Botë

Si po e përdor Orbani skandalin e spiunazhit në Ukrainë për mbijetesën e tij politike?

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Vitin e kaluar kryeministri hungarez Viktor Orban e paraqiti veten si personi i vetëm në planet përveç Papës, që po përpiqej të siguronte një armëpushim pa kushte mes Rusisë dhe Ukrainës. Por, kritikët e përshkruan atë të ashtuquajtur mision paqeje në Kiev, Moskë dhe kryeqytete të tjera, si një përpjekje për ta shpërblyer agresionin rus.

Një valë arrestimesh, dëbimesh diplomatike dhe poshtërimesh publike kanë dëmtuar rëndë marrëdhëniet mes Ukrainës të përfshirë nga lufta dhe fqinjit të saj Hungarisë, vend anëtar i NATO-s. Marrëdhënia mes tyre ka rënë në nivelin më të ulët, shkruan “BBC”. 

Në zemër të debatit janë akuzat se qeveria e drejtuar nga partia Fidesz e Viktor Orbanit po e përdor këtë grindje për ta luftuar rivalin kryesor politik, partinë opozitare Tisza, e cila po kryeson në sondazhe para zgjedhjeve të vitit 2026. 

Më herët këtë muaj, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU), ka njoftuar për arrestimin e dy shtetasve ukrainas me akuza për spiunazh për Hungarinë.  

Sipas pretendimeve, të mbështetura nga prova si me video ashtu edhe audio, burri dhe gruaja ishin duke u paguar nga inteligjenca ushtarake e Hungarisë, dhe po përgatisnin veprim ushtarak hungarez në Ukrainë. 

Hungaria më pas dëboi dy diplomatë ukrainas dhe Ukraina u kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë, që dëmtoi edhe më tepër marrëdhëniet tashmë të acaruara. 

Hungaria po ashtu arrestoi një shtetas ukrainas dhe e akuzoi për spiunazh. 

Kryeministri hungarez Viktor Orban shihet gjerësisht si aleati më i ngushtë i Rusisë në Bashkimin Evropian dhe Qeveria e drejtuar nga ai, duke shkuar kundër aleatëve evropianë, ka ruajtur tregtinë me Rusinë dhe ka kundërshtuar vendosjen e sanksione. Ka refuzuar ta lejojë transitin e armëve, ndërsa e ka krahasuar Ukrainën me Afganistanin. 

Tash ai po e akuzon Kievin se po përpiqet “të shpifë” për Hungarinë. 

Popullata hungareze së fundi mori një pyetësor nga qeveria, që titullohej “Vox 2025”, duke ftuar ata ta refuzojnë anëtarësimin e Ukrainës në BE. 

Më pak se një vit më parë, Orban e paraqiti veten si personi i vetëm në planet përveç Papës, që po përpiqej të siguronte një armëpushim pa kushte mes Rusisë dhe Ukrainës. 

Por, kritikët e përshkruan atë të ashtuquajtur mision paqeje në Kiev, Moskë dhe kryeqytete të tjera, si një përpjekje për ta shpërblyer agresioni rus. 

Një ditë pasi Orban u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, raketat ruse goditën spitalin e fëmijëve “Ohmatdyt” në Kiev. 

Tre ditë më vonë, udhëheqësi i partisë Tisza në Hungari, Peter Magyar, solli ndihmë mjekësore hungareze në spital në vlerë prej 40 mijë dollarëve. Sondazhet sugjerojnë se Magyar mund ta rrëzojë Orbanin nga pushteti në prillin e ardhshëm.

Akuza ndaj partisë kryesore opozitare

Njeriu që çoi liderin e Tiszas në Kiev, Roland Tseber, tash është shënjestër e tentimeve të partisë në pushtet Fidesz për ta akuzuar partinë opozitare hungareze Tisza se e ka tradhtuar Hungarinë. 

Roland Tseber ishte në një qendër të refugjatëve hungarezë në Uzhorod në prill. Ai po ndihmonte të shpërndahej ndihma mjekësore nga Hungaria, ndërsa po punonte me mjekë dhe psikologë hungarezë që kanë mbështetur ukrainasit e zhvendosur brenda vendit nga zona lindore e luftës, që nga viti 2022. 

Ai thotë se problemet për të nisën pak javë pas vizitës së Peter Magyarit. 

Në gusht, ai dëgjoi se i është ndaluar hyrja në Hungari dhe, me këmbënguljen e Hungarisë, edhe në të gjithë zonën Shengen, pa dhënë shpjegime. 

Letra që Tseber ia drejtori Ambasadës së Hungarisë në Kiev s’mori përgjigje. 

Lideri i partisë së ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë” në Parlamentin e Hungarisë, Laszlo Toroczkai, e etiketoi Tseberin si “terrorist”. Mate Kocsis, kreu i fraksionit Fidesz në Parlamentin e Hungarisë, e ka quajtur “spiun ukrainas”, i cili ka qenë prej kohës në shënjestër të kundërzbulimit hungarez. 

“Unë i mohoj të gjitha akuzat e tilla, që përpiqen të më lidhin me aktivitete inteligjence të çdo lloji. Kjo është qesharake. Unë jam një politikan Transkarpatian që punon ndershmërisht dhe hapur për atdheun e tij dhe për interesat hungareze”, tha Tseber. 

Roland Tseber (djathtas) dhe Peter Magyar (majtas)

Si një asamblist i zgjedhur dhe i pavarur në Asamblenë Rajonale të Transkarpatisë, që bën pjesë në grupin politik të partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, “Shërbëtori i Popullit”, Tseber thotë se takohet me politikanë të ndryshëm, përfshirë edhe me zëvendësministrin e Jashtëm të Hungarisë, Levente Magyar.

“Unë jam një politikan ukrainas dhe takohem me të gjithë. Kjo situatë është qesharake. Ata duan të më përfshijnë në këtë histori spiunazhi. Por, kushdo që ka pak mendje të shëndoshë mund ta kuptojë se kjo është absurde”, thotë Tseber.

Portretizimi i Orbanit si njeri i paqes

Lidhja më e dobët në narrativen e qeverisë hungareze është se nëse ai do të ishte vërtet në radarin e inteligjencës hungareze, politikanët qeveritarë dhe Peter Magyar si anëtar i Parlamentit Evropian, do të ishin paralajmëruar të qëndronin larg Tseberit. 

Komuniteti hungarez në rënie në Transkarpati, është bërë dëm anësor në mosmarrëveshjet Ukrainë – Hungari. 

Në regjistrimin e fundit të Ukrainës, në vitin 2001, popullsia e tyre ishte 150 mijë, por vlerësimet e fundit sugjerojnë se numri i tyre është përgjysmuar që nga atëherë. Tash janë 70 mijë apo 80 mijë. Dhjetëra kanë humbur jetën, duke luftuar për Ukrainën kundër Rusisë. 

Një tjetër kthesë në këtë storie është se ish-shefi i shtabit të Ushtrisë së Hungarisë, Romulusz Ruszin-Szendi, që tash është një politikan i shquar i partisë Tisza, ka qenë cak i sulmeve nga mediat e kontrolluara nga qeveria. 

Qeveria pretendon se “një ish-figurë e lartë në sektorin e mbrojtjes” – duke aluduar në Ruszin-Szendin – ishte në kontakt me inteligjencën ukrainase.

Ruszin-Szendi i ka kundërshtuar akuzat, duke i quajtur si fushatë shpifjesh. 

“Unë jam një qytetar i mirë hungarez që e kam veshur uniformën që nga mosha 14-vjeçare. Jam i tronditur dhe i trishtuar kur e di se ajo që unë dhe shokët e mi kemi bërë për vendin tonë, vlen kaq për ju”, tha ai duke iu drejtuar qeverisë në një postim në Facebook. 

Që nga fillimi i pushtimit të shkallës së plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Viktor Orban e ka portretizuar veten si një njeri paqeje dhe i fitoi zgjedhjet e prillit të vitit 2022 me premtimin për ta mbajtur Hungarinë jashtë luftës në Ukrainë. 

Megjithatë, një fjalim nga viti 2023 që sapo është publikuar nga Peter Magyar tregon një histori shumë të ndryshme. 

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, është regjistruar duke thënë një vit pasi filloi lufta në Ukrainë se qeveria ka vendosur të shkëputej nga mentaliteti i paqes dhe të kalonte në “fazën zero të rrugës drejt luftës”, me një ushtri hungareze t’u përgatitur për luftime. 

Ky ishte viti i njëjtë ku shumë persona me përvojë, si Ruszin-Szendi, u shkarkuan si pjesë e “një ripërtëritje” të ushtrisë. 

Ata u zëvendësuan nga oficerë besnikë ndaj qëndrimit pro-Moskë të Qeverisë së Orbanit.