Botë

Të paktën 26 të vdekur nga një zjarr në një klub nate në Indi

Indi

Foto: Associated Press

Një zjarr në një klub nate të njohur në rajonin bregdetar të Goas në Indi ka lënë të vdekur 25 persona, sipas zyrtarëve lokalë.

Besohet se shumica e viktimave janë stafi i klubit të natës Birch by Romeo Lane, i ndodhur pranë një plazhi të njohur. Thuhet gjithashtu se midis të vdekurve ka edhe turistë.

Policia beson se një bombolë gazi shpërtheu në kuzhinën e klubit, duke shkaktuar një flakë që përfshiu të gjithë lokalin të shtunën në mesnatë sipas kohës lokale.

Të dielën në mëngjes, zyrtarët thanë se numri i të vdekurve ishte rritur nga një shifër e mëparshme prej 23 personash. 

"Zjarri ishte i përqendruar kryesisht rreth zonës së kuzhinës në katin përdhesë", ka thënë Alok Kumar, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Goas.

Shumica e trupave janë gjetur pranë kuzhinës "duke sugjeruar se viktimat ishin të punësuar në klub", ka shtuar Kumar.

Kryeministri i Goas, Pramod Sawant, u ka thënë gazetarëve se "tre deri në katër" turistë kishin humbur jetën, por nuk ka dhënë moshën ose kombësitë e tyre.