Botë

Trumpi për luftën Rusi-Ukrainë: Le të luftojnë edhe pak kohë

Trump-Merz

Në takimin e hapur për media në Zyrën Ovale, temë kryesore e diskutimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ishte lufta Rusi-Ukrainë, ku u vërejt se të dy liderët kishin qëndrime kundërthënëse sa i përket mbarimit të saj. Trumpi është shprehur pesimist mbi mundësinë që bisedimet e paqes ofrojnë, e madje ka thënë se ndoshta do të ishte më mirë nëse palët vazhdojnë luftën edhe për pak kohë. E Merzi përsëriti thirrjet për të rritur presionin ndaj Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të enjten gjatë takimit në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, se është më mirë që Ukraina dhe Rusia “të luftojnë edhe pak kohë” sesa të synohet paqe e menjëhershme, përderisa Merzi i bëri thirrje që të rrisë presionin mbi Rusinë.

Gjatë takimit Trumpi ngriti dilema për mundësinë e suksesit të bisedimeve të paqes, duke thënë se “nganjëherë është më mirë t’i lësh që të luftojnë për një kohë dhe pastaj t’i ndajmë nga njëri-tjetri”.

Presidenti amerikan ka bërë të ditur se i ka thënë homologut rus, Vladimir Putin, se të dyja vendet po sillen sikurse “fëmijë të vegjël që zihen si të çmendur në një park”, gjatë bisedës telefonike të mërkurën.

Merz i ka thënë Trumpit se dëshiron që të punojnë së bashku për të vendosur më shumë presion mbi Rusinë, teksa ia rikujtoi që dhuna është rezultat i luftës së Putinit në Ukrainë.

“Amerika është përsëri në pozicion të fortë për të bërë diçka që e ndalon luftën (në Ukrainë), kështu që pra le të flasim se çfarë mund të bëjmë”, ka thënë ai. “Ne po konsiderojmë t’i vendosim më shumë presion Rusisë. Duhet të flasim rreth kësaj”.

E para se takimi të fillonte, kancelari gjerman ia dhuroi Trumpit një kornizë me certifikatën e lindjes së gjyshit të presidentit amerikan, Frederick Trump, i cili kishte lindur në Gjermani.

E gjatë ditës Rusia është përbetuar t’i kundërpërgjigjet operacionit të guximshëm me dronë të Ukrainës “kurdo dhe sido që i përshtatet”. Ky ishte paralajmërimi i Kremlinit që konfirmoi pretendimet se Putini ia ka bërë me dije Trumpit që Moska është e detyruar të kundërsulmojë.

Ukraina është në gjendje gatishmërie për hakmarrjen e apostrofuar, pasi shërbimi i saj i sigurisë, SBU, kreu një sulm të papritur me dronë gjatë fundjavës, duke sulmuar katër baza ajrore dhe duke dëmtuar deri në 20 avionë luftarakë rusë thellë brenda vendit.

Ambasada e SHBA-së në Ukrainë ka alarmuar mbi rrezikun e vazhdueshëm të “sulmeve ajrore” dhe u ka rekomanduar qytetarëve të kenë kujdes.

Disa orë pasi Trumpi dhe Putini folën në telefon, Rusia lëshoi një valë sulmesh me raketa dhe dronë në drejtim të Ukrainës brenda natës. Të paktën pesë persona, përfshirë një fëmijë 1-vjeçar së bashku me nënën dhe gjyshen e tij, u vranë kur droni goditi një ndërtesë banimi në qytetin verior të Pryluky.