Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stoltenberg: Putini duhet ta kuptojë që s’mund ta fitojë luftën në Ukrainë

Jens Stoltenberg sekretar i pergjithshem i NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se derisa presidenti rus, Vladimir Putin nuk tregon asnjë shenjë se dëshiron paqe, duhet ta kuptojë se nuk mund ta fitojë luftën e tij në Ukrainë, raportoi CNN-i.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin polak, Andrzej Duda, në Bruksel të mërkurën, Stoltenbergu ka thënë se NATO-ja po ndërmerr hapa të mëtejshëm për të forcuar mbrojtjen e aleancës.

"Pothuajse një vit që nga pushtimi i tij brutal, Presidenti Putin nuk tregon asnjë shenjë se po përgatitet për paqe. Përkundrazi, ai po fillon ofensiva të reja dhe po synon civilët, qytetet dhe infrastrukturën kritike. Putini duhet të kuptojë se nuk mund të fitojë dhe për këtë ne duhet të vazhdojmë t'i ofrojmë Ukrainës shpejt armët dhe municionet që i nevojiten për të rimarrë territorin dhe për të mbizotëruar si një komb sovran në Evropë”, ka thënë ai.

Stoltenbergu ka njoftuar se po përforcohet prania e NATO-s dhe gatishmëria e saj nga Deti i Zi në Detin Baltik, duke përfshirë Poloninë.

“Aeroplanët luftarakë nga SHBA-ja dhe Holanda ndihmojnë në mbrojtjen e qiellit, bateritë Patriot nga Gjermania rrisin mbrojtjen ajrore dhe mijëra trupa nga të gjithë aleatët e NATO-s janë në Poloni për të ndihmuar në parandalimin e agresionit. Së bashku, ne dërgojmë një mesazh të qartë, kështu që nuk mund të ketë vend për llogaritje të gabuara në Moskë. NATO-ja do të mbrojë çdo pëllëmbë të Polonisë dhe të gjithë territorin aleat”, është shprehur Stoltenbergu.

Edhe Stoltenbergu për luftën në Ukrainë: Duhet të përgatitemi për një konflikt më të gjatë Botë Stoltenbergu për luftën në Ukrainë: Duhet të përgatitemi për një konflikt më të gjatë

Ai shtoi se gjatë takimit të tij me Dudën, kanë diskutuar për rolin e Bjellorusisë në luftën e Putinit në Ukrainë.

"Bjellorusia vazhdon të presë dhe mbështesë forcat ruse dhe po thellon integrimin e saj politik dhe ushtarak me Rusinë. I bëjmë thirrje Bjellorusisë që t'i japë fund bashkëpunimit të saj në luftë", ka thënë ai.