Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stoltenberg i kërkon Turqisë ta heqë bllokimin ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin e tij se Suedia dhe Finlanda kanë bërë mjaft për plotësimin e kërkesave të Ankarasë në lidhje me luftimin e ekstremizmit.

Ai zhvilloi një vizitë të enjten në Turqi, në përpjekje për të çuar përpara procesin e ratifikimit që të dy vendet t’i bashkohen aleancës ushtarake.

Të alarmuar nga pushtimi rus i Ukrainës një vit më parë, dy vendet nordike aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n.

Të 30 anëtarët e NATO-s duhet të miratojnë aplikimet e tyre dhe 28 kanë ratifikuar pranimin e të dy vendeve. Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë bërë këtë.

Turqia akuzon qeverinë në Stokholm se është shumë e butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si organizata terroriste ose kërcënime ekzistenciale, duke përfshirë grupet kurde. Në fillim të këtij muaji, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu tha se Ankaraja ka më pak probleme me anëtarësimin e Finlandës.

Më parë, shefi i NATO-s dhe shumica e vendeve anëtare këmbëngulën që dyshja nordike duhet të bashkohej në të njëjtën kohë.