Botë

Kurdët e Suedisë i druhen marrëveshjes me Turqinë për anëtarësim në NATO

Turqia gjatë e kishte bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke e akuzuar shtetin skandinav se po i strehon “terroristët” kurdë. Veton më në fund e hoqi muajin e kaluar, me arsyetimin se Suedia ka plotësuar kërkesat e Turqisë. Por, kjo marrëveshje po e shqetëson një komunitet në Suedi

Kur Recep Tayyip Erdogani më në fund pranoi aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO në fund të muajit të kaluar, pati lehtësim nga Stokholmi deri në Washington DC. Vendimi i presidentit turk për ta pranuar kandidaturën e Suedisë – 20 muaj pasi kishte kërkuar të anëtarësohej – shënoi mbylljen e një kapitulli të ngarkuar diplomatik dhe tani ka lënë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, figurën e vetme që qëndron mes Suedisë dhe NATO-s, ka raportuar “The Guardian”.

Por, përderisa liderët politikë flasin për përparim, gjendja shpirtërore në një komunitet në Suedi nuk është aq e mirë. Popullata kurde thotë se suksesi diplomatik i Stokholmit u ka bërë dëm dhe se ndihen sistematikisht të shënjestruar nga shteti suedez.

“Nuk kam kaluar kurrë periudhë më të vështirë sa tani në Suedi”, ka thënë Kurdo Baksi, 58-vjeçar, autor suedezo-kurd, i cili si fëmijë kishte migruar në Suedi nga Turqia.

Afro 100 mijë kurdë, përfshirë njerëz nga Turqia, Siria, Iraku dhe Irani, jetojnë në Suedi. Qëkur Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO, Baksi beson se komuniteti kurd është goditur rëndë nga përpjekjet e qeverisë suedeze për t’i plotësuar kërkesat e Erdoganit.

“Kurdët kanë vuajtur këtu (në Suedi). Edhe unë kam vuajtur. Shumë njerëz kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë Baksi.

Erdogani ka akuzuar më parë Suedinë, historikisht neutrale, se u ka bërë strehë anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), pavarësisht se Suedia është bërë vendi i parë pas Turqisë që ka etiketuar PKK-në si grup terrorist, përcaktim i miratuar më vonë nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

“Mobilizimi politik i kurdëve në Suedi në vitet e fundit ka qenë i lartë, gjë që ka bërë që shoqatat e lidhura me PKK-në të bëhen më të spikatura,” ka thënë Paul Levini, drejtor i Institutit të Universitetit të Stokholmit për Studimet Turke. "Ndërsa PKK-ja është klasifikuar si organizatë terroriste që nga vitet ‘80 në Suedi, autoritetet kanë qenë më tolerantë ndaj saj sesa vendet e tjera evropiane”.

Në një përpjekje për ta bindur Erdoganin, thonë disa, autoritetet suedeze po rrisin mbikëqyrjen e kurdëve që jetojnë në Suedi, duke i nënshtruar azilkërkuesit me hetime nga “Säpo-ja”, policia e sigurisë dhe duke mbyllur llogaritë bankare të organizatave bamirëse kurde.

Gjithashtu ka raportime se janë duke u revokuar lejet e qëndrimit të dhjetëra personave të pafajshëm.

Javën e kaluar, disa ditë pasi Turqia miratoi aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, transmetuesi publik Sveriges Radio ka njoftuar se do ta mbyllë redaksinë kurde – së bashku me shërbimet ruse dhe ato tigrinje – më 1 prill.

Transmetuesi ka thënë se këto po bëhen për t’i ulur kostot dhe se "nuk ka fare lidhje me aplikimin e Suedisë në NATO". Shumë kurdë-suedezë janë të bindur se kjo është pjesë e një operacioni më të gjerë për ta kufizuar komunitetin në mënyrë që ta zbusë Turqinë.

Si figurë me ndikim, Baksi është kontaktuar nga 42 kurdë në Suedi, duke thënë se u janë paraqitur raporte sigurie nga “Säpo” në zyrën e migracionit për t’u ndaluar lejet e tyre të qëndrimit. Baksi beson se numri i rasteve të tilla shkon në qindra.

“Këta persona nuk dyshohen për krime, por ‘Säpo-ja’ pretendon se personat në fjalë janë të martuar me persona me nënshtetësi suedeze të përfshirë ‘në aktivitete të mundshme terroriste’. Teoria e ‘Säpo-s’ është se nëse jetoni me një person të tillë, po mbështesni një terrorist”, ka thënë Baksi.

Atmosfera ia kujtoi atij kohën e pasvrasjes së ish-kryeministrit suedez Olof Palme në vitin 1986, kur PKK-ja u fajësua gabimisht. Prokurori mbylli hetimin në vitin 2020, sepse i dyshuari kishte vdekur.

C.K., një student i diplomuar 35-vjeçar që nuk donte t’i publikohej emri, kërkoi azil në Suedi pasi u burgos për nëntë muaj në Turqi. Ishte akuzuar për lidhje me PKK-në, akuzë që e mohon kategorikisht. Prej afro pesë vjetësh ai ka pritur që t’i shqyrtohet kërkesa. Ai beson se hetimet “Säpo-s” ndaj aplikantëve kurdë janë përhapur më shumë që nga aplikimi i Suedisë në NATO.

"Ata po mbyllin hap pas hapi institucionet e diasporës kurde në Suedi. Kjo është 100% e lidhur me … diskutimet turke me Suedinë”, ka thënë 35-vjeçari, duke e përmendur edhe mbylljen e Gjysmëhënës së Kuqe Kurde në Suedi në dhjetor. U tha se po mbyllej pasi iu mbyll llogaria bankare.

Amineh Kakabavehi, ish-deputete suedeze me origjinë kurdo-iraniane, e cila më parë ishte në mbrojtje nga policia për shkak të kërcënimeve për jetën, është po aq e shqetësuar nga strategjia e Stokholmit.

“Suedia, si vendi më demokratik në botë, po anon kah njëra prej shteteve më diktatoriale në botë”, ka thënë Kakabavehi, e cila në vitin 2022 ishte etiketuar nga ambasadori i Ankarasë në Suedi, si person që do ta ekstradonte në Turqi.

“Shumë kurdë-suedezë kanë frikë të flasin hapur për aktualitetin. Në Suedi gjithmonë flitet për vlerat, të drejtat e njeriut, sigurinë e njerëzve që janë emigrantë apo azilkërkues, por tani ata nuk janë më të sigurt,” ka thënë Kakabayehi.

Në një restorant kurd në Hammarby Sjöstad në Stokholm, pronari Cihanê Ruzer, 60-vjeçar, ka thënë se ndihej i sigurt në Suedi ku migroi nga Turqia në 1996, porse tashmë kishte pësuar ndryshime që nga aplikimi për t'iu bashkuar NATO-s.

“Erdha në Suedi sepse e dija që Suedia ishte vend që mbron të drejtat e njeriut,” ka thënë ai. “Mjerisht edhe Suedia ka kaluar në një vend që ka agjendë politike”.

E nga “Säpo” thanë se “shërbimi i sigurisë po punon vazhdimisht për të parandaluar kërcënimet kundër sigurisë së Suedisë. Ky rast ishte edhe para aplikimit të Suedisë në NATO dhe është ende”.

“Si shërbim i sigurisë nuk synojmë pakica specifike, grupe etnike apo të tjera. Puna e shërbimit të sigurisë ka si synim individët të cilët janë ose mund të përbëjnë kërcënim kundër sigurisë së Suedisë. Brenda fushëveprimit të punës së shërbimit, kemi gjithashtu si synim aktivitete të organizatave të etiketuara si grupe terroriste nga organet ndërkombëtare si BE ose OKB. Një nga këto organizata është PKK-ja”, ka shtuar ai.

Agjencia suedeze e migracionit ka thënë se “po shqyrton rastet sipas legjislacionit ekzistues – për shembull kërkesat për azil, aplikimet për shtetësi etj. Kjo nuk ka të bëjë fare me procesin politik”.