Në atë që duket si një sulm i sofistikuar dhe i largët, “beeperët” e përdorur nga qindra anëtarë të Hezbollahu kanë shpërthyer njëkohësisht në Liban dhe Siri të martën, ku janë vrarë nëntë persona – përfshirë një vajzë e vogël – dhe janë plagosur mijëra tjera.
Grupi militant i mbështetur nga Irani e ka fajësuar Izraelin për shpërthimet vrasëse, të cilat synuan një numër të madh të njerëzve dhe japin shenja se ishte operacion i planifikuar gjatë. Por, si u ekzekutua sulmi është ende i paqartë dhe hetuesit nuk kanë treguar menjëherë se si “beeperët” shpërthyen. Ushtria e Izraelit ka refuzuar të komentojë.
Ja çfarë dihet deri më tash.
Pse u përdorën “beeperët” në sulmin?
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, më herët kishte paralajmëruar anëtarët e grupit që të mos mbajnë telefona celularë, duke thënë se mund të gjurmohen nga Izraeli për të shikuar lëvizjet e grupit e për të kryer sulme. Si rezultat, organizata përdori “beeperët” apo ndryshe të njohur edhe si “pagerët” për të komunikuar.
Një zyrtar i Hezbollahut i tha “Associated Press” se pajisjet ishin nga një markë e re të cilat grupi nuk i kishte përdorur më parë. Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti pasi nuk është i autorizuar të flasë për media, nuk identifikoi markën apo furnizuesin.
Si mund të shkaktojë sabotimi që “beeperët” të shpërthejnë?
Deri më tash shumë pak gjëra janë zbuluar nga hetuesit, por kanë dalë shumë teori të martën se si sulmi ka mundur të kryhet.
Disa ekspertë që kanë folur për “AP” thanë se shpërthimet ishin të mundshme si rezultat i ndërhyrjes në zinxhirin furnizues.
Pajisje shumë të vogla shpërthyese mund të jenë vendosur në “beeper” para dorëzimit të tyre te Hezbollahu dhe më pas ato janë aktivizuar nga distanca në të njëjtën kohë, ndoshta me një sinjal radioje, tha Carlos Perez, drejtor i inteligjencës së sigurisë në “TrustedSec”. Në kohën e sulmit, “me shumë gjasë bateria ishte gjysmë-shpërthyese dhe gjysmë-bateri aktuale”.
Në rrjete sociale të martën u shfaqën pamje të kamerave të sigurisë që pretendonin se tregonin një nga “beeperët” duke shpërthyer në xhepin e një njeriu në një shitore në Liban. Dy ekspertë municionesh po ashtu thanë se shpërthimi duket se ishte rezultat i një pajisjeje të vogël shpërthyese.
“Duke parë videon, madhësia e shpërthimet është e ngjashme me atë të shkaktuar nga një detonator i vetëm elektrik apo një që përfshin një ngarkesë jashtëzakonisht të vogël me eksploziv”, tha Sean Moorhouse, një ish-ushtarak britanik dhe një ekspert i asgjësimit të mjeteve shpërthyese.
Ai vlerësoi se sasia e eksplozivit mund të ishte 1.5 gramë deri 2 gramë – afërsisht sa madhësia e një gome në fund të një lapsi.
Moorhouse shpjegon se eksplozivët e vegjël dhe metoda e detonimit të tyre nga distanca, do të kërkonte që këto pajisje të vendoseshin brenda “beeperëve” para se të dorëzoheshin, duke sinjalizuar përfshirjen e një akteri të mundshëm shtetëror. Ai thotë se agjencia e inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad, është e dyshuara kryesore që ka burimet e nevojshme për të kryer një sulm të tillë.
N.R. Jenzen-Jones, një ekspert në armët ushtarake që është drejtor i Shërbimeve Hulumtuese të Armatimit me seli në Australi, është i pajtimit se shkala dhe mënyra e sofistikuar e sulmit “gati sigurt tregon për përfshirjen e një akteri shtetëror” dhe se Izraeli ishte akuzuar për kryerje të operacioneve të tilla në të kaluarën. Vitin e kaluar, “AP” raportoi se Irani ka akuzuar Izraelin se ka tentuar të sabotojë programin e tij të raketave balistike përmes pjesëve të huaja me defekt që mund të shpërthenin, duke dëmtuar apo shkatërruar armët përpara se ato të përdoreshin.
Çfarë tjetër mund të kishte ndodhur?
Një mundësi tjetër është që një “malware” ka mundur të futej në sistemin operativ të “beeperëve” – dhe kjo në një mënyrë shkaktoi mbingarkimin e baterive të pajisjeve në një kohë të caktuar, duke shkaktuar që ato të shpërthejnë.
Sipas një zyrtari të Hezbollahut dhe zyrtarëve të sigurisë së Libanit, thanë se fillimisht pajisjet u nxehën e më pas shpërthyen në xhepat ose duart e atyre që i mbanin pasditen e së martës.
Këta “beeperë” funksionojnë me bateri litium-jon, tha zyrtari i Hezbollahut, duke pretenduar se pajisjet shpërthyen si rezultat i shënjestrimit nga një “operacion izraelit”, pa elaboruar më tej.
Kur mbingarkohen, bateritë litium-jon mund të nxjerrin tym, të shkrihen dhe madje të marrin flakë.
Por, Moorhouse thotë se nga imazhet e pamjet e para të martën më tepër ngjanë si një shpërthim nga një ngarkesë e vogël shpërthyese sesa nga ngrohja e baterisë së “beeperëve”.
Një tjetër mundësi është një puls elektronik “që u dërgua nga larg dhe dogji pajisjet dhe shkaktoi shpërthimin e tyre”, tha Yehoshua Kalisky, një shkencëtar dhe studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtar, një think-tank me bazë në Tel Aviv.
“Nuk është ndonjë veprim i rastësishëm, ishte i qëllimshëm”, thotë Kalisky.