Presidenti amerikan e ka zbuluar motivin e tij të vërtetë për ndërmjetësimin e përfundimit të luftës në Ukrainë. Ai shqetësohet se mund të mos shkojë në parajsë pasi të vdesë.
“Dua të përpiqem dhe të shkoj në parajsë, nëse është e mundur”, ka shpjeguar ai. “Po dëgjoj se nuk po punoj mirë... Por nëse shkoj në parajsë, kjo do të jetë një prej arsyeve”, ka thënë Donald Trump referuar arritjes së paqes në Ukrainë.
Ky do të ishte një pohim shumë i pazakontë nga secili president, por duket veçanërisht i çuditshëm kur vjen nga Trumpi, ka shkruar The New York Times. Njeriu i cili konsiderohet si profet nga shumë prej mbështetësve të tij, thotë tani se ai e di se nuk është shenjtor.
Është tepër e rrallë që Trump të dëgjohet të flasë në këtë mënyrë, sidomos për vdekjen e tij. Ai është 79 vjeç dhe nuk do që t’i përmendet ky fakt. “Është një pikë kur nuk do të dëgjosh ‘Urime ditëlindjen’”, pati thënë ai kur pati mbushur 78 vjeç.
Në një konferencë më vonë të martën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u pyet nëse Trumpi po bënte shaka kur foli për parajsën.
“Mendoj se presidenti ishte serioz”, u përgjigj ajo. “Mendoj se presidenti dëshiron të shkojë në parajsë – ashtu si të gjithë ne shpresojmë”.