Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka goditur më shumë se 2,000 objektiva në Iran që nga nisja e fushatës së saj të përbashkët të bombardimeve me Izraelin, ndërsa, sipas saj, Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe më shumë se 2,000 dronë.
SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë të kryejnë sulme intensive kundër Iranit. Në një videodeklaratë, Admirali Brad Cooper, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, ka thënë se 24 orët e para të operacionit të tyre të përbashkët ishin pothuajse dyfishi i shkallës së sulmeve tronditëse dhe të frikshme që filluan Luftën e Irakut, të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.
Me misionin që përfshin më shumë se 50,000 trupa, 200 avionë luftarakë, dy transportues aeroplanësh dhe bombardues, ai ka thënë se kjo përfaqëson "përforcimin më të madh nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme në një brez".
Ai ka thënë se forcat amerikane kanë shkatërruar 17 anije iraniane, duke fundosur të gjithë marinën iraniane. Tani, ka shtuar ai, fokusi është "në goditjen e të gjitha gjërave që mund të na qëllojnë".
SHBA-ja dhe Izraeli thonë se kanë shënjestruar mbrojtjen ajrore të Iranit dhe qindra raketa balistike, raketa lëshuese dhe dronë.
Në orët e fundit, Izraeli ka thënë po ashtu se po kryen "një valë të gjerë sulmesh" ndaj Iranit, ndërsa njëkohësisht po sulmon Hezbollahun në Liban. Gjithashtu ka shtuar se mbrojtja e saj ajrore ka kapur më shumë raketa të lëshuara nga Irani dhe Libani.
Irani përgatitet për varrosjen e Khameneit, Izraeli kërcënon me vrasjen e pasardhësit të tij
Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar të mërkurën se do të mbahet në Teheran një ceremoni mortore për udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Khamenei është vrarë kur filluan sulmet SHBA-Izrael të shtunën. Ceremonia pritet të fillojë sot, dhe do të zgjasë tri ditë para varrosjes, sipas mediave shtetërore.
New York Times raporton, duke cituar zyrtarë iranianë, se djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, ka dalë si kandidati kryesor për t'u bërë udhëheqësi i ri suprem, teksa vendimi mund të merret që në mëngjesin e së mërkurës.
E ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se çdo pasardhës që vazhdon "planin për të shkatërruar Izraelin, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara" dhe "për të shtypur popullin iranian" do të jetë një "një objektiv i qartë për eliminim".
Irani godet bazën ajrore amerikane në Katar
Katari është vënë të mërkurën në shënjestër të dy raketave balistike iraniane, ka bërë të ditur ministria e tij e Mbrojtjes.
Njëra prej këtyre raketave është kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, dhe tjetra ka goditur bazën ajrore amerikane në Al Udaid - baza më e madhe amerikane në rajon.
Nuk ka pasur viktima, thotë Katari.
Ndërkohë, SHBA-ja ka bërë të ditur se që nga fillimi i ofensivës ndaj Iranit, bashkë me Izraelin kanë goditur rreth 2,000 objektiva atje.