Botë

Situata e sigurisë në Evropë do të përkeqësohet, thotë kryeministrja daneze

Mette Frederiksen

Foto: Associated Press

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka paralajmëryar se pamjet e fundit të dronëve në hapësirën ajrore daneze janë "vetëm fillimi” dhe se situata “do të përkeqësohet dhe do të bëhet më serioze".

Në dy intervista të rëndësishme, me gazetën daneze Berlingske dhe me Financial Times, Frederiksen i ka kërkuar Evropës të diskutojë "më thellësisht" se çfarë do të thotë situata e re e sigurisë për kontinentin dhe si duhet të përgjigjet për t'iu kundërvënë kërcënimit, raporton The Guardian.

Ajo ka shtuar se situata në Evropë i kujton asaj periudhën midis dy luftërave botërore në shekullin e 20-të, ndërsa kontinenti përballet me kërcënimet që rrjedhin nga "lufta e vërtetë" në Ukrainë dhe lufta e re, më e gjerë hibride e zhvilluar kundër saj.

"Ideja e një lufte hibride është të na kërcënojë, të na ndajë, të na destabilizojë. Të përdorë dronë një ditë, sulme kibernetike të nesërmen, sabotim të tretën. Pra, kjo nuk do të përfundojë vetëm duke rritur aftësitë", ka thënë ajo për FT. 

Komentet e saj vijnë teksa udhëheqësit e BE-së janë mbledhur në Kopenhagë të mërkurën për një takim informal të Këshillit Evropian, i cili do të përqendrohet kryesisht në sigurinë dhe Ukrainën,.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë nëpërmjet një videolidhjeje. 

Mbledhja do të pasohet nga një takim më i gjerë i Komunitetit Politik Evropian të enjten.