Al-Zawahri ishte vendimtar për ta kthyer lëvizjen xhiahdiste për t’i shënjestruar Shtetet e Bashkuara, duke u kthyer në krahun e djathtë të Bin Ladenit, milionerit të ri saudit, që takoi në rajonin Afganistan-Pakistan. Nën udhëheqjen e tyre, rrjeti terrorist i “Al-Qaedas” kreu sulmin më vdekjeprurës ndonjëherë në tokën amerikane, rrëmbimet vetëvrasëse të 11 shtatorit 2001
Dyert e xhihadit u hapën për Ayman al-Zawahrin, si një mjek i ri në një klinikë në Kajro, kur një vizitor mbërriti me një ofertë joshëse: një shans për t’i trajtuar luftëtarët islamikë, që luftonin forcat sovjetike në Afganistan.
Me atë ofertë në vitin 1980, Al-Zawahri filloi një jetë, që mbi tri dekada e ngriti atë në krye të grupit terrorist më të frikshëm në botë, “Al-Qaeda”, pas vdekjes së Osama bin Ladenit.
Tashmë një militant me përvojë, që kishte kërkuar përmbysjen e regjimit “të pabesë” të Egjiptit që në moshën 15-vjeçare, Al-Zawahri bëri një udhëtim në zonën e luftës afgane, që zgjati vetëm disa javë, por i hapi sytë ndaj mundësive të reja.
Ajo, që ai pa, ishte “kursi i trajnimit, që përgatit rininë muxhahedine myslimane për të nisur betejën e tyre të ardhshme me fuqinë e madhe, që do ta sundonte botën: Amerikën”, shkroi ai në një biografi manifest të vitit 2001.
Al-Zawahri, 71-vjeçar, u vra gjatë fundjavës nga një sulm me dron amerikan, në Afganistan. Presidenti Joe Biden njoftoi vdekjen të hënën, në mbrëmje, në një fjalim drejtuar kombit.
Sulmi ka të ngjarë të çojë në rrëmujë më të madhe brenda organizatës, sesa vdekja e Bin Ladenit në vitin 2011, pasi është shumë më pak e qartë se kush do të jetë pasuesi i tij.
Dora e djathtë e Bin Ladenit
Al-Zawahri ishte vendimtar për ta kthyer lëvizjen xhiahdiste për t’i shënjestruar Shtetet e Bashkuara, duke u kthyer në krahun e djathtë të Bin Ladenit, milionerit të ri saudit, që e takoi në rajonin Afganistan-Pakistan. Nën udhëheqjen e tyre, rrjeti terrorist i “Al-Qaidas” kreu sulmin më vdekjeprurës ndonjëherë në tokën amerikane, rrëmbimet vetëvrasëse të 11 shtatorit 2001.
Sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit e bënë Bin Ladenin armikun nr.1 të Amerikës. Por ai ka të ngjarë të mos e kishte kryer kurrë atë, pa zëvendësin e tij.
Derisa Bin Laden vinte nga një sfond i privilegjuar në një familje të shquar saudite, Al-Zawahri kishte përvojën e një revolucionari të fshehtë. Bin Laden i ofroi “Al-Qaedas” karizëm dhe para, Al-Zawahri solli taktika dhe aftësi organizative të nevojshme për të krijuar militantë në një rrjet celulash në vende anembanë botës.
“Bin Laden gjithmonë e shikonte atë”, tha eksperti i terrorizmit, Bruce Hoffman nga Universiteti Georgetown. Al-Zawahri “kaloi kohë në një burg egjiptian, ai u torturua. Ai ishte një xhiahdist që nga koha kur ishte adoleshent”.
Kur pushtimi i vitit 2001 i SHBA-së në Afganistan shkatërroi strehën e sigurt të Al-Qaidas dhe shpërndau, vrau dhe kapi anëtarët e saj, Al-Zawahri siguroi mbijetesën e Al-Qaidas. Ai rindërtoi udhëheqjen e saj në rajonin kufitar Afganistan-Pakistan dhe vendosi aleatë si toger në pozicionet kyçe.
Ai gjithashtu u bë fytyra publike e lëvizjes, duke nxjerrë një rrymë të vazhdueshme me video-mesazhe, derisa Bin Ladeni kryesisht fshihej.
Me mjekrën e tij të trashë, syzet dhe një mavijosje të dukshme në ballë nga përulja në namaz, ai ishte jashtëzakonisht i ashpër dhe pedant. Ai zgjodhi luftime ideologjike me kritikët brenda kampit xhihadist, duke tundur gishtin, në mënyrë qortuese në videot e tij. Madje edhe disa figura kyçe në udhëheqjen qendrore të “Al-Qaedas” u shtynë, duke e quajtur atë tepër kontrollues, të fshehtë dhe përçarës, një kontrast me Bin Ladenin, praninë e butë të të cilit, shumë militantë e përshkrujnë me tema adhurues, pothuajse shpirtërorë.
Riorganizimi
Megjithatë, ai riformësoi organizatën nga një planifikues i centralizuar i sulmeve terroriste, në krye të një zinxhiri ekskluziviteti. Ai e udhëhoqi krijimin e një rrjeti të degëve autonome, në të gjithë rajonin, duke përfshirë Irakun, Arabinë Saudite, Jemenin, Afrikën e Veriut, e Somalinë, Azinë.
Në dekadën pas 11 shtatorit, “Al-Qaeda” frymëzoi ose pati një dorë të drejtpërdrejtë në sulmet, në të gjitha ato zona, si dhe në Evropë, Pakistan dhe Turqi, duke përfshirë bombat e trenave të vitit 2004 në Madrid dhe bombat e vitit 2005 në Londër. Së fundmi, dega e “Al-Qaedas” në Jemen u tregua e aftë për të komplotuar sulme në tokën amerikane me një tentativë bombardimi në vitin 2009, të një avioni amerikan pasagjerësh dhe një tentativë për bombë në vitin pasues.
Pasi Bin Ladeni u vra në një aksion të SHBA-së, në kompleksin e tij në Abbottabad, Pakistan, “Al-Qaeda” shpalli Al-Zawahrin udhëheqësin e saj kryesor, në më pak se dy muaj më vonë.
Xhihadi kundër Amerikës “nuk ndalet me vdekjen e një komandanti apo udhëheqësi”, tha ai. “Ndiq Amerikën, e cila vrau liderin e muxhahedinëve dhe e hodhi trupin e tij në det”.
Kryengritjet e Pranverës arabe të vitit 2011 rreth Lindjes së Mesme kërcënuan si goditje e madhe për “Al-Qaedan”, duke treguar se xhihadi nuk ishte mënyra e vetme për t’i hequr qafe autokratët arabë. Ishin kryesisht liberalët pro-demokracisë dhe të majtët, që udhëhoqën kryengritjen, që rrëzoi presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarak, qëllimin afatgjatë që Al-Zawahri nuk arriti ta bëjë.
Por Al-Zawahri u përpoq ta bashkonte valën e kryengritjeve, duke këmbëngulur se ato do të ishin të pamundura, nëse sulmet e 11 shtatorit nuk do të kishin dobësuar Amerikën. Dhe, ai u kërkoi palëve të vijës së ashpër islamike t’i merrnin përsipër vendet ku liderët kishin rënë.
Al-Zawahri lindi më 19 qershor 1951, bir i një familjeje mjekësh dhe studiuesish të klasës së mesme në periferi të Kajros, Maadi. Babai i tij ishte një profesor i farmacisë, në shkollën mjekësore të Universitetit të Kajros dhe gjyshi i tij, Rabia al-Zawahri, ishte imami i madh i Universitetit Al-Azhar, qendër kryesore e studimit fetar.

Kirurgu i rebeluar
Që në moshë të re, Al-Zawahri u entuziazmua nga shkrimet radikale të Sayed Kutbit, islamistit egjiptian, i cili mësoi se regjimet arabe ishin “të pafe” dhe se duhet të zëvendësoheshin nga sundimi islamik.
Në vitet 1970, teksa fitoi diplomën e mjekësisë si kirurg, ai ishte aktiv në qarqet militante. Ai bashkoi celulën e tij militante me të tjerët për ta formuar grupin “Xhihad Islamik” dhe filloi të përpiqej të depërtonte në ushtri, në një moment, madje, duke ruajtur armët në klinikën e tij private.
Më pas erdhi vrasja e presidentit egjiptian, Anwar Sadat, në vitin 1981, nga militantët e “Xhihadit Islamik”. Vrasja u krye nga një celulë tjetër në grup, dhe Al-Zawahri shkroi se ai mësoi për komplotin vetëm disa orë para vrasjes. Por, ai u arrestua së bashku me qindra militantë të tjerë dhe kreu tre vjet burg.
Gjatë burgimit, ai thuhet se u torturua shumë, një faktor, që disa e citojnë si kthim të tij në më radikal.
Pas lirimit të tij në vitin 1984, Al-Zawahri u kthye në Afganistan dhe iu bashkua militantëve arabë nga e gjithë Lindja e Mesme duke luftuar përkrah afganëve kundër sovjetikëve. Ai iu afrua Bin Ladenit, i cili u bë figurë heroike për mbështetjen e tij financiare të muxhahedinëve.
Al-Zawahri e ndoqi Bin Ladenin në bazën e tij të re, në Sudan dhe prej andej ai udhëhoqi një grup të rimbledhur të “Xhihadit Islamik” në një fushatë të dhunshme bombardimesh, që synonin rrëzimin e qeverisë aleate të Egjiptit.
Komploti i dështuar për vrasjen e Mubarakut
Në sulmin më të guximshëm, “Xhihadi” dhe militantë të tjerë u përpoqën ta vrisnin presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, gjatë një vizite në Etiopi në vitin 1995. Mubarak, i shpëtoi breshërisë së armëve, që synonin autokolonën e tij, dhe forcat e tij të sigurisë shtypën lëvizjen militante në Egjipt në goditjen, që pasoi.
Lëvizja egjiptiane dështoi. Por Al-Zawahri do t’i sillte “Al-Qaedas” taktikat, që ai përsosi në “Xhihadin Islamik”. Ai promovoi përdorimin e bombave vetëvrasëse, për t’u bërë shenjë dalluese e “Al-Qaedas”. Ai komplotoi një sulm vetëvrasës me makinë-bombë në vitin 1995 në Ambasadën e Egjiptit, në Islamabad, që vrau 16 njerëz, duke parashikuar bombat më shkatërruese të “Al-Qaedas” në vitin 1998 në ambasadat e SHBA-së, në Keni dhe Tanzani, që vranë më shumë se 200 njerëz, sulme për të cilat Al-Zawahri u padit në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 1996, Sudani dëboi Bin Ladenin, i cili ktheu luftëtarët e tij në Afganistan ku gjetën një strehë të sigurt nën regjimin radikal taleban. Edhe njëherë, Al-Zawahri e ndoqi.
Dy vjet më vonë, lidhja e tyre u vulos kur Bin Ladeni, Al-Zawahri dhe udhëheqës të tjerë militantë lëshuan, “Deklaratën e Xhihadit kundër hebrenjve dhe kryqtarëve”. Ajo njoftoi se Shtetet e Bashkuara ishin armiku kryesor i Islamit dhe udhëzoi myslimanët se ishte detyra e tyre fetare t’i “vrasin amerikanët dhe aleatët e tyre”.
Mesazhi shenjtëron një ndryshim dramatik, që Al-Zawahri iu nënshtrua nën ndikimin e Bin Ladenit, duke ndryshuar nga strategjia e tij e gjatë për ta sulmuar “armikun e afërt”, regjimet arabe aleate të SHBA-së si Egjipti, për ta synuar “armikun e largët”, vetë Shtetet e Bashkuara.
“Xhihadi Islamik” i Al-Zawahrit
Disa në “Xhihadin Islamik” të Al-Zawahrit u shkëputën, duke kundërshtuar masën. Dhe disa militantë të “Al-Qaedas”, lidhja e të cilëve me Bin Ladenin ishte para asaj të Al-Zawahrit, e shihnin atë gjithmonë si një ndërhyrës arrogant.
“Unë kurrë nuk kam marrë urdhra nga Al-Zawahrit”, nënqesh Fazul Abdullah Mohammed, një nga figurat kryesore të rrjetit në Afrikën Lindore deri në vdekjen e tij në vitin 2011, në një kujtim të postuar në internet në vitin 2009. “Ne nuk marrim urdhra nga askush përveç lidershipit tonë historik”.
Menjëherë pas aleancës erdhën bombardimet e ambasadave të SHBA-së, në Afrikë, ndjekur nga sulmi vetëvrasës i vitit 2000 ndaj “USS Cole” pranë Jemenit, një sulm që Al-Zawahri besohet ta ketë ndihmuar në organizim.
Kur SHBA-ja pushtoi Afganistanin, Al-Zawahri dhe Bin Ladeni u larguan në Pakistan pasi një sulm ajror i SHBA-së vrau gruan e Al-Zawahrit dhe të paktën dy nga gjashtë fëmijët e tyre në qytetin jugor afgan, Kandahar.
Dështimi i CIA-s dhe “Kalorësit nën flamurin e Profetit”
CIA ishte shumë afër kapjes së Al-Zawahrit në vitin 2003 dhe vrasjes së tij në vitin 2004. CIA mendoi se më në fund kishte Al-Zawahrin në horizontin e saj, në vitin 2009, vetëm për t’u mashtruar nga një agjent i dyfishtë, që hodhi veten në erë duke vrarë shtatë punonjës të agjencisë dhe plagosur gjashtë të tjerë në Khost, Afganistan.
Në traktatin e tij të vitit 2001, “Kalorësit nën flamurin e Profetit”, Al-Zawahri vendosi strategjinë afatgjatë për lëvizjen xhihadiste, për të shkaktuar “sa më shumë viktima të jetë e mundur” mbi amerikanët, ndërsa përpiqej ta vendoste kontrollin në një komb si bazë “për ta nisur betejën për ta rivendosur kalifatin e shenjtë” të sundimit islam në të gjithë botën myslimane.
“Al-Qaeda” bëri një depërtim në Evropë. Bombarduesit në sulmet e Madridit, që vranë 191 njerëz u tha se ishin frymëzuar nga “Al-Qaeda”, megjithëse lidhjet e drejtpërdrejta mbeten të pasigurta. Al-Zawahri mori përgjegjësinë e “Al-Qaedas” për bombardimet tranzit të Londrës në vitin 2005, që vranë 52 persona, duke thënë se disa autorë janë trajnuar në kampet e “Al-Qaedas”.
Jo të gjitha fushatat terroriste ishin të suksesshme. Dega e “Al-Qaedas” në Arabinë Saudite u shtyp në vitin 2006. Vetë Al-Zawahri iu desh t’i shkruante kreut të degës së “Al-Qaedas” në Irak, Abu Musab al-Zarqawi, për t’i frenuar sulmet e tij brutale ndaj shiitëve irakianë, të cilat po dëmtonin imazhin e rrjetit në mesin e myslimanëve.
Kjo nënvizoi dështimin përfundimtar të Al-Zawahrit. Me përqendrimin e tij në një “pararojë myslimane”, që kryente sulme dramatike, ai kurrë nuk fitoi mbështetje të gjerë popullore për “Al-Qaedan” në botën islame përtej kufijve të simpatizantëve radikalë.
Përgjigjja e tij në “Kalorësit nën flamurin e Profetit”, ishte që xhihadistët të vazhdonin t’i godisnin amerikanët, me shpresën për t’i shfrytëzuar ndjenjat dhe tërheqjen në publik të anti-SHBA-së. Ai i bëri jehonë kësaj strategjie, në një video euologjike të qershorit, të vitit 2011 për shefin e tij te vrarë.
Bin Ladeni “e tmerroi Amerikën në jetën e tij”, tha ai, dhe “do të vazhdojë ta tmerrojë atë edhe pas vdekjes së tij”./AP
Përktheu: Forca Jashari