Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tre të vdekur nga rrëzimi i helikopterit për shuarjen e zjarreve në Kaliforni

Tre persona kanë vdekur pas rrëzimit të një helikopteri, gjatë një misioni për shuarjen e zjarreve, në shtetin amerikan të Kalifornisë, të dielën në mbrëmje.

Në incident janë të përfshirë dy helikopterë, të cilët u përplasën mes vete. Njëri nga ta arriti të ulej i sigurt në tokë, ndërsa i dyti u rrëzua, duke lënë të vdekur të gjithë personat në bord.

Hetimet e shkakut të aksidentit kanë nisur nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit, ndërsa viktimat tashmë janë identifikuar.

Helikopteri që u rrëzua po përdorej për vëzhgim, ndërsa ai që arriti të ulej i sigurt po ndihmonte në shuarjen e zjarrit.

Të dy ishin kontraktuar nga Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri i Kalifornisë. / BBC