Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Suedia po “dorëzohet” para kërkesave të Turqisë

Ministri i ri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë se qeveria e vendit do të distancohet nga organizatat kurde, gjë që duhet të përfaqësojë një hap shtesë drejt inkurajimit të Turqisë që përfundimisht të ratifikojë hyrjen e vendit në NATO.

Edhe gjatë samitit të NATO-s në Madrid dhe nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe ndërmjet Finlandës, Suedisë dhe Turqisë, Helsinki dhe Stokholmi morën përsipër të përmbushin kërkesat e Turqisë në lidhje me ekstradimin e disa personave të dyshuar për terrorizëm në Turqi dhe ndërprerjen e marrëdhënieve me organizatat kurde.

Me këtë rast, shefi i diplomacisë suedeze bëri të ditur se Suedia do të distancohet nga puna e organizatës ushtarake kurde YPG dhe dega e tyre politike PYD.

"Këto organizata kanë një lidhje shumë të ngushtë me lëvizjen PKK, e cila përkufizohet si organizatë terroriste në BE. Mendoj se është e rëndësishme t'u bëjmë të ditur të gjithëve se nuk do të kemi kontakte të dyshimta me ta. Nuk duhet të ketë spekulime për këtë çështje”, ka thënë kreu i diplomacisë suedeze.

Edhe kryeministri suedez tha se është dakord me deklaratën e ministrit të Jashtëm suedez.

"PKK është një organizatë terroriste dhe ne jemi të vetëdijshëm se paratë mblidhen për ta në territorin e Suedisë. Ne i kuptojmë plotësisht shqetësimet e Turqisë", shtoi kryeministri Ulf Kristersson.

Me rastin e deklaratave të zyrtarëve të rinj suedezë, u shpreh edhe Ambasada e Turqisë në Suedi, e cila përshëndeti njoftimin për distancim nga organizatat kurde.

Artikuj të ngjashëm