Botë

Hezbollahu goditet nga shpërthimi i pajisjeve komunikuese, 9 të vdekur e mijëra të plagosur

Liban

Foto: Associated Press

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur, si pasojë e shpërthimit në të njëjtën kohë të pajisjeve komunikuese “beeper” të Hezbollahut, në disa zona të Libanit dhe në Siri të martën. Grupi militant islamik ka bërë përgjegjës për këtë Izraelin, teksa paralajmëroi hakmarrje



(Përditësuar, 22:17) -  Qindra pajisje komunikimi të dorës, të njohur si “beeper”, shpërthyen në të njëjtën kohë në pjesë të Libanit dhe Sirisë të martën, duke vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë anëtarë të grupit militant Hezbollah dhe një vajzë të re. Janë plagosur disa mijëra tjerë, kanë njoftuar zyrtarët, raporton agjencia "AP".

Hezbollahu ka drejtuar gishtin drejt Izraelit për sulmin që dukej të ishte i sofistikuar dhe i largët.
Mes të plagosurve ishte edhe ambasadori i Iranit në Liban. Incidenti misterioz erdhi në mes të tensioneve në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, të cilët kanë shkëmbyer zjarr përtej kufirit Izrael-Liban që nga 7 tetori. 
Pajisjet që shpërthyen ishin blerë rishtazi nga Hezbollahu, pasi udhëheqësi i grupit urdhëroi anëtarët të ndalonin përdorimin e telefonave celularë, duke paralajmëruar se mund të gjurmoheshin nga inteligjenca izraelite. Një zyrtar i Hezbollahut i ka thënë Associated Press se pajisjet ishin një markë e re që grupi nuk i kishte përdorur më parë.
Rreth orës 15:30 sipas kohës lokale të martën, pajisjet filluan të nxeheshin dhe më pas të shpërthenin në xhepat dhe duart e atyre që i mbanin, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit, në rajonin Beqaa të Libanit lindor ku Hezbollahu ka një prani të fortë, dhe në Damask, ku disa anëtarë të Hezbollahut u plagosën, kanë thënë zyrtarë libanezë të sigurisë dhe një zyrtar i Hezbollahut, i cili ka folur në kushte anonimiteti.


Shpërthimet erdhën disa orë pasi Agjencia e sigurisë së brendshme e Izraelit ka thënë se kishte penguar një përpjekje të Hezbollahut për të vrarë një ish-zyrtar të lartë të sigurisë izraelite duke përdorur një mjet shpërthyes të vendosur që mund të shpërthehej nga distanca.
Ekspertët thanë se shpërthimet e pajisjeve komunikuese të Hezbollahut treguan shenja të një operacioni të planifikuar prej kohësh. Hetuesit nuk dinin se si u shpërthyen ato ose nëse eksplozivët ishin futur fshehurazi në secilën pajisje. 
Por u shënjestrua një gjerësi e jashtëzakonshme njerëzish me qindra shpërthime të vogla, të gjitha menjëherë.
Një video që qarkullonte në internet tregoi një burrë duke mbledhur produkte në një dyqan ushqimor kur çanta që mbante në ije shpërthen, duke e lënë atë të shtrirë në tokë dhe kalimtarët duke vrapuar. 

Fotografët e AP-së në spitalet e zonës thanë se dhomat e urgjencës ishin të mbingarkuara me pacientë. Disave iu mungonin duar ose copa nga këmbët pranë zonës së xhepit.
Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Firas Abiad, ka thënë se të paktën nëntë persona janë vrarë, duke përfshirë një vajzë 8-vjeçare dhe 3000 janë lënduar, 200 prej tyre në gjendje kritike, nga shpërthimet. Shumica kishin lëndime në fytyrë, dorë ose rreth barkut.
Hezbollahu ka thënë në një deklaratë se dy nga anëtarët e saj ishin në mesin e të vrarëve. Zyrtari i Hezbollahut, i cili foli në mënyrë anonime, identifikoi një nga të vdekurit si Ali Ammar, djali i një prej anëtarëve të grupit në parlamentin libanez.
"Ne e mbajmë armikun izraelit plotësisht përgjegjës për këtë agresion kriminal që synoi gjithashtu civilët”, ka thënë Hezbollahu në një deklaratë, duke shtuar se Izraeli "me siguri do të marrë dënimin e tij të drejtë".
SHBA-ja është distancuar duke deklaruar se nuk është "e përfshirë" në serinë e shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit në Liban dhe "nuk ishte në dijeni" të ndonjë sulmi paraprakisht, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mathhew Miller.
Ai i është referuar në mënyrë të përsëritur çështjes si “një incident” dhe jo “një sulm”.
 


E përditësuar (18:24) - Hezbollahu e bën përgjegjës Izraelin për shpërthimet në Liban

Grupi militant islamik në Liban, Hezbollah, ka lëshuar një deklaratë përmes të cilës e ka fajësuar Izraelin për shpërthimet në pajisjet e komunikimit, që lanë të vdekur të paktën tetë persona, mes tyre një fëmijë, dhe të plagosur rreth 3,000 të tjerë. 

“Ky armik tradhtar dhe kriminel me siguri do të marrë dënimin e tij të drejtë për këtë agresion mëkatar, pavarësisht nëse e pret apo jo”, thuhet në deklaratë, raporton BBC.

Grupi i armatosur libanez përsëritI gjithashtu "mbështetjen e tij për rezistencën e guximshme palestineze".
 


E përditësuar (18:00) - Grupi i armatosur libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, thotë se tetë persona, përfshirë dy nga luftëtarët e tij dhe një vajzë, janë vrarë pasi pajisjet e dorës që përdoreshin për të komunikuar shpërthyen. Ndërkaq rreth 3,000 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ambasadori i Iranit në Liban ishte në mesin e qindra njerëzve të plagosur nga shpërthimet të cilat Hezbollahu i quajti "misterioze" që ndodhën njëkohësisht në Bejrutin jugor dhe disa zona të tjera të Libanit të martën pasdite.

Pamjet e shpërndara tregojnë një shpërthim në xhepin e pantallonave të një burri teksa qëndronte në një dyqan.

Hezbollah tha se po hetonte shkakun e shpërthimeve dhe nuk e akuzoi drejtpërdrejt Izraelin se qëndron pas tyre.


Plagosen qindra luftëtarë të Hezbollahut nga shpërthimi i pajisjeve që përdorin për të komunikuar

Qindra anëtarë të grupit të armatosur libanez Hezbollah raportohet se janë plagosur pasi pajisjet elektronike të dorës që përdorin për të komunikuar, kanë shpërthyer.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit ka thënë se ka pasur shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit dhe disa zona të tjera. 

Televizioni Al-Manar i Hezbollahut ka raportuar gjithashtu se shumë pajisje kanë shpërthyer, por të lënduarit nuk janë identifikuar, raporton BBC.

Videot dhe fotot në mediat sociale tregojnë burra të plagosur të ulur ose të shtrirë në dysheme dhe të tjerët duke u dërguar me urgjencë në spitale. 

Një zyrtar i Hezbollahut i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se kjo përbën "shkeljen më të madhe të sigurisë" që kur armiqësitë me Izraelin u përshkallëzuan 11 muaj më parë, paralelisht me luftën në Gaza.

Ngjarja ka ndodhur disa orë pasi kabineti i sigurisë i Izraelit e bëri kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit një objektiv zyrtar të luftës në Gaza.

Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të nisë një operacion ushtarak për të larguar Hezbollahun nga kufiri.