Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Si u bë djali i një biznesmeni terroristi më i kërkuar në botë

Osama bin Ladeni dhe SHBA-ja, veprimet e të cilëve përmbysën rendin gjeopolitik përgjithmonë, dikur luftuan në të njëjtën anë. Më poshtë është historia e Bin Ladenit para sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë

12 vjet më parë në këtë ditë (2 maj) forcat e sigurisë amerikane vranë Osama bin Ladenin në një shtëpi në Abbottabad të Pakistanit, ku ai kishte jetuar për disa vjet. Operacioni i koduar “Neptun Spear”, i cili zgjati për vetëm 40 minuta, jo vetëm që i dha fund një kërkimi shumëvjeçar, por gjithashtu shkroi kapitullin e fundit të jetës së një terroristi të frikshëm, i cili ishte themelues i “Al-Qaedës” dhe organizatori i sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Ngritja e madhe

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I lindur në vitin 1957, Bin Laden, djali i një të pasuri, drejtues i një kompanie ndërtimi me bazë në Arabinë Saudite, nuk ishte gjithmonë armiku kryesor i SHBA-së. Dy rivalët, veprimet e të cilëve përmbysën rendin gjeopolitik përgjithmonë, dikur luftonin në anën e njëjtë në luftën kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Pra, çfarë çoi në armiqësinë e tyre? Pse Bin Ladeni shpalli xhihadin kundër amerikanëve? Dhe si u bë njeriu më i kërkuar në botë?

Image
Më 15 gusht 1998, një ushtar amerikan flet me një hetues të FBI-së para Ambasadës së bombarduar amerikan në kryeqytetin e Tanzanisë, ku Bin Ladeni i shpalli luftë Amerikës

Një Bin Laden i ri, i dobët dhe i qetë mbërriti në Pakistan menjëherë pasi ushtria e kuqe e pushtoi Afganistanin në fund të dhjetorit të vitit 1979, në një përpjekje për të ndihmuar në largimin e “të pafeve”. Për shkak të xhepave të thellë të babait të tij, ai filloi të ndihmojë përpjekjet e luftës duke dhënë “donacione për përfaqësuesit e Jamiat-e-Islami, parti islamike, e cila po ndihmonte në mbështetjen e xhihadit kundër sovjetikëve”, shkruante gazetari amerikan Peter Bergen në librin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e Osama bin Ladenit”.

Bin Ladeni më pas u bë i afërt me Abdullah Yusuf Azzam, një dijetar palestinez jordanez, të cilin ai e kishte takuar fillimisht në një universitet në Jeddah të Arabisë Saudite, dhe filloi ta nderonte si mësues dhe mentor të tij. Azzam ishte gjithashtu kreu i një “zyre shërbimesh” e krijuar në vitin 1984 në Peshawar, për të rekrutuar dhe ndihmuar në koordinimin e punës së vullnetarëve të rinj arabë që kishin filluar të vinin në Pakistan për të marrë pjesë në “luftën e shenjtë”. Qendra u financua nga Bin Laden, Inteligjenca Saudite, Kryqi i Kuq saudit, Liga Myslimane Botërore dhe donacione private nga princat dhe xhamitë saudite, sipas një raporti të botuar në Qendrën e Integritetit Publik, një organizatë jofitimprurëse e gazetarisë hulumtuese amerikane.

Lidhja e tij me CIA-n

Raporti shton se Bin Ladeni gjithashtu ka ofruar mbështetje logjistike për luftëtarët muxhahidinë në Afganistan. Ai solli inxhinierë të kompanisë së babait të tij dhe pajisje të rënda ndërtimi për të ndërtuar rrugë dhe depo në vend. Jo vetëm kjo, Bin Laden në vitin 1986 “ndihmoi në ndërtimin e kompleksit të tunelit Khost, të cilin CIA (Agjencia Qendrore e Inteligjencës) po e financonte si një depo e madhe e ruajtjes së armëve, objekt trajnimi dhe qendër mjekësore për muxhahedinët, thellë nën malet afër kufirit me Pakistanin”.

Sipas disa analistëve, kjo nuk ishte lidhja e vetme midis Bin Ladenit dhe CIA-s, e cila gjithashtu po siguronte para dhe armë për muxhahedinët. Një raport i vitit 2004 i publikuar nga BBC pretendonte se CIA jo vetëm që financoi Bin Ladenin, por gjithashtu i dha atij trajnime për sigurinë.

Këto pretendime u mbështetën më vonë nga Robin Cook, sekretar i Jashtëm i Britanisë nga viti 1997 deri në viti 2001, i cili në një kolumnë për “The Guardian” shkroi: ‘Megjithatë, Bin Ladeni ishte produkt i një llogaritjeje të gabuar momentale nga agjencitë perëndimore të sigurisë. Gjatë gjithë viteve ‘80 ai u armatos nga CIA dhe u financua nga sauditët për të bërë xhihad kundër pushtimit rus të Afganistanit. “Al-Kaeda”, fjalë për fjalë “baza e të dhënave”, ishte fillimisht skedari kompjuterik i mijëra muxhahedinëve që u rekrutuan dhe u trajnuan me ndihmën e CIA-s për të mposhtur rusët.

Megjithatë, jo të gjithë u pajtuan me akuzat. Bergen në librin e tij shkroi se CIA nuk kishte ndonjë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Bin Ladenin apo luftëtarët muxhahedinë. “Në vend të kësaj, e gjithë ndihma e SHBA-së për Afganistanin u dërgua përmes agjencisë së inteligjencës ndër-shërbimesh të Pakistanit, ISI”, shtoi ai.

Image
Mbështetësit e partisë fetare “Jamiat Ulema-e-Islam”, mbajnë posterin e liderit të “Al-Qaedas”, Osama bin Laden gjatë një marshimi pro-Bin Ladenit në Quetta në Pakistan më 2 maj 2012

Rënia

Roli i Bin Ladenit në dëbimin e sovjetikëve nga Afganistani e bëri atë një udhëheqës të shquar në vend. Por me rritjen e grindjeve të brendshme të muxhahedinëve, ai shpejt u kthye në Arabinë Saudite për të punuar në biznesin e familjes.

Herën tjetër që Bin Ladeni doli në qendër të vëmendjes, ishte pasi Iraku pushtoi Kuvajtin në gusht të vitit 1990. Sipas raportit të Qendrës së Integritetit Publik, ai loboi te familja mbretërore saudite për të ngritur një forcë, duke përdorur veteranët afganë të luftës për të luftuar Irakun. Në vend të kësaj, mbreti Fahd i ftoi amerikanët. Kjo erdhi si një tronditje e madhe për Bin Ladenin. Ndërsa 540.000 trupat amerikane filluan të mbërrinin, Bin Laden kritikoi hapur familjen mbretërore, duke lobuar te ulemaja (dijetarët fetarë) sauditë për të nxjerrë fetva, vendime fetare, kundër jomyslimanëve (përfshirë amerikanët) që ishin të vendosur në vend... ”, thuhet në raport.

I pakënaqur me sundimtarët e Arabisë Saudite, Bin Ladeni në vitin 1992 u zhvendos në Sudan me ndjekësit e tij për të ndihmuar revolucionin islamik që po zhvillohej atje, i cili udhëhiqej nga lideri karizmatik sudanez Hassan Turabi. Ndërkohë, ai vazhdoi të kritikonte si familjen mbretërore ashtu edhe SHBA-në. Gjatë kësaj kohe, Bin Ladeni dërgoi gjithashtu disa nga mbështetësit e tij në Somali për të trajnuar komandantët lokalë të luftës, të cilët po luftonin kundër trupave amerikane, pjesë e një plani humanitar të autorizuar nga OKB-ja në vend. Në tetor 1993, 18 ushtarakë amerikanë u vranë në “një pritë të kryer nga militantë që thuhet se ishin trajnuar me ‘Al-Kaedën’”, raportoi CNN.

Incidenti intensifikoi reagimin kundër Bin Ladenit – tashmë nën skanerin e autoriteteve amerikane pasi ata dyshonin se kishte planifikuar një shpërthim bombë në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju -Jork, duke vrarë gjashtë dhe duke plagosur qindra, më parë në vitin 1993. Si rezultat, Arabia Saudite i hoqi shtetësinë në vitin 1994 dhe Sudani i kërkoi të largohej nga vendi dy vjet më vonë.

Bin Ladeni erdhi edhe një herë në Afganistan në vitin 1996, ku talebanët e strehuan atë. Në intervistën e tij të parë me mediat perëndimore, ai i tha gazetarit Bergen se SHBA-ja është “e padrejtë, kriminale dhe tiranike”, raportoi CNN. Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara sot si pasojë e atmosferës arrogante, kanë vendosur standarde të dyfishta, duke e quajtur terrorist këdo që shkon kundër padrejtësisë së saj. Ajo dëshiron të pushtojë vendet tona, të vjedhë burimet tona, të na imponojë agjentë që të na sundojnë”.

Në intervistë ai mori gjithashtu përgjegjësinë për vrasjen e ushtarakëve amerikanë në Somali.

Në atë kohë Bin Ladeni ishte bërë objekt interesi për agjencitë e inteligjencës i disa vendeve. Por ajo që e bëri atë të njohur në “botën myslimane dhe në Perëndimin” ishin bombardimet e ambasadave të SHBA-së në Kenia dhe Tanzani, që vranë 220 njerëz në gusht të vitit 1998, tha raporti i Qendrës së Integritetit pas sulmeve të shumta vdekjeprurëse në të gjithë botën, duke përshirë sulmet e 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe pushtimin amerikan të Afganistanit dhe Irakut.

Përktheu: Besjana Bajrami