Të paktën 31 persona, prej tyre 25 fëmijë, janë konfirmuar të vdekur pasi u nxorën nga rrënojat e ndërtesave, si pasojë e rënies së avionit të Forcave Ajrore të Bangladeshit gjatë një misioni të trajnimit, i cili goditi një kampus në kryeqytetin Dhaka, teksa 88 të tjerë po trajtohen në spital.
Avioni “F-7 BGI” kishte rënë menjëherë të hënën pasi u ngrit në orën 1:06 pasdite (me kohën lokale të Bangladeshit) nga baza ajrore në Kurmitola, gjatë një misioni të zakonshëm.
Sipas njoftimit të Ushtrisë, rrëzimi i avionit ishte shkaktuar nga defektet mekanike.
Pamjet treguan punonjësit e shpëtimit që po kërkonin për mbetjet në ndërtesat e djegura, teksa familjarët e shqetësuar kishin rrethuar vendin e ngjarjes, raporton Reuters.
Qeveria ka shpallur një ditë zie, duke i ulur flamujt në gjysmë shtizë.
“F-7 BGI” është varianti më i fundit dhe më i avancuar i llojit të avionëve “Chengdu J-7/F-7” të Kinës.
Bangladeshi kishte nënshkruar një kontratë për 16 avionë të këtillë në vitin 2011, përderisa dërgesat përfunduan në vitin 2013.
Ky incident ka ndodhur ndërkohë që shteti fqinj i Indisë është ende duke u përballur me katastrofën më të keqe ajrore në dekadat e fundit, pasi avioni i kompanisë “Air India” kishte rënë mbi një konvikt mjekësor në qytetin e Ahmedabadit muajin e kaluar, duke lënë të vdekur 241 nga 242 pasagjerët në bord dhe 19 të tjerë në tokë.
Zija kombëtare u shndërrua në zemërim të martën në Bangladesh pasi bilanci i të vdekurve nga rrëzimi i avionit ushtarak mbi një shkollë në kryeqytetin Dhaka ka shkuar në 31 persona, duke nxitur protesta prej qindra nxënësve ndaj qeverisë së përkohshme në një vend të karakterizuar nga mungesa e stabilitetit, ka raportuar Reuters