Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NATO: Shqetësimet e Turqisë për sigurinë, legjitime

Foto: Reuters

Shqetësimet e ngritura nga Turqia lidhur me sigurinë, për çka ka kundërshtuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO janë legjitime, ka thënë të dielën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raportoi Reuters të dielën.

"Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportet e armëve", ka thënë Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, derisa e vizitoi atë në Finlandë.

Stoltenberg ka thënë se Turqia është një aleat kyç për aleancën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Detin e Zi midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa përmendi edhe mbështetjen që Ankaraja zyrtare i ka dhënë Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt.

“Duhet të kujtojmë dhe të kuptojmë se asnjë aleat i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia”, tha Stoltenberg, duke përdorur shqiptimin turk të emrit të vendit, siç preferohet nga Turqia dhe presidenti i saj Tajip Erdogan.

Stoltenberg dhe Niinisto thanë se bisedimet me Turqinë do të vazhdojnë, por nuk kanë dhënë asnjë shenjë për përparim në negociata.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n muajin e kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por, këto dy vende janë përballur me kundërshtimin e Turqisë, e cila i ka akuzuar për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.