Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pranuar ta mbështesë Suedinë për t'u bashkuar me NATO-n, ka thënë shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, raportoi të hënën BBC-ja.
Ai ka bërë të ditur se presidenti turk do ta përcjellë ofertën e Suedisë në parlamentin turk ku edhe do të ratifikohet.
Stoltenbergu këtë e bëri të ditur në Vilnius të hënën mbrëma, pasi priti bisedimet midis Erdoganit dhe kryeministrit suedez, Ulf Kristersson përpara një samiti të NATO-s në kryeqytetin lituanez.
“Presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë protokollin e pranimit për Suedinë në Asamblenë e Madhe Kombëtare [parlamentin e Turqisë] sa më shpejt të jetë e mundur dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin”, tha Stoltenbergu.
Ai e përshkroi këtë si hap historik, por theksoi se nuk mund të jepet një datë e saktë se kur Suedia mund të bashkohet me aleancën ushtarake.
Shefi i NATO-s tha se Suedia dhe Turqia kanë punuar më afër së bashku për të adresuar shqetësimet.
"Si pjesë e atij procesi, Suedia ka ndryshuar Kushtetutën e saj, ka ndryshuar ligjet e saj, ka zgjeruar ndjeshëm operacionin e saj ndaj PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) dhe ka rifilluar eksportet e armëve në Turqi".
Turqia dhe Hungaria janë aktualisht dy anëtarët e vetëm të NATO-s që kanë ratifikuar ende kërkesën për anëtarësim të Suedisë.
Më parë Turqia ka akuzuar Suedinë për pritjen e militantëve kurdë. Si një nga 31 anëtarët e NATO-s, Turqia ka të drejtën e vetos mbi çdo vend të ri që i bashkohet grupit.