Luftëtarët talebanë të mërkurën kanë marrë kontrollin mbi një tjetër qytet të Afganistanit, duke e zaptuar kësisoj të tetin kryeqytet krahinor brenda vetëm gjashtë ditësh.
Pushtimi i Faizabadit, kryeqytet i krahinës verilindore të Badakhshanit, ka ndodhur teksa presidenti afgan, Ashraf Ghani, vizitoi Mazar-i-Sharifin për t’i mbledhur mbrojtësit e tij në kohën kur forcat talebane iu afruan qytetit më të madh në veri.
Jawad Mujadidi, anëtar i këshillit krahinor nga Badakhshan, tha se talebanët e rrethuan Faizabadin para fillimit të një ofensive masive të martën vonë. Badakhshan kufizohet me Taxhikistanin, Pakistanin dhe Kinën.
Pas avancimeve të fundit, talebanët tani e kontrollojnë 65 përqindëshin e territorit të Afganistanit, ndërsa kanë marrë ose janë kërcënuar që të marrin 11 kryeqytetet krahinore. Ata tani synojnë t’ia pamundësojnë kryeqytetit Kabul mbështetjen tradicionale nga forcat kombëtare në veri, në synimin për shtrirjen e mëtutjeshme të ndikimit dhe rizbatimin e ligjeve strikte islamike në Afganistan. Ofensivat e tyre për territore kanë marrë hov që nga nisja e tërheqjes së forcave të huaja, pas më se 20 vjetësh.