Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Studiuesit zgjidhin misterin e murtajës

Studiuesit besojnë se kanë zgjidhur misterin gati 700-vjeçar të origjinës së Vdekjes së Zezë, pandemisë më vdekjeprurëse në histori, e cila përfshiu Evropën, Azinë dhe Afrikën veriore në mesin e shekullit XIV, shkroi të mërkurën “The Guardian”.

Dhjetëra miliona njerëz vdiqën kur murtaja bubonike shpërtheu në të gjithë kontinentet, duke u përhapur përgjatë rrugëve tregtare. Pavarësisht përpjekjeve intensive për të zbuluar burimin e shpërthimit, mungesa e provave të forta ka lënë pa përgjigje.

"Ne e kemi gjetur origjinën në kohë dhe hapësirë, gjë që është vërtet e jashtëzakonshme", tha profesori Johannes Krause në Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig. "Ne gjetëm jo vetëm paraardhësin e Vdekjes së Zezë, por paraardhësin e shumicës së llojeve të murtajës që qarkullojnë sot në botë".

Ekipi ndërkombëtar u bë bashkë për të punuar për këtë çështje kur historiani Philip Slavin zbuloi dëshmi të vdekjeve të papritura më 1330 në dy varreza në Kirgistan.

Në mesin e 467 varreve mes viteve 1248 dhe 1354, Slavin zbuloi se kishte ndodhur rritje e papritur e vdekjeve. Mbishkrimet në disa prej varreve përmendnin shkakun e vdekjes si “mawtana”, gjuha e lashtë siriane që përkthehet si “murtajë”.

Analizat që iu bënë mbetjeve treguan se ata kishin vdekur nga bakteri Yersinia pestis që shkakton murtajën.

Analiza e gjenomit të bakterit zbuloi se ishte një paraardhës i llojit të bakterit që shkaktoi Vdekjen e Zezë në Evropë tetë vjet më vonë, që si rezultat, shkaktoi vdekjen e mbi gjysmës së popullsisë së kontinentit.

 

Artikuj të ngjashëm