Botë

Trump thotë se migrantët duhet të dinë “si të ikin nga aligatorët” për t’u arratisur nga qendra në Florida

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një qendër e re ndalimi për imigrantë në një zonë të largët të Floridas, të rrethuar nga këneta plotë me aligatorë, mund të jetë model për projektet e ardhshme, ndërsa administrata e tij po nxiton ta zgjerojë infrastrukturën e nevojshme për rritjen e dëbimeve, transmeton agjencia “AP”. 

Objekti, të cilin Trump e vizitoi të martën, është bërë shpejt një simbol i masave të ashpra anti-imigracion të vendosura nga presidenti amerikan. Migrantët mund të fillojnë të mbërrijnë në qendër menjëherë, ku duhet të ecin nëpër një strukturë mjekësore me kabina të përkohshme, që po shfrytëzohet si zonë trajtimi. 

E vendosur në një vend të largët me tenda dhe rimorkio, që normalisht përdoren pas një fatkeqësie natyrore, qendra e ndalimit quhet “Alligator Alcatraz”, një nofkë që ka alarmuar aktvisitët e imigrantëve, por i përshtatet qasjes agresive të Trumpit ndaj dëbimeve. 

“Ky nuk është biznes i mirë”, tha Trump. 

Pastaj ai bëri shaka se “ne do t’u mësojmë atyre se si të ikin nga një aligator nëse arratisen nga  burgu”. 

“Mos vrapo në vijë të drejtë. Vrapo kështu”, tha ai, ndërsa lëvizte dorën në formë zigzage. “Dhe e dini çfarë? Shanset tuaja rriten me rreth 1%”.