Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka goditur më shumë se 2,000 objektiva në Iran që nga nisja e fushatës së saj të përbashkët të bombardimeve me Izraelin, ndërsa, sipas saj, Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe më shumë se 2,000 dronë.
SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë të kryejnë sulme intensive kundër Iranit. Në një videodeklaratë, Admirali Brad Cooper, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, ka thënë se 24 orët e para të operacionit të tyre të përbashkët ishin pothuajse dyfishi i shkallës së sulmeve tronditëse dhe të frikshme që filluan Luftën e Irakut, të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe misionin që përfshin më shumë se 50,000 trupa, 200 avionë luftarakë, dy transportues aeroplanësh dhe bombardues, ai ka thënë se kjo përfaqëson "përforcimin më të madh nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme në një brez".
Ai ka thënë se forcat amerikane kanë shkatërruar 17 anije iraniane, duke fundosur të gjithë marinën iraniane. Tani, ka shtuar ai, fokusi është "në goditjen e të gjitha gjërave që mund të na qëllojnë".
SHBA-ja dhe Izraeli thonë se kanë shënjestruar mbrojtjen ajrore të Iranit dhe qindra raketa balistike, raketa lëshuese dhe dronë.
Në orët e fundit, Izraeli ka thënë po ashtu se po kryen "një valë të gjerë sulmesh" ndaj Iranit, ndërsa njëkohësisht po sulmon Hezbollahun në Liban. Gjithashtu ka shtuar se mbrojtja e saj ajrore ka kapur më shumë raketa të lëshuara nga Irani dhe Libani.
Spanja mohon se ka ndryshuar qëndrim karshi për sulmet e SHBA-së në Iran
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, thotë se pozicioni i qeverisë së tij për luftën në Lindjen e Mesme “nuk ka ndryshuar”. Komentet e tij erdhën pasi Shtëpia e Bardhë deklaroi se Spanja ka rënë dakord të bashkëpunojë me Ushtrinë amerikane.
Të martën presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi Spanjën me ndalim të tregtisë, pasi i ishte ndaluar SHBA-së t’i përdorte bazat spanjolle ushtarake për operacionin në Iran.
Zëdhënësja e Shtëpisë së bardhë, Karoline Leavitt, tha në konferencë për media të mërkurën se Spanja është pajtuar të bashjëpunojë me Ushtrinë amerikane.
Ajo tha se presidenti Trump pret që gjithë aleatët evropianë të bashkëpunojnë në operacionin.
Por, ministri spanjoll Albares në një prononcim për “Cadena SER” mohoi deklaratat e Leavittit.
“Pozicioni i qeverisë spanjolle për luftën në Lindjen e Mesme, bombardimin e Iranit dhe përdorimin e bazave tona nuk ka ndryshuar aspak. Pozicioni ynë ‘jo luftës’ mbetet i qartë dhe i prerë”, tha Albares.
Trump: Po të mos godisnim brenda dy javëve, Irani do të kishte armë bërthamore
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka arsyetuar sulmet në Iran me programin bërthamor të këtij vendi.
Trump, gjatë një tryeze në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se po të mos sulmohej Irani atëherë brenda pak javëve do të zotëronte armë bërthamore.
“Nëse nuk do të kishim goditur brenda dy javësh, ata do të kishin një armë bërthamore. Kur njerëz të çmendur zotërojnë armë bërthamore, atëherë ndodhin gjëra të këqija”, tha Trump, transmeton “BBC”.
Irani prej kohësh ka insistuar se programi i tij bërthamor është paqësor, por ka pasur dyshime të mëdha në këtë.
Izraeli e SHBA-ja nisën sulmet ndaj Iranit të shtunën, ku në valën e parë u vranë dhjetëra udhëheqës, përfshirë edhe liderin suprem Ayetollah Ali Khamenei.
Sulmet kanë vazhduar, ndërsa Irani është kundërpërgjigjur me sulme ndaj Izraelit e po ashtu ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme. Po ashtu janë sulmuar edhe vendet tjera në Lindjen e Mesme. Irani po ashtu ka mbyllur qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon një e pesta e naftës në botë.
Izraeli të mërkurën mbrëma ka njoftuar për fillimin e një vale të re të sulmeve nëpër kryeqendrën e Iranit, Teheran.
Momenti kur anija iraniane goditet nga nëndetësja amerikane
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka publikuar pamje të momentit kur nëndetësja amerikane goditi një anije luftarake iraniane pranë Sri Lankës.
Të paktën 80 persona janë vrarë në sulmin në Oqeanin Indian, sipas zëvendësministrit të jashtëm të Sri Lankës.
Ai ka thënë se anija po kthehej në Iran nga një port në Indinë lindore.
Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, e ka konfirmuar sulmin gjatë një konference për media të mërkurën.
"Ashtu si në atë luftë... ne po luftojmë për të fituar", tha ai.
This Iranian warship thought it was safe in international waters. It wasn't.
— The White House (@WhiteHouse) March 4, 2026
The @DeptofWar is fighting to win. 🇺🇸 pic.twitter.com/4bGMubuSQu
Të paktën 80 të vdekur nga sulmi amerikan ndaj anijes iraniane afër Sri Lankës
Të paktën 80 persona raportohen të vdekur pasi nëndetësja amerikane fundosi një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, ka bërë të ditur ky shtet.
Sulmin e ka konfirmuar të mërkurën edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth gjatë një konference për media.
Anija iraniane, e cila është fundosur si pasojë e sulmit, po kthehej në Iran nga një port në Indinë lindore, ka thënë Hegseth.
Më parë besohej se të paktën 140 persona ishin të zhdukur pas incidentit.
Irani dhe Hezbollahu kryejnë sulme të koordinuara ndaj Izraelit
Irani dhe grupi militant libanez Hezbollahu kanë kryer sulmet e tyre të para të koordinuara ndaj Izraelit në konfliktin e ri, ka bërë të ditur ushtria izraelite për CNN të mërkurën.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se një raketë është lëshuar nga Irani, ndërsa gjashtë predha, përfshirë dronë, janë lëshuar nga Hezbollahu në Liban.
Sulmi ka aktivizuar sirenat e alarmit në Jerusalem dhe në Tel Aviv pothuajse njëkohësisht.
Sulmi i përbashkët tregon një nivel koordinimi midis Iranit dhe përfaqësuesit të tij në Liban, edhe pasi SHBA-ja dhe Izraeli vranë udhëheqës të lartë të të dyve gjatë pesë ditëve të para të luftës.
Pak kohë më vonë, IDF-ja ka thënë se Irani dhe Hezbollahu kanë nisur një sulm të dytë të përbashkët.
Magen David Adom, shërbimi i reagimit emergjent të vendit, ka thënë se nuk kaa raportime të menjëhershme për lëndime.
Irani u përpoq të vriste Trumpin, thotë Hegseth
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, ka deklaruar të mërkurën se Irani është përpjekur ta vrasë presidentin amerikan, Donald Trump.
Gjatë një konference për media ku ka dhënë përditësime lidhur me luftën ndaj Iranit, Hegseth ka thënë se forcat amerikane kanë “ndjekur dhe vrarë” udhëheqësin e një njësie që u përpoq të vriste Trumpin.
"Gjithashtu dje, udhëheqësi i njësisë që u përpoq të vriste presidentin Trump është ndjekur dhe vrarë", ka deklaruar Hegseth.
"Irani u përpoq të vriste presidentin Trump. Dhe presidenti Trump qeshi i fundit”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka deklaruar se Amerika është duke fituar në luftën kundër Iranit, dhe se ky është vetëm fillimi.
Pentagoni: Amerika po fiton, ky është vetëm fillimi
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka deklaruar se Amerika po fiton në luftën kundërt Iranit.
"Amerika po fiton, në mënyrë vendimtare shkatërruese dhe pa mëshirë”, ka thënë Hegseth.
"Jemi vetëm katër ditë brenda", ka shtuar ai, por "siç ka thënë Trumpi" SHBA-ja "do të marrë gjithë kohën që i duhet" për t'u siguruar që operacioni të jetë një sukses”.
Hegseth ka vazhduar duke thënë se kjo është vetëm fillimi dhe se më shumë valë sulmesh ndaj Iranit priten në vazhdim.
Nëndetësja amerikane sulmon një anije iraniane afër Sri Lankës, rreth 140 të zhdukur
Ushtria amerikane ka kryer një sulm kundër një anijeje luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, kanë thënë tre zyrtarë amerikanë për agjencinë e lajmeve Reuters.
Sulmi, i cili thuhet se është kryer nga një nëndetëse, ka lënë 32 persona të plagosur teksa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar, kanë bërë të ditur zyrtarët e Sri Lankës.
Rreth 140 persona rezultojnë të zhdukur pasi anija e marinës iraniane u fundos pas sulmit.
Marina e Sri Lankës ka thënë se rreth 180 persona ishin në bord.
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth ka konfirmuar më pas në një konferencë për media se në Oqeanin Indian, SHBA-ja ka fundosur "një anije luftarake iraniane që mendonte se ishte e sigurt në ujërat ndërkombëtare".
Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar të mërkurën se ka goditur "selinë e sigurisë" në të gjithë Teheranin, teksa sulmet ajrore SHBA-Izrael vazhdojnë në Iran.
NYT: Inteligjenca iraniane dëshiron bisedime me CIA-n për fundin e luftimeve
Inteligjenca iraniane ka shprehur gatishmëri për bisedime me CIA-n për t'i dhënë fund luftimeve, shkruan të mërkurën gazeta New York Times, duke cituar zyrtarë të mirinformuar rreth kësaj çështjeje
Oferta është bërë përmes agjencisë së spiunazhit të një vendi të paidentifikuar, shkruan NYT, duke cituar zyrtarë të Lindjes së Mesme dhe zyrtarë nga një vend perëndimor që kanë folur në kushte anonimiteti.
Zyrtarët në Uashington janë skeptikë nëse Irani apo administrata Trump është vërtet gati për një zmbrapsje, të paktën në afat të shkurtër.
Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë të martën ka përjashtuar për momentin çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara, disa ditë pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj këtij vendi.
E presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se Teherani zyrtar donte të fliste, por se tani është tepër vonë.
Irani shënjestroi Turqinë, reagon NATO-ja
NATO-ja ka dënuar të mërkurën shënjestrimin e shtetit të saj anëtar, Turqisë, me raketa balistike nga Irani.
Përmes një reagimi, aleanca veriatlantike, ka thënë se qëndron fort me të gjithë aleatët e saj.
“Ne e dënojmë shënjestrimin e Turqisë nga Irani. NATO-ja qëndron fort me të gjithë aleatët, përfshirë Turqinë, ndërsa Irani vazhdon sulmet e tij pa dallim në të gjithë rajonin. Qëndrimi ynë i parandalimit dhe mbrojtjes mbetet i fortë në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore", ka thënë zëdhënësja Allison Hart.
Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar se një raketë balistike e cila kishte kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë, ishte drejtuar për në hapësirën ajrore të Turqisë, por që ajo është rrëzuar nga mbrojtja ajrore e NATO-s.
NATO-ja rrëzon një raketë balistike iraniane të lëshuar drejt Turqisë
Një raketë balistike e lëshuar nga Irani që shkonte drejt hapësirës ajrore turke është rrëzuar, ka bërë të ditur ministria turke e Mbrojtjes.
Mbrojtja ajrore e NATO-s në Mesdheun lindor ka rrëzuar raketën, e cila kaloi nëpër hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë.
Nuk është raportuar për viktima ose të lënduar.
"Ndërsa Turqia mbështet stabilitetin dhe paqen rajonale, ajo është plotësisht e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj, pavarësisht nga burimi ose origjina e çdo kërcënimi. Të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur territorin dhe hapësirën tonë ajrore do të merren me vendosmëri dhe pa hezitim. Ne përsërisim se e drejta jonë për t'iu përgjigjur çdo akti armiqësor të drejtuar kundër vendit tonë është e rezervuar”, thuhet në një deklaratë të ministrisë turke të Mbrojtjes.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin në rajon”, thuhet më tej në deklaratë.
Turqia do të flasë me NATO-n dhe aleatët e saj të tjerë pas incidentit, ka bërë të ditur më tej ministria.
Incidenti shënon përshkallëzimin e fundit në konfliktin në zgjerim. Përpara se të fillonin sulmet SHBA-Izrael, Turqia, një anëtare e NATO-s dhe fqinje e Iranit, për javë të tëra i kishte kërkuar Uashingtonit dhe Teheranit të arrinin një marrëveshje gjatë rundeve të tyre të negociatave mbi programin bërthamor dhe aftësitë raketore të Iranit, duke paralajmëruar se rajoni nuk mund të përballonte më destabilizim.
Lufta u zgjerua shpejt pas sulmeve të para ndaj Iranit të shtunën, pasi Teherani goditi shtetet e Gjirit që strehojnë bazat amerikane, dhe Izraelin që sulmoi objektivat e Hezbollahut të mbështetura nga Irani në Liban.
Shtyhet funerali shtetëror për Khamenein
Funerali shtetëror për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është shtyrë, sipas raportimeve në median shtetërore iraniane.
Funerali tre-ditor ishte planifikuar të fillonte më mërkurën më vonë, teksa imazhet në mediat sociale tregonin përgatitjet për të vënë gjithçka në vend.
Megjithatë, raportimet sugjerojnë se organizatorët kanë thënë se ceremonia do të shtyhet derisa të ketë infrastrukturë të nevojshme në vend.
Nuk është njoftuar ende një datë se kur do të zhvillohet ceremonia.
Irani gjuan me dron një nga rafineritë më të madhe të naftës në Arabinë Saudite
Është shënuar një tentativë për sulm me dron ndaj një rafinerie të madhe të madhe të naftës në Arabinë Saudite, ka bërë të ditur Ministria saudite e Mbrojtjes.
Sulmi synonte rafinerinë e naftës në Ras Tanura, që konsiderohet si më e madhja në Arabinë Saudite.
“Vlerësimet fillestare tregojnë se sulmi është kryer me dron dhe nuk ka shkaktuar asnjë dëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Rafineria ishte goditur edhe më parë nga një sulm iranian, siç tregon edhe imazhi satelitor i realizuar të hënën.
Edhe Kanadaja i del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk ka konsultuar aleatët për Iranin
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka deklaruar të mërkurën se konflikti në vazhdim në Lindjen e Mesme është një “dështim” i rendit ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin konsultuar aleatët përpara se të godisnin Iranin.
Forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme kundër Iranit të shtunën, pasi negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit ngecën.
Që atëherë, lufta është përhapur përtej kufijve të Iranit, me sulme iraniane që kanë goditur shtete të Gjirit, përfshirë Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, si dhe ambasadat amerikane në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, duke detyruar Uashingtonin të mbyllë misionet diplomatike në të gjithë rajonin.
“Konflikti aktual është një tjetër shembull i dështimit të rendit ndërkombëtar, pavarësisht dekadave të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, punës së Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në një seri sanksionesh dhe kornizash diplomatike”, ka thënë Carney gjatë një vizite në Australi, në një fjalim në institutin kërkimor Loëy Institute në Sidnei.
“Kërcënimi bërthamor i Iranit mbetet, dhe tani Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vepruar pa përfshirë OKB-në apo pa u konsultuar me aleatët, përfshirë Kanadanë”, ka shtuar ai.
Më herët, Carney bëri thirrje për qetësi në Lindjen e Mesme dhe tha se të gjitha vendet e përfshira në armiqësi, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare të angazhimit.
“Kanadaja bën thirrje për një ulje të shpejtë të përshkallëzimit të armiqësive dhe është e gatshme të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi”, u ka thënë Carney më tej gazetarëve.
Djali i Khameneit u mbijeton disa sulmeve amerikano-izraelite
Djali i liderit të ndjerë suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, raportohet se u ka mbijetuar disa sulmeve ndaj Iranit, kanë thënë dy burime iraniane për agjencinë e lajmeve Reuters.
Mojtaba Khamenei është fëmija i dytë më i madh i Ali Khamenei, i cili është vrarë në një sulm izraelit të shtunën, dhe shihet si një udhëheqës suprem i mundshëm i ardhshëm i Iranit.
Media shtetërore iraniane ka raportuar se një ceremoni funerali për Ali Khamenei do të nisë të mërkurën dhe pritet të zgjasë tri ditë.
Spanja i thotë “jo luftës”, bën thirrje të mos përsëritet gabimi me Irakun
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u është është përgjigjur kërcënimeve të bëra nga presidenti amerikan, Donald, për të ndërprerë tregtinë midis dy vendeve për shkak të kundërshtimit të Madridit ndaj bombardimit të Iranit.
Në një fjalim televiziv të mërkurën në mëngjes, Sanchez ka thënë se qëndrimi i qeverisë mund të përmblidhet me fjalët "jo luftës".
Ai ka bërë thirrje që "gabimet e së kaluarës" të mos përsëriten, duke iu referuar pushtimit të Irakut në vitin 2003, i cili sipas tij nuk i kishte arritur qëllimet e tij, duke krijuar pasiguri dhe duke e bërë jetën më të keqe për shumë njerëz.
Sanchez ka thënë po ashtu se sulmet ndaj Iranit mund të kenë një ndikim të ngjashëm ekonomik për miliona njerëz të zakonshëm, dhe qeveria po shqyrton masa për t'iu kundërvënë kësaj.
Trumpi është zotuar të martën të "ndërpresë të gjitha lidhjet" me Spanjën dhe e ka përshkruar vendin si "të tmerrshëm" pasi Sanchez refuzoi të lejonte SHBA-në të përdorte bazat e saj ushtarake për të sulmuar Iranin.
Madridi i kishte etiketuar sulmet si një "ndërhyrje ushtarake të pajustifikuar dhe të rrezikshme".
Mirëpo, Trumpi ka deklaruar se do t’i përdorte bazat spanjolle edhe pa e pyetur Spanjën, nëse do të paraqitej nevoja.
Krejt çka dihet në ditën e pestë të sulmeve ndaj Iranit
Konflikti i ri në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet disa ditë pasi Izraeli dhe SHBA-ja nisën operacionin e tyre të përbashkët kundër Iranit, duke shkaktuar sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe shteteve fqinje të Gjirit dhe duke e zhytur rajonin në frikë dhe pasiguri.
Udhëheqësit amerikanë dhe izraelitë kanë bërë deklarata të sigurta se ushtria iraniane është goditur rëndë dhe është në pozicion mbrojtës, me pothuajse 2,000 objektiva të goditur. Por raketat dhe dronët iranianë vazhdojnë të vijnë, duke shënjestruar objektiva amerikane në të gjithë rajonin.
Në SHBA, ligjvënësit mbeten të përçarë, teksa një votim në Senat mbi kompetencat e luftës së presidentit Donald Trump është planifikuar për të mërkurën.
Lufta ka ndërprerë udhëtimet globale, ka lënë të bllokuar shtetas të huaj dhe familje, si dhe ka rritur çmimet globale të mallrave. Ndërkohë, numri i viktimave dhe të plagosurve civilë në Iran dhe Liban po rritet.
Goditje të reja: Sulme të tjera SHBA-Izrael shënjestruan një grup tjetër drejtuesish iranianë, ka thënë të martën presidenti amerikan Donald Trump. Ai e vlerësoi operacionin, duke pretenduar se instalimet ushtarake të Iranit ishin “neutralizuar” në thelb, nga marina deri te forcat ajrore dhe më shumë. Deri tani, më shumë se 1,700 objektiva janë goditur në operacionin e përbashkët, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).
Rritet numri i viktimave: Më shumë se 1,000 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në Iran që nga e shtuna, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA. Grupi ka thënë se raporti është paraprak dhe numri mund të rritet.
Udhëheqës i ri suprem: Një grup zyrtarësh të lartë iranianë po zhvillojnë takime virtuale për të zgjedhur një udhëheqës të ri suprem pasi goditjet fillestare SHBA-Izrael vranë Ajatollah Ali Khamenein, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare iraniane Fars Neës. Djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, është mes një grupi të vogël klerikësh që përmenden si pasardhës të mundshëm. Por mbetet e paqartë se ku ndodhen ata, apo edhe nëse janë gjallë.
Kamerat e trafikut: The Financial Times ka zbuluar detaje të reja mbi operacionin – përfshirë faktin se Izraeli kishte hakuar kamerat e sigurisë në rrugët e Teheranit, duke i përdorur për vite me radhë për të ndërtuar një sistem kompleks mbikëqyrjeje.
Sulme ndaj Libanit: Izraeli po godet gjithashtu Libanin, duke shënjestruar grupin militant Hezbollah të mbështetur nga Irani dhe duke lëshuar urdhra evakuimi për dhjetëra fshatra.
Irani kundërpërgjigjet: Shtetet arabe në Gjirin Persik po përballen me peshën kryesore të hakmarrjes së ashpër të Teheranit. Vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë kapur qindra raketa dhe dronë ditët e fundit, duke ngritur pikëpyetje se sa gjatë mund të përballojnë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore dhe sa armë të tjera kanë mbetur në arsenalin e dobësuar të Iranit. Për dekada, këto vende janë përgatitur për një sulm të tillë të mundshëm, duke u pajisur me armë amerikane dhe duke pritur trupa amerikane, edhe pse vetëm disa javë më parë i kishin kërkuar administratës Trump të mos sulmonte Iranin.
Objektiva amerikane të goditura: SHBA-ja ka mbyllur ambasadat në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Liban, pasi disa prej tyre u goditën nga sulme iraniane. Një stacion i CIA-s në Arabinë Saudite dhe një bazë ushtarake amerikane në Katar, që është më e madhja në Lindjen e Mesme, janë goditur gjithashtu. Personeli jo emergjent i qeverisë amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme është urdhëruar të largohet.
Udhëtarë të bllokuar: Ndërprerjet e udhëtimit kanë shkaktuar kaos mes mijëra turistëve dhe emigrantëve, të cilët kanë pak mundësi për t’u larguar. Pjesa më e madhe e hapësirës ajrore të rajonit mbetet e mbyllur, me mijëra fluturime të anuluara. Trumpi ka thënë të martën se nuk kishte pasur plan evakuimi për amerikanët në Lindjen e Mesme para nisjes së sulmeve, por se administrata e tij po punon për të siguruar fluturime për të ndihmuar ata që janë bllokuar. Edhe vendet evropiane po përpiqen të evakuojnë shtetasit e tyre.
Humbje për forcat amerikane: Gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë nga sulmet iraniane që nga e shtuna, një numër për të cilin Trumpi ka paralajmëruar se ka të ngjarë të rritet.
Votimi në Senat: Senati do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë që kërkon që Trumpi të marrë miratimin e Kongresit për të vazhduar fushatën ushtarake. Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për një masë të ngjashme të enjten.
Tregtia e naftës e tronditur: Çmimet e naftës dhe gazit natyror po rriten, ndërsa tregjet e aksioneve po bien. Lindja e Mesme është një prodhues i madh i naftës dhe gazit natyror, por eksportet e saj energjetike tani janë ndërprerë në masë të madhe nga pjesa tjetër e botës për shkak të mbylljes efektive të Ngushticës së Hormuzit.
Pretendimet e SHBA-së dhe Izraelit: Zyrtarë nga të dy vendet kanë dhënë deklarata të ndryshme ditët e fundit mbi arsyen e sulmit, përfshirë nevojën për të parandaluar zhvillimin e një arme bërthamore nga Irani dhe pretendimin se po i përgjigjeshin sulmeve të mundshme parandaluese nga Irani.
Verifikimi i fakteve: Mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara ka kundërshtuar këto pretendime – duke i thënë CNN-it se Irani nuk ishte afër posedimit të armëve atomike. Vetë Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se programi bërthamor i Teheranit ishte “shkatërruar plotësisht” nga sulmet amerikane ndaj Iranit verën e kaluar. Ndërkohë, inteligjenca amerikane sugjeron se Iranit do t’i duhej deri në vitin 2035 për të zhvilluar një raketë balistike ndërkontinentale, nëse do të zgjidhte ta ndiqte një të tillë.
Trumpi i trajtonte negociatat si transaksion pasurie të paluajtshme, thotë kryediplomati iranian
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump, për "bombardim të tryezës së negociatave nga inati", në një postim të ri në mediat sociale.
"Kur negociatat komplekse bërthamore trajtohen si një transaksion pasurie të paluajtshme dhe kur gënjeshtrat e mëdha errësojnë realitetet, pritjet jorealiste nuk mund të përmbushen kurrë", ka thënë ai.
"Rezultati? Bombardim i tryezës së negociatave nga inati".
Ai ka shtuar se Trumpi "tradhtoi diplomacinë dhe amerikanët që e zgjodhën atë".
SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur sulme të përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë po atë ditë liderin suprem të tij, Ayatollah Ali Khamenei.
Sulmet kanë ndodhur dy ditë pas rundit të tretë të bisedimeve bërthamore që u mbajtën në Gjenevë, e që nuk rezultuan me ndonjë marrëveshje.
Më shumë se 1,000 civilë të vrarë në Iran
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA thotë se 1,097 civilë janë raportuar të vrarë në Iran që nga 28 shkurti.
Nga këta, 181 janë fëmijë nën moshën 10 vjeç, thotë agjencia. Numri i civilëve të plagosur ka arritur në 5,402, përfshirë 100 fëmijë, shton HRANA.
Ajo thotë se ka pasur të paktën 104 sulme vetëm në 24 orët e fundit. Ato kanë goditur baza ushtarake, qendra mjekësore dhe zona banimi, sipas HRANA.
Qindra vdekje të tjera të raportuara po shqyrtohen.
SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur mëngjesin e së shtunës sulme të përbashkëta ndaj Iranit, pasi nuk u arrit ndonjë marrëveshjeje në rundin e tretë të bisedimeve indirekte mes tyre, lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike.
CIA synon armatosjen e forcave kurde për të nxitur kryengritje në Iran
Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, po punon për të armatosur forcat kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje popullore në Iran, kanë thënë për CNN disa persona të njohur me planin.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka qenë në diskutime aktive me grupe opozitare iraniane dhe me liderë kurdë në Irak për t’u ofruar atyre mbështetje ushtarake.
Grupet e armatosura kurde iraniane kanë mijëra luftëtarë që veprojnë përgjatë kufirit Irak–Iran, kryesisht në rajonin e Kurdistanit të Irakut. Disa prej këtyre grupeve kanë publikuar deklarata që nga fillimi i luftës, duke u bërë thirrje forcave ushtarake iraniane të dezertojnë.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka ndërmarrë sulme ndaj grupeve kurde dhe ka njoftuar të martën se ka goditur forcat kurde me dhjetëra dronë.
Po të martën, presidenti Trump ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Partisë Demokratike të Kurdistanit të Iranit (KDPI), Mustafa Hijri. KDPI ishte një nga grupet e shënjestruara nga IRGC-ja.
Forcat opozitare kurde iraniane pritet të marrin pjesë në një operacion tokësor në Iranin perëndimor në ditët në vijim, ka thënë zyrtari i lartë kurd për CNN.
“Besojmë se tani kemi një mundësi të madhe”, ka thënë burimi, duke shpjeguar kohën e operacionit. Ai ka shtuar se milicitë presin mbështetje nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Trumpi gjithashtu ka telefonuar liderët kurdë të Irakut të dielën për të diskutuar operacionin ushtarak amerikan në Iran dhe mënyrat e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe kurdëve gjatë zhvillimit të misionit.
Çdo përpjekje për të armatosur grupet kurde iraniane do të kërkonte mbështetjen e kurdëve të Irakut, për të lejuar kalimin e armëve dhe përdorimin e Kurdistanit të Irakut si bazë nisjeje.
Një person i njohur me diskutimet ka thënë se ideja është që forcat e armatosura kurde të përballen me forcat iraniane të sigurisë dhe t’i mbajnë të angazhuara, në mënyrë që iranianët e paarmatosur në qytetet e mëdha të mund të dalin në protesta pa u masakruar, siç ndodhi gjatë trazirave në janar.
Një tjetër zyrtar amerikan ka thënë se kurdët mund të ndihmojnë në krijimin e kaosit në rajon dhe në shpërndarjen e burimeve ushtarake të regjimit iranian. Ide të tjera kanë përfshirë mundësinë që kurdët të marrin dhe të mbajnë territor në veri të Iranit, duke krijuar një zonë tampon për Izraelin.
Irani përgatitet për varrosjen e Khameneit, Izraeli kërcënon me vrasjen e pasardhësit të tij
Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar të mërkurën se do të mbahet në Teheran një ceremoni mortore për udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Khamenei është vrarë kur filluan sulmet SHBA-Izrael të shtunën. Ceremonia pritet të fillojë sot, dhe do të zgjasë tri ditë para varrosjes, sipas mediave shtetërore.
New York Times raporton, duke cituar zyrtarë iranianë, se djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, ka dalë si kandidati kryesor për t'u bërë udhëheqësi i ri suprem, teksa vendimi mund të merret që në mëngjesin e së mërkurës.
E ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se çdo pasardhës që vazhdon "planin për të shkatërruar Izraelin, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara" dhe "për të shtypur popullin iranian" do të jetë një "një objektiv i qartë për eliminim".
Irani godet bazën ajrore amerikane në Katar
Katari është vënë të mërkurën në shënjestër të dy raketave balistike iraniane, ka bërë të ditur ministria e tij e Mbrojtjes.
Njëra prej këtyre raketave është kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, dhe tjetra ka goditur bazën ajrore amerikane në Al Udaid - baza më e madhe amerikane në rajon.
Nuk ka pasur viktima, thotë Katari.
Ndërkohë, SHBA-ja ka bërë të ditur se që nga fillimi i ofensivës ndaj Iranit, bashkë me Izraelin kanë goditur rreth 2,000 objektiva atje.