Botë

“Trafiku më shpëtoi jetën”, studentja që e humbi për 10 minuta fluturimin fatal të “Air India”

Bhoomi Chauhan

Bhoomi Chauhan

Një studente nga Britania e Madhe shpëtoi për pak nga aksidenti tragjik, pasi humbi fluturimin me “Air India” që u rrëzua të enjten. Aksidenti shkaktoi vdekjen e 241 personave në bord dhe disa të tjerëve në tokë.

Bhoomi Chauhan, 28 vjeç, me banim në Bristol dhe me origjinë nga India perëndimore, kishte planifikuar të udhëtonte për në Londër përmes fluturimit AI171 nga Ahmedabad në drejtim të aeroportit Gatwick. Megjithatë, ajo mbërriti në aeroport vetëm 10 minuta me vonesë për shkak të trafikut të rënduar në qytet.

Sipas BBC, Chauhan ishte e pajisur me biletë dhe kishte kryer ‘check-in’ online, por stafi i kompanisë ajrore nuk e lejoi të hipte në bord, pasi kishte kaluar afati për pranimin e pasagjerëve.

Pasi u largua e zhgënjyer nga aeroporti, Chauhan mori lajmin tronditës se aeroplani me të cilin duhej të udhëtonte ishte rrëzuar pak pas ngritjes.

“Është një mrekulli për mua”, ka deklaruar ajo për BBC-në, duke shprehur tronditjen dhe falënderimin që ishte gjallë.

Chauhan kishte udhëtuar nga qyteti Ankleshwar, rreth 201 kilometra në jug të Ahmedabadit, por trafiku i dendur në qendrën e qytetit ndikoi që ajo të mbërrinte rreth orës 12:20, vetëm pak minuta pasi kishte nisur hipja në bord e pasagjerëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Air India” dhe autoritetet ajrore indiane, aeroplani AI171 pësoi defekt teknik menjëherë pas ngritjes dhe u rrëzua në periferi të Ahmedabadit, duke shkaktuar një prej tragjedive më të rënda ajrore të viteve të fundit. Vetëm një person që ishte në aeroplan i shpëtoi rrëzimit.  

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, ndërkohë që numri i viktimave pritet të rritet për shkak të dëmeve të shkaktuara në zonat e banuara ku avioni u rrëzua.