Botë

Studimi: Programet emergjente të vaksinimit ulën vdekjet me 60%

vaksina

Programet emergjente të vaksinimit – të zbatuara si reagim ndaj shpërthimeve të pesë sëmundjeve kryesore infektive – besohet se kanë ulur vdekshmërinë me rreth 60% gjatë një periudhe prej 23 vjetësh, sipas një studimi të ri, shkruan BBC.

Një numër i ngjashëm infeksionesh gjithashtu mendohet se janë parandaluar.

Studiuesit besojnë se vaksinimet kanë ndaluar përhapje shumë më të mëdha të sëmundjeve si Ebola, kolera dhe ethet e verdha.

Studimi gjithashtu thekson përfitimet e mëdha ekonomike të këtyre programeve vaksinimi, që llogariten në miliarda dollarë.

Sipas studiuesve, ky është studimi i parë gjithëpërfshirës që vlerëson ndikimin e vaksinimeve emergjente të përdorura si reagim ndaj shpërthimeve të pesë sëmundjeve infektive: Ebola, fruthi, kolera, ethet e verdha dhe meningjiti.

Ata analizuan 210 raste të ndryshme nga viti 2000 deri më 2023, duke mbuluar 49 shtete të ndryshme.

Vaksinimi i shpejtë duket gjithashtu se ka ndihmuar në ndalimin e përhapjeve më të mëdha.

Përfitimet ekonomike vlerësohen në 32 miliardë dollarë, kryesisht falë evitimit të vdekjeve dhe humbjes së viteve të jetës për shkak të paaftësive.