Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të paktën 16 të vdekur pas përplasjes së kamionit me minibusin në Rusi

Të paktën 16 persona kanë mbetur të vdekur dhe tre të tjerë janë shtruar në spital të dielën në Rusi, pasi një kamion është përplasur me një minibus që nuk ka qenë në lëvizje në rajonin Ulyanovsk, kanë bërë të ditur forcat lokale të zbatimit të ligjit, shkroi Reuters.

Ky aksident dyshohet se ka ndodhur për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.

"Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i një automjeti të rëndë të mallrave nuk e ngadalësoi shpejtësinë në kohën e duhur dhe goditi një minibus të palëvizshëm”, ka njoftuar Ministria e Brendshme e rajonit Ulyanovsk.

Sipas komunikatës së ministrisë, punimet rrugore në vendin e ngjarjes kanë bërë që minibusi të priste në radhë për të lëvizur, por që më pas u godit nga kamioni.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve “TASS”, shoferi i kamionit është në mesin e viktimave.