Gjermania njihej si “i sëmuri i Evropës” në vitet nëntëdhjetë dhe dymijë. Tani është kthyer në ekonominë më të madhe dhe më të suksesshme të Evropës, derisa Angela Merkel po i jep fund mandatit të saj të katërt. Më 2019, çereku i bruto prodhimit të brendshëm të BE-së gjenerohej nga Gjermania, bëhet e ditur në analizën e televizionit amerikan
Është e vështirë të besohet tani se Gjermania, ekonomia më e madhe dhe më e suksesshme e Evropës, në vitet nëntëdhjetë dhe në fillim të viteve dymijë njihej si “i sëmuri i Evropës”, nis analizën e gjatë televizioni amerikan CNBC, derisa i bën një kronologji zhvillimeve kryesore që ndikuan në ringritjen e shtetit të qeverisur qe gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë nga kancelarja Angela Merkel.
Me zgjedhjet e 26 shtatorit, të cilat i sollën fitore me epërsi të ngushtë socialdemokratëve, të cilët ishin pjesë e koalicionit të madh gjerman, pritet që drejtimin e Kancelarisë ta marrë për herë të parë pas vitit 2005 një socialdemokrat. Olaf Scholzin e presin negociata të vështira me Demokratët e Lirë (FDP) liberalë dhe me Të Gjelbrit, të cilët kanë shënuar ngritje me premtimet e tyre për kthimin e vëmendjes më të madhe për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit në kohën kur bota po sfidohet nga ndryshimi klimatik i shkaktuar nga ndotja globale.
Por, Gjermania ka shënuar ngritje të fuqishme ekonomike nën lidershipin e Merkelit të CDU-së, e cila po i mbyll katër mandate në majën e pushtetit gjerman. Më 2019, para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, çereku i krejt bruto prodhimit të brendshëm të mbarë Bashkimit Evropian gjenerohej nga Gjermania, tregojnë të dhënat e Eurostat-it, agjencisë evropiane të statistikave.
CNBC-ja ka bërë një analizë me pesë shtylla të nxjerrë nga zhvillimet në shoqërinë dhe ekonominë gjermane gjatë qeverisjes së Merkelit, lideres faktike të Bashkimit Evropian. Dhe të dhënat tregojnë se trashëgimia e saj nuk shquhet vetëm me prosperitet, por edhe me mundësi të shkuar huq dhe hapa të gabuar, vlerësojnë disa analistë.
Bruto prodhimi i brendshëm
Edhe
Fundi i epokës së “kancelares madhështore”
Ekonomia gjermane, e orientuar kah eksporti, e që dikur bazohej me të madhe në prodhim, ka shënuar ngritje të qëndrueshme gjatë kohës së Merkelit në krye të saj. Dhe të dhënat nga agjencia evropiane e statistikave dëshmojnë se ia doli t’ua merrte hovin ekonomive të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Francës.
Kur Merkeli mori pushtetin më 2005, ia vlen të kujtohet se ekonomia e Gjermanisë kishte përjetuar recesion para dy vitesh. Në vitin kur erdhi në krye të vendit, bruto prodhimi i brendshëm i Gjermanisë kapte vlerën prej 2.3 bilionë eurosh, tregojnë të dhënat e zyrës federale gjermane të statistikave. Më 2020, shifrat kanë shkuar në 3.3 bilionë euro.
Papunësia
Shkalla e papunësisë ka shënuar njashtu rënie gjatë kohës së qeverisjes nga Merkeli, nga 11.1 për qind më 2005 në 3.8 për qind më 2020, tregojnë shifrat e paraqitura nga Banka Botërore.
Gjermania ka një prej shkallëve më të ulëta të papunësisë në Bashkimin Evropian (megjithëse jo më të ulëtën, që e ka Holanda fqinje). Prapëseprapë, shkalla e papunësisë në Gjermania e ulët; në korrik 2021, shkalla e papunësisë ishte 3.6 për qind, derisa në mesin e atyre nën 25 vjeç, shkalla ishte më e lartë me 7.5 për qind, tregojnë të dhënat e Eurostat-it.
Analistët e “Goldman Sachs”, duke vlerësuar politikën e Merkelit, spikatën se Merkeli duhet të lavdërohet për “suksesin më të madh” për uljen e papunësisë, “pjesa më e madhe e rënies së papunësisë strukturore me gjasë erdhi nga reformat e pararendësit (Gerhard Schroeder) dhe u pasua pas një dekade stagnimi të vërtetë të pagave”.
Analistët vërejtën se qeveritë e Merkelit nuk kishin tjetër punë pos të “mbanin financiar publike dhe të përshtatnin sprovën kushtetuese të borxhit, por edhe të reagonin me vendosmëri gjatë kohërave të krizës, duke mbrojtur me sukses tregun e punës me programin ‘Kurzarbeit’ më 2008 dhe 2020”.
“Kurzarbeit” i referohet skemës së shkurtimit të orarit të punës punëtorëve në vend të largimit të tyre gjatë kohës së krizës, sinë rastin e pandemisë së koronavirusit.
Migracioni
Një shtyllë tjetër e rëndësishme, vlerësuar në analizën e CNBC-së, është migracioni. Dhe aty vlerësohet se Gjermania e Merkelit dalloi shumë nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nën drejtimin e Merkelit. “Dhe mbase është kjo fushë ku Kancelaria u lavdërua gjithmbarshëm, por edhe shkaktoi kundërthënie”, shkruan televizioni amerikan.
Në kulmin e krizës së migracionit të Evropës gjatë viteve 2014-2015, qindra e mijëra emigrantë hynë në Bashkimin Evropian. Shumë prej tyre po largoheshin nga lufta e gjatë civile në Siri. Brenda bllokut plasi sherri lidhur me shpërndarjen dhe vendosjen e azilkërkuesve në mesin e shteteve anëtare, me vendet e Evropës Lindore që refuzuan dhe mbyllën kufijtë e tyre për emigrantët.
Merkeli mori vendime të vështira, duke bërë krejtësisht të kundërtën. Ajo hapi kufijtë e Gjermanisë për më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë në Gjermani më 2015. Të dhënat e Eurostat-it pasqyrojnë gjendjen vetëm prej vitit 2008, por Merkeli tregoi vendosmërinë e saj me vendimet që u pritën edhe me kundërthënie.
Edhe
Ana tjetër e Angela Merkelit
Këto politika shihen si katalizator për ngritjen e së djathtës ekstreme dhe mbështetjen e votuesve për të. AfD-ja, Alternativa për Gjermaninë, mobilizoi masat, duke përdorur gjuhën anti-emigrante. Ajo fitoi dhjetë për qind të votave në zgjedhjet e shtatorit.
Pagat
Ka pasur edhe ngritje të qëndrueshme të pagave në Gjermani. Kur ajo mori Kancelarinë më 2005, niveli i pagave në Gjermani, Mbretëri të Bashkuar dhe Francë nuk ishte shumë i ndryshëm, por me kalimin kohës, boshllëku u thellua me Gjermaninë që mori primatin në këtë fushë.
Në Gjermani, më 2019 të hyrat e disponueshme ishin mbi 30 mijë euro në vit, derisa në Britani ishin mbi 25 mijë euro dhe në Francë 26 mijë euro, tregojnë të dhënat e Eurostat-it.
Por një çështje që ngriti debat në Gjermani ishte boshllëku i madh ndërmjet të hyrave të të pasurve dhe të të varfërve. Një tjetër ndarje e theksuar ishte ajo ndërmjet të ardhurave në perëndim dhe atyre në lindje, duke reflektuar trashëgiminë e ditëve pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990. Edhe në mesin e rajoneve ka dallime të mëdha. “Euromonitor International” ka spikatur se “pavarësisht ngritjes së të hyrave dhe nismave për promovimin e barazisë, pabarazitë rajonale vazhdojnë ndërmjet pjesëve perëndimore dhe lindore të Gjermanisë”.
Investimet publike
Një nga kritikat kryesore ndaj qeverisë së Merkelit është se la pas dore shpenzimet dhe investimet në infrastrukturë për shkak të mosgatishmërisë së saj të dukshme për të marrë hua para dhe ka prishur rendin e respektimit të saj të rreptë për buxhetin e ekuilibruar, me tani famëkeqin "schwarze Null", ose "zero e zezë" - rregulli i buxhetit shihet si një simbol i obsesionit të Gjermanisë edhe për qindarkat e fundit.
Infrastruktura e prishur në Gjermani i është atribuar kësaj mungese të shpenzimeve dhe qeveria është kritikuar gjerësisht për kufizimin e huamarrjes dhe shpenzimeve në një kohë kur mund të kishte marrë hua të lira, duke pasur parasysh mjedisin me norma të ulëta interesi. Të tjerë kanë kritikuar mungesën e shpenzimeve të Gjermanisë dhe kërkesa më e ulët nga Gjermania ka krijuar çekuilibra në zonën e euros.
"Dështimi i qeverisë gjermane (ndër të tjera) për të bërë shpenzime të financuara nga borxhi pas krizave të 2008 dhe 2011 ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në mungesën kronike të kërkesës private, me një bilanc të prirë të kursimeve dhe investimeve”, tha Stefan Koopman, ekonomist i lartë i tregut në “Rabobank”.
Formimi i kapitalit përbëhet nga shpenzimet për shtimin e aktiveve fikse të ekonomisë, siç janë blerjet e impianteve, makinerive dhe pajisjeve, ndërtimi i rrugëve, hekurudhave dhe të ngjashme, përfshirë shkollat, zyrat dhe spitalet.
Investimi në një infrastrukturë të tillë është ajo me të cilën qeveria e ardhshme e Gjermanisë duhet të merret, vërejnë ekspertët.
Edhe Kur Gjermania teshtin…Megjithatë, është e ditur botërisht se Gjermania nuk mund t’i frenojë shumë gjatë shpenzimet e nevojshme për infrastrukturën, dhe ndërsa bisedimet e koalicionit zhvillohen për të formuar një qeveri të re, vëmendja po përqendrohet në atë se sa larg mund të shtyjë secila palë e përfshirë politikat për lehtësimin fiskal.
Përgatiti: Rexhep Maloku