Talebanët kanë ndaluar prodhimin e lulëkuqeve në ditët kur bujqit afganë kanë nisur korrjen e tyre nga të cilat prodhohet opiumi.
Talebanët kanë kërcënuar bujqit se të korrurat e tyre do të digjen dhe se mund të burgosen nëse vazhdojnë me korrjen e lulëkuqeve. Ndalimi i kultivimit të lules, e cila mundëson prodhimin e heroinës, është bërë në kohën kur Afganistani po përballet me krizë të thellë ekonomike që ka zhytur miliona njerëz në varfëri të skajshme.
Gjysma e familjeve mezi fitojnë 35 centë në ditë. Afganistani është prodhuesi më i madh i opiumit dhe në vitin 2021, para se talebanët të merrnin pushtetin, prodhoi 6 mijë tonë opium. Sipas një vlerësimi të Kombeve të Bashkuara, kjo sasi e opiumit mund të nxirrte së paku 320 tonë heroinë të pastër.
Një kilogram opium shitet nga 68 deri në 114 dollarë, varësisht nga kualiteti. Në disa hulumtime amerikane është bërë e ditur se talebanët kanë fituar 20 milionë dollarë në vitin 2020 nga tregtia e drogës, pjesë shumë e vogël krahasuar me të hyrat që sigurojnë nga taksat për opiumin. Talebanët, publikisht, gjithmonë kanë mohuar se merren me drogë.