Në konferencën e përbashkët lamtumirëse në Zyrën Ovale mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk vëmendjen nuk e mori vetëm bashkëpunimi mes tyre, por edhe një detaj i pazakontë: syri i ënjtur i bosit të teknologjisë.
Në fillim të ngjarjes, Trumpi e përgëzoi Muskun për “punën fantastike”, ndërsa më pas, në mënyrë të shkujdesur, shtoi se “qeveria jonë është pak e keqe ndonjëherë”, me Muskun që u përgjigj shkurt: “Po, ndonjëherë”.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte shenja e zezë pranë syrit të miliarderit, për të cilën ai zbuloi me humor se ishte rezultat i një “sulmi” nga djali i tij pesëvjeçar, X.
“Nuk ka asgjë si kur të godet në fytyrë një pesëvjeçar”, ka thënë Musk para gazetarëve, duke shtuar se ishte vetë ai që i kishte kërkuar djalit ta godiste për lojë.
Trumpi u shpreh se nuk e kishte vërejtur syrin e ënjtur, ndonëse ishte qartësisht i dukshëm.
Në fund të fjalimit, Musku ka thënë se do të vazhdojë të jetë mik i presidentit dhe shprehu admirimin për Zyrën Ovale.
Vizita e Muskut në Shtëpinë e Bardhë u përmbyll me një dhuratë nga Trumpi, një çelës të artë, duke shënuar ditën e tij të fundit si këshilltar teknik i Trumpit.
Musku e nisi furishëm punën duke udhëhequr Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë, e njohur si DOGE, duke shkurtuar mijëra vende pune. Madje, ndali fondet për projektet amerikane në shtetet e tjera.
