Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tërheqin disa prej personelit nga bazat në Lindjen e Mesme, pasi një zyrtar iranian ka thënë se Teherani ka paralajmëruar fqinjët se do ta godasë bazat amerikane nëse Washingtoni sulmon.
Një zyrtar amerikan i ka thënë Reutersit se SHBA-ja po e tërheq personelin për shkak të tensioneve të larta në rajon. Britania po ashtu po e tërheq nga baza ajrore në Katar përpara një sulmi të mundshëm të SHBA-së.
“Të gjitha sinjalet janë se një sulm i SHBA-së është afër, por kjo është edhe mënyra se si sillet kjo administratë për t’i mbajtur të gjithë në ankth. Paparashikueshmëria është pjesë e strategjisë”, i ka thënë një zyrtar tjetër Reutersit.
E, dy zyrtarë evropianë kanë thënë se intervenimi i ushtrisë amerikane mund të vijë në 24 orët e ardhshme.
Presidenti Donald Trump vazhdimisht ka kërcënuar se do të intervenojë në krah të protestuesve në Teheran, ku mijëra raportohen të vrarë.