Botë

Spanja do t’i ndalojë rrjetet sociale për të rinjtë nën 16 vjeç

Pedro Sanchez

Foto: Associated Press

Spanja do t’i ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe do t’u kërkojë platformave të përdorin mjete të rrepta për verifikimin e moshës, duke iu bashkuar kështu Australisë, Francës dhe Danimarkës në përpjekjet për të frenuar ndikimin e platformave digjitale te fëmijët.

“Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që kurrë nuk ishte menduar të përballohej vetëm. Një hapësirë e varësisë, abuzimit, pornografisë, manipulimit dhe dhunës”, ka thënë të martën kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. 

“Ne nuk do ta pranojmë më këtë, do t’i mbrojmë ata nga Perëndimi i Egër digjital”, ka shtuar ai.

Duke folur në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, Sanchez ka thënë po ashtu se qeveria e tij do të prezantojë gjithashtu ligje të reja për t’i bërë drejtuesit e rrjeteve sociale penalisht përgjegjës nëse dështojnë të heqin përmbajtje të paligjshme ose të urrejtjes.

Rregullat e reja do të sanksionojnë gjithashtu individët dhe platformat që përforcojnë përmbajtje të paligjshme, përfshirë edhe përmes algoritmeve. 

“Manipulimi algoritmik dhe përforcimi i përmbajtjes së paligjshme do të kthehen në një vepër të re penale”, ka thënë ai. “Përhapja e urrejtjes duhet të ketë një kosto.”

Procesi i miratimit të legjislacionit do të nisë javën e ardhshme. 

Në dhjetor, Australia është bërë vendi i parë në botë që zbatoi një ndalim të rrjeteve sociale për nën-16-vjeçarët, duke ua ndaluar qasjen në 10 platforma, përfshirë Facebook, TikTok, Instagram, Snapchat dhe X. 

Britania po shqyrton një hap të ngjashëm, ndërsa Franca dhe Danimarka kanë njoftuar së fundmi plane për t’ua ndaluar qasjen në rrjetet sociale fëmijëve nën moshën 15 vjeç.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë muajin e kaluar se dëshironte të përshpejtonte procesin ligjor për të siguruar që ndalimi të hynte në fuqi përpara fillimit të vitit të ri shkollor në shtator.