ana tjetër, Merzi e ka falënderuar homologun e tij për ftesën, teksa ka nënvizuar se hera e parë që ai e kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë ishte në vitin e largët 1982.
E para se takimi të fillonte, Merzi i ka dhuruar Trumpit një kornizë me certifikatën e lindjes së gjyshit të këtij të fundit, Frederick Trump, i cili kishte lindur në Gjermani.

I pyetur nga gazetarët se a do t’i vendosë më shumë sanksione Rusisë, Trumpi është shprehur se do të jetë “shumë, shumë i ashpër” nëse lufta nuk përfundon së shpejti, teksa ka nënvizuar se ky paralajmërim vlen për të dyja vendet.
“Do të jemi shumë të ashpër, qoftë për Rusinë apo këdo tjetër, do të jemi shumë të ashpër. Kjo është një masakër që po ndodh atje”, ka thënë presidenti amerikan.
Ai ka ripërsëritur se presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë atij se Rusia “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sulmojë”, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit ukrainase brenda Rusisë.
“Dhe ndoshta nuk do të jetë e bukur. Nuk më pëlqen. Thashë, ‘mos e bëj, nuk duhet ta bësh, duhet ta ndalosh’. Por përsëri, ka shumë urrejtje”, ka vazhduar Trump.
Trump: Jam me Ukrainën
E në pyetjen se a do ta vazhdojë SHBA-ja ta mbështesë Ukrainën, presidenti amerikan ka pohuar se raportet me Kievin do të vazhdojnë.
“Po, jam me Ukrainën. Sapo kemi nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për mineralet e rralla me Ukrainën, dhe...ju e dini se për çfarë qëndroj unë, ndalimin e vrasjeve, me të vërtetë, për këtë qëndrojë. Një luftë që nuk do të kishte filluar kurrë, nuk do të kishte filluar kurrë”, ka thënë Trump.
Ai ka folur për mbështetjen e Ukrainës nga SHBA-ja dhe Evropa, tek ka ofruar disa shifra të dyshimta, mirëpo u kthye në panoramën më të madhe të luftës.
“Janë pak para, por s’ka të bëjë me paratë. Gjëja më madhe, gjëja më e madhe është vdekja”, ka shtuar ai.
Merz: Trumpi personi kyç që mund ta ndalojë luftën në Ukrainë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është shprehur gjatë takimit se “që të dy pajtohemi se sa e tmerrshme është kjo luftë, dhe se po kërkojmë për mënyra që e ndalojnë luftën sa më shpejtë”.
Ai ka shtuar se presidenti amerikan Donald Trump është “personi më kyç në botë i cili mund ta ndalojë këtë, duke vendosur më shumë presion mbi Rusinë”.
“Mendoj...se ne e kemi detyrën të bëjmë diçka për këtë tani, ta ndalojmë pas tre vjetësh e gjysmë, gjë që është vërtet e tmerrshme. Shikoni fëmijët, fëmijët që u rrëmbyen nga Ukraina. E gjithë kjo është e tmerrshme”, ka deklaruar Merz.
“Dhe kështu po flasim për instrumente, masa, çfarë mund të bëjmë, dhe pikëpamja ime personale është e qartë se ne jemi në anën e Ukrainës, dhe po përpiqemi t'i bëjmë ata gjithnjë e më të fortë, vetëm për ta bërë Putinin të ndalojë këtë luftë”, ka shtuar ai.