Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “nuk ka indikacione” se shpërthimi i raketës në Poloni ishte rezultat i një “sulmi të qëllimshëm”.
“Nuk ka indikacione se Rusia po bën gati një ofensivë ushtarake kundër NATO-s”, ka thënë Stoltenberg, raporton BBC.
Ai ka thënë se hetimet po vazhdojnë dhe se duhet pritur rezultatet
Stoltenberg ka folur pas takimit urgjent të NATO-s.
Stoltenberg ka thënë se incidenti në Poloni, ku vdiqën dy qytetarë, “me gjasë” është shkaktuar nga një aktivitet i sistemit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Ngjashëm kishte deklaruar edhe presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.
Edhe
Stoltenberg: Kina duhet të përballet me pasoja për përkrahje të Rusisë
Mirëpo, Stoltenberg, ka thënë se përgjegjësia është e Rusisë “pasi vazhdon luftën ilegale kundër Ukrainës”.
Stoltenberg ka thënë se aleatët e NATO-s i kanë dhënë përkrahje të madhe Polonisë dhe kanë shprehur ngushëllimet e thella për rastin që ndodhi të martën mbrëma.
Ai ka thënë se NATO ka rritur dukshëm prezencën ushtarake që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt.
“Ne vazhdimisht e vlerësojmë se çfarë tjetër mund të bëjmë”, ka thënë Stoltenberg.
Sa i përket reagimit të NATO-s për incidentin në Poloni, ai ka thënë se ka qenë i mirë dhe i koordinuar. Ka qenë reagim i qetë për të “evituar përshkallëzime të panevojshme”.
Sekretari i NATO-s po ashtu ka thirrur për vëmendje për një valë të sulmeve ruse kundër Ukrainës të martën, si pasojë e të cilës janë vrarë civilë dhe është shkatërruar dëmtime të infrastrukturës.
Ai thotë se është e mirëseardhur që aleatët po ofrojnë sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
Ai ka thënë se ky është prioritet i NATO-s.
Edhe
Përdorimi i armëve të NATO-s nga Ukraina për ta sulmuar Rusinë s’është përshkallëzim, thotë Stoltenbergu
Stoltenberg po ashtu beson se Kina duhet ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës, ndërsa ai ka shtuar se lufta në fund do të mbyllet në tavolinë të negociatave.
“Besoj se Kina qartë duhet të dënojë pushtimin e Ukrainës. Unë besoj se në një fazë kjo luftë do të mbarojë në tavolinë të negociatave”, ka thënë Stoltenberg.