Botë

Situata në Siri përplasë Rusinë me perëndimorët në OKB

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York është zhvilluar debat lidhur me sulmet amerikane në Siri.

Shtetet e Bashkuara nisën sulme ndaj bazës ajrore siriane ku edhe kryen një sulm kimik ndaj civilëve. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara kritikoi Rusinë për mbështetjen e presidentit Bashar al-Assad, përcjell Koha.net.

Ambasadori britanik, Matthew Rycroft, ka thënë se vendi i tij mbështet në tërësi aksionin e SHBA-ve, e cila siç u shpreh ai, është përgjigje adekuate ndaj krimit të tmerrshëm të luftës, por se tash është koha që të kalohet në procesin politik.

Britania e Madhe mbështet sulmin ajror nga SHBA, për shkak se mund të ketë pasoja edhe më të mëdha nga krimineli Bashar al-Assad”, tha Rycroft, i cili sulmoi ashpër mbështetjen e Rusisë ndaj Assadit.

Nikki Haley ambasadore e SHBA-së në OKB gjithashtu tha se SHBA ka marrë një hap shumë të matur gjatë ditës së djeshme.

“Jemi të përgatitur të bëjmë edhe më shume, por shpresojmë se nuk do të jetë e nevojshme”, tha ai.

Edhe ambasadori francez Fransoa Delatr përshëndeti sulmin, por shfaqi shpresën për nisjen e serishme të negociatave politike.

Rusia, aleatja kryesore e Sirisë, ka akuzuar SHBA-të për “shkelje të drejtave ndërkombëtare” për shkak të sulmit raketor në bazën siriane.

Përfaqësuesi i këtij shteti, Vladimir Safronkov tha se SHBA-të kanë sulmuar një shtet sovran dhe se kjo sipas tij paraqet shkelje flagrante e të drejtave ndërkombëtare dhe akt agresioni.

Ndryshe, sulmi amerikan ishte si kundërpërgjigje ndaj sulmit të mëhershëm të forcave të Bashar al Asadit, të cilat thuhet se kanë përdorur gaz helmues duke shkaktuar vdekjen e 86 personave, në mesin e tyre pothuajse 30 fëmijë.