Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të premten se pretendimet e shefes së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, për mungesën e provave sa i përket programit bërthamor iranian, janë të gabuara, ka raportuar BBC.
I pyetur nga gazetarët se në cilin informacion bazohen sugjerimet se Irani po zhvillon dhe prodhon armë bërthamore, kur komuniteti i tij i inteligjencës më parë ka deklaruar se nuk ka prova të mjaftueshme, Trump është shprehur se ata e kanë gabim.
“Atëherë komuniteti im i inteligjencës është gabim. Kush në komunitetin e inteligjencës e ka thënë këtë?”, ka pyetur Trumpi pastaj gazetarët.
Një gazetar iu përgjigj presidentit amerikan, tek e ka qartësuar se personi në fjalë që i ka bërë këto pretendime ishte Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.
“Ajo është gabim”, ka thënë Trumpi.
Në mars, Gabbardi i pati thënë Kongresit se agjencitë amerikane të inteligjencës kishin përcaktuar se Irani nuk e kishte rifilluar programin e pezulluar të armëve bërthamore të vitit 2003, edhe pse rezerva e uraniumit të pasuruar të vendit — një përbërës kyç për armët e këtilla — ishte në nivelin më të lartë historik.
Shefja e inteligjencës ndryshon qëndrim për programin bërthamor të Iranit, pas kritikave të Trumpit
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, ka ndryshuar qëndrim sa i përket prodhimit të armëve bërthamore nga ana e Republikës Islamike të Iranit, krahasuar me disa muaj më parë kur kishte dëshmuar para Kongresit se Irani s’ishte duke zhvilluar koka bërthamore, ka shkruar BBC.
Gabbard ka thënë se dëshmia e saj e muajit mars, në të cilën kishte thënë se përkundër faktit që Irani zotëron materiale bërthamore prapë se prapë nuk po ndërton armë të këtij lloji, ishte nxjerrë nga konteksti prej “mediave të pandershme”.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Gabbard ka shkruar se inteligjenca amerikane ka rivlerësuar se Irani është tashmë “në pikën ku mund të prodhojë një armë bërthamore brenda javësh apo muajsh”.
“Presidenti Trump ka qenë i qartë se kjo nuk mund të ndodhë, dhe unë jam dakord”, ka shtuar ajo.
Ndryshimi i pozicionit është bërë disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka cilësuar komentet e saj paraprake si të gabuara, tek ka theksuar para gazetarëve se shërbimet inteligjente kanë zbuluar se Irani ka “sasi të jashtëzakonshme materialesh” dhe se mund të prodhojë armë bërthamore “brenda muajsh”.
Zyrtarët iranianë kanë thënë qëmoti se programi bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore dhe se nuk ka për synim të ndërtojë apo zhvillojë armë të shkatërrimit në masë.
Në Shtëpinë e Bardhë kanë njoftuar të enjten se presidenti amerikan ka vendosur që t’i japë Iranit afat dyjavor për të arritur marrëveshje me Washingtonin zyrtar.
E në qoftë se kjo nuk arrihet, gjasat janë të larta që SHBA-ja t’i bashkohet fushatës ushtarake të Izraelit kundër Iranit.
Në orët e hershme të së shtunës, kryediplomati iranian, Abbas Aragchi ka theksuar se vendi i tij është “absolutisht i gatshëm për një zgjidhje të negociuar” rreth programit bërthamor, porse Irani nuk mund të ulet në tryezën e bisedimeve me SHBA-në “përderisa populli iranian vazhdon të bombardohet”.