Botë

Jeta brenda “Alcatrazit të krokodilëve”

Yaneisy Fernandez

Në një qendër të përkohshme ndalimi të ndërtuar mes kënetave të Floridës, dhjetëra familje përballen me ankth, zhdukje të të afërmve dhe kushte çnjerëzore, ndërsa vendimi i gjykatës për mbylljen e saj përplaset me planet e administratës Trump për të zgjeruar sistemin e ndalimit

Kur djali i saj u mor nga autoritetet e imigracionit, Yaneisy Fernandez u frikësua për më të keqen. Pastaj mori një telefonatë prej tij nga brenda “Alcatrazi i krokodilëve”.

“Nuk kishim asnjë ide se ku ndodhej, derisa na telefonoi,” i tha Yaneisy BBC-së. “Ai tha: ‘Mami, më çuan te qendra e krokodilëve’. Kështu e përshkroi ai.”

Qendra e përkohshme e ndalimit për imigrantë e ndërtuar në Everglades të Floridës është bërë shpejt një simbol polarizues i politikave të imigracionit të presidentit Donald Trump.

Tani, vetëm dy muaj pas hapjes së saj, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka njoftuar se do ta mbyllë atë, në përputhje me një urdhër gjyqësor. Procesi tashmë ka filluar – kreu i imigracionit Tom Homan tha në një konferencë për shtyp se vetëm rreth 50% e të ndaluarve ndodhen ende aty.

BBC foli me familjet e dy të ndaluarve që u zhvendosën muajin e kaluar, të cilët thonë se të dashurit e tyre “u zhdukën” brenda sistemit pikërisht kur ishin më të pambrojtur.

Kjo përfshin edhe djalin e Yaneisyt, Michael Borrego Fernandez, i cili thotë se është lënë duke gjakosur dhe në dhimbje të forta pas një incidenti, përpara se të zhvendosej në një tjetër qendër.

“Qendra e krokodilëve”

E ndërtuar brenda tetë ditëve në fund të qershorit, në zonën e mbrojtur të Everglades – kënetat e famshme për krokodilët – Qendra e Ndalimit në Floridën Jugore u bë shpejt një nga qendrat më famëkëqija të ndalimit të imigrantëve në SHBA.

E quajtur nga disa “Alcatrazi i krokodilëve”, qendra u ndërtua për të strehuar rreth 3,000 persona, por nuk arriti kurrë kapacitetin e plotë – edhe pse numri i të ndaluarve në të gjithë SHBA-në për imigracion arriti një rekord prej 59,000 personash deri në mesin e gushtit.

Gjatë kohës që ishte e hapur, kjo qendër u bë një pikë e nxehtë e debatit amerikan rreth masave të ashpra të presidentit Trump ndaj imigracionit të paligjshëm. Disa shkuan aty për të protestuar, ndërsa të tjerë ndaluan vetëm për të bërë selfie pranë tabelës “Alligator Alcatraz”.

Kur u hap fillimisht qendra, Partia Republikane e Floridës prodhoi materiale promocionale me logon e “Alcatrazit të krokodilëve”: bluza, kapele dhe ftohëse birrash.

“Njerëzit janë të entuziazmuar për faktin se më në fund po mbyllim kufirin dhe po dëbojmë nga vendi ata që janë këtu në mënyrë të paligjshme dhe që kryejnë krime”, tha Evan Power, kryetari i Partisë Republikane të Floridës.

“Ne kemi ligje që duhen respektuar,” i tha BBC-së Jack Lombardi, një votues republikan në Florida. “Dhe ti je mysafir në vendin tonë. Faktet janë se ke ardhur këtu ilegalisht. Ke hyrë pa u dëshiruar.”
Ka pasur raportime të kundërta për kushtet brenda qendrës. Pas një vizite nga ligjvënësit në korrik, republikanët deklaruan se ishte një qendër e mirëmenaxhuar, e sigurt dhe e pastër. Demokratët, nga ana tjetër, e përshkruan si një vend të neveritshëm, të mbipopulluar dhe jo higjienik.

Tani, një gjyqtar ka urdhëruar mbylljen e qendrës brenda 60 ditësh, ndërkohë që shqyrtohet një çështje që pretendon se qeveria nuk ndoqi procedurat e nevojshme kur ndërtoi qendrën. Megjithëse qeveria po apelon vendimin, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka thënë se do të respektojë urdhrin e gjykatës.

“Nuk jam dakord me gjyqtarin që mori këtë vendim,” u tha mediave të enjten Tom Homan. “Unë kam qenë atje. Hyra në zonat e ndalimit. Pashë një qendër të pastër dhe të mirëmbajtur.”

“E lanë atje si një qen”

Michael Fernandez u zhvendos në SHBA nga Kuba në vitin 2019 dhe, sipas nënës së tij, iu dha azil politik i përkohshëm.

Pasi u përfshi pa dijeni në një skemë ndërtimi pishinash me hidromasazh në vitin 2021, një gjykatës urdhëroi dëbimin e tij. Në qershor, ai pranoi fajësinë për vjedhje të rëndë për të shmangur burgun, megjithëse ai thotë se nuk kishte asnjë ide që kompania ku punonte mashtronte klientët. Avokati i tij gjithashtu pohon se Michael nuk ishte në dijeni të urdhrit për dëbim kundër tij.

Në janar, ai u ndalua nga policia ndërsa po çonte mbesën në shkollë me makinë. Deri në qershor, ishte në paraburgim nga Shërbimi i Doganave dhe Imigracionit të SHBA-së (ICE) dhe u transferua në qendrën e ndalimit në Florida.

Michael kishte qenë në “Alcatrazin e krokodilëve” më pak se një javë kur Yaneisy mori një telefonatë nga disa të ndaluar që ndodheshin me të.

“Ata më thanë se Michael u zgjua i mbuluar me gjak,” tha ajo. Sipas saj, te Michael ishte zhvilluar hemorroide të gradës së katërt – forma më e rëndë. Ai u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zorrën e trashë.

Pasi u kthye në qendër, Michael fliste me nënën e tij përmes telefonatave të shkurtra dhe të monitoruara. “Nuk mund të qëndronte as disa sekonda në telefon nga dhimbja e madhe,” tha ajo. Ai i kishte thënë se kishte marrë infeksion. “Ndjente sikur po pësonte një atak në zemër,” tha Yaneisy. “Dhe e dërguan sërish në spital.”

Michael i tregoi se nuk po merrte asnjë ilaç kundër dhimbjes dhe se një natë e kishin prangosur në mënyrë që nuk mund të flinte me fytyrën poshtë – pozicioni i kërkuar pas operacionit.

Yaneisy thotë se Michael i rrëfeu se nuk e lejuan të lahej dhe nuk i dhanë as të ndërrohej, edhe pse të brendshmet e tij ishin të mbuluara me gjak dhe jashtëqitje.

“Kjo nuk është higjienike. E lanë atje si një qen, si dikë që e kanë hedhur tutje,” shtoi ajo.

Rasti i Michaelit tani është pjesë e një padie kundër administratës Trump, e cila pretendon se të ndaluarit nuk kanë qasje të duhur te përfaqësimi ligjor përmes takimeve konfidenciale ballë për ballë me avokatët e tyre.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) i tha BBC-së se ekziston një hapësirë fizike ku avokatët mund të takohen me klientët e tyre.

Padia është ende në zhvillim. Michael u transferua në një qendër tjetër më 1 gusht.

Në një deklaratë për BBC-në, DHS tha: “Këto pretendime për Michael Borrego Fernandez janë të rreme”. Ata thanë se Shërbimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE) i kishte ofruar atij “kujdes të duhur mjekësor dhe ilaçe”.

Ndërkohë, Divizioni i Menaxhimit të Emergjencave në Florida tha se të ndaluarit kanë qasje në “kujdes mjekësor 24/7 që përfshin edhe një farmaci, si dhe ambiente higjienike të pastra dhe funksionale,” dhe se ata mund të planifikojnë takime me avokatët, si fizikisht ashtu edhe virtualisht.

Mich Gonzalez, avokati i Michaelit, thotë se ndonëse qendrat e ndalimit për imigracionin supozohet të jenë jondëshkuese – vende për të mbikëqyrur imigrantët që përballen me dëbim – kushtet brenda tyre janë “poshtëruese dhe vdekjeprurëse.”

“Dhe kampi i internimit në Everglades është edhe më i rëndë,” shtoi ai.

Një javë pa asnjë lajm

Yaneisy nuk është e vetmja që ka pasur një të afërm që është sëmurë rëndë brenda “Alcatrazit të krokodilëve”.

Kur burri i Gladysit, Marco Alvarez Bravo, 38 vjeç, u arrestua dhe u dërgua në këtë qendër ndalimi, për të ishte skenari më i keq i mundshëm.

Më pas, ai u zhduk për më shumë se një javë.

Gjithçka filloi mbi një muaj më parë, kur Marco u nis nga shtëpia e tij në Tallahassee, Florida, për të vizituar një klient dhe për të dhënë një vlerësim për një punë ndërtimi. Vetëm pak metra larg apartamentit, agjentët e ICE e ndaluan makinën e tij.

“I pyeta oficerët: pse po e merrni? – kujton Gladys. – Ai ka status ligjor në shqyrtim. Nuk është kriminel.”

Marco kishte ardhur në SHBA nga Kili shtatë vjet më parë. Ai hyri me vizë turistike, të cilën e tejkaloi, dhe më pas aplikoi për azil politik. Gladys, një shtetase amerikane që e kishte njohur përmes miqve rreth po asaj kohe, thotë se kërkesa për azil është ende në proces dhe se ai kishte leje të qëndronte në vend derisa të merrej një vendim. Ata u martuan vetëm 11 ditë para arrestimit.

Në një përgjigje për BBC-në, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) pretendoi se Marco ishte “anëtar i njohur i një grupi hajdutësh nga Amerika e Jugut”. Gladys thotë se burri i saj nuk ka asnjë precedent penal.

Që në momentin që u mor nga autoritetet, Gladys filloi të shqetësohej për sigurinë e tij.

Ajo tregon se Marco ka një sëmundje të trashëguar të zemrës të quajtur sindroma Wolff-Parkinson-White, që e bën zemrën të rrahë jashtëzakonisht shpejt. Ai kishte bërë një ndërhyrje mjekësore për ta trajtuar këtë problem në prill të këtij viti dhe merrte çdo ditë ilaçe për zemrën. Gladys i tha BBC-së se pas procedurës ai kishte marrë edhe pneumoni, nga e cila ende vuante në momentin e arrestimit.
Fillimisht, Gladys nuk kishte asnjë ide se ku ishte dërguar, sepse ai nuk figuronte në bazën zyrtare të të ndaluarve të ICE, një faqe zyrtare online që tregon vendndodhjen e personave të ndaluar.
Gunther Sanabria, një avokat imigracioni që ka përfaqësuar klientë brenda “Alcatrazit të krokodilëve”, thotë se është bërë e zakonshme që personat e ndaluar nga ICE të mos figurojnë në sistemin zyrtar të lokalizimit.

“Na vijnë çdo javë njerëz duke qarë,” tha ai, “sepse nuk e dinë se ku janë të afërmit e tyre. Ata dolën për punë atë mëngjes dhe nuk u kthyen më.”

Megjithatë, telefonatat e Marcos nga brenda qendrës në Florida i dhanë Gladysit njëfarë qetësie.

Më 14 gusht, Marco e telefonoi Gladysin për t’i thënë se kishte pësuar një çarje në veshkë, e cila kishte ndikuar edhe në shtyllën kurrizore.

Të nesërmen, një tjetër i ndaluar që ndodhej me të e telefonoi Gladysin për ta informuar se burri i saj ishte në karrige me rrota dhe ishte dërguar në spitalin Florida Kendall.

Ajo qe hera e fundit që dëgjoi ndonjë lajm prej tij për më shumë se një javë. Ajo kontrollonte çdo ditë sistemin online të ICE, por emri i Marcos nuk gjendej.

U deshën tetë ditë që të merrte vesh çfarë kishte ndodhur.

“Nuk mund ta besoj që kjo po ndodh vërtet,” tha ajo. “Ku është burri im?”

DHS i tha BBC-së se Marco po merrte kujdes mjekësor, por nuk iu përgjigj pyetjes së drejtpërdrejtë se ku ndodhej aktualisht. Në një deklaratë për BBC-në thanë: “Ai është i ndërgjegjshëm dhe mund të telefonojë familjen në çdo moment.”

Më në fund, më 22 gusht, Gladys mori një telefonatë nga Marco. Ai ishte kthyer në “Alcatrazin e krokodilëve”. Por brenda pak ditësh, po përgatiteshin ta zhvendosnin sërish. As Marco dhe as Gladys nuk e dinin se ku.

“Jam shumë e shqetësuar, shumë e hutuar nga gjithçka që po ndodh, dhe nervat e mia janë totalisht të shkatërruara,” tha ajo.

Këtë javë, Marco duket se është transferuar në qendrën e ndalimit Krome, rreth 35 milje larg.
Ndërkohë që vendimi i gjykatës për të mbyllur “Alligator Alcatraz” konsiderohet një goditje për administratën Trump, qendra të tjera të përkohshme ndalimi janë duke u ndërtuar në disa shtete të drejtuara nga republikanët – përfshirë një qendër të dytë në Florida të quajtur “Deportation Depot” (Depoja e Dëbimit) dhe një tjetër në Indiana, që zyrtarët e sigurisë kombëtare e kanë quajtur “Speedway Slammer”.

Duke folur për të ardhmen, Tom Homan tha se ndonëse “Alligator Alcatraz” ishte një “qendër kalimtare shumë e mirë”, nuk e shihte si një zgjidhje afatgjatë.