Botë

Sulmet izraelite vrasin të paktën 21 palestinezë në Rripin e Gazës

gaza

Të paktën 21 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës gjatë orëve të vona të së martës e deri në orët e hershme të së mërkurës, ka raportuar The Associated Press.

Më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të enklavës.

Sulmet izraelite goditën një shtëpi të martën në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, bazuar në raportin e Spitalit Shifa, i cili i kishte pranuar trupat e viktimave.

Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë fëmijë dhe dy gra, bazuar në listën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona. Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra, prej tyre njëra ishte shtatzënë. Ndërkaq, tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, ka njoftuar Spitali Shifa.

Nëpërmjet një deklarate të lëshuar të mërkurën, në Ushtrinë izraelite kanë bërë të ditur se forcat e saj po veprojnë në qytetin e Gazës, si dhe në veri të Rripit të Gazës.

Pa dhënë detaje të mëtejshme, Ushtria ka deklaruar se në Jabaliya – zonë e cila ka pësuar goditje të rënda në disa runde luftimesh – një sulm ajror ka vrarë “disa” militantë të Hamasit.

Sipas ushtrisë, forcat e saj kanë goditur rreth 120 objektiva në të gjithë Gazën gjatë 24- orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.