Një nga mundësitë e mëdha të humbura të pandemisë COVID-19 është shmangia e vaksinimit nga shumë amerikanë. Këtë vjeshtë, Rachel McKibbens, 45-vjeçare, ka humbur babanë dhe vëllanë nga COVID-19. Që të dy kishin refuzuar të vaksinoheshin sepse besonin në teori konspirative të rreme, që dozat përmbanin helm
Një vit më parë, nxitja më e madhe e vaksinimit në historinë amerikane filloi me entuziazëm në një dhjetor të zbehtë. Kamionët e ngarkuar me shishe ngrirëse të vaksinës kundër COVID-19, e cila kishte rezultuar jashtëzakonisht e suksesshme në provat klinike, u përhapën në mbarë vendin, duke sjellë doza që shumica shpresonin se do të tregonin fundin e kësaj krize.
Kjo nuk kishte ndodhur. Një vit më vonë, shumë amerikanë mbetën të pavaksinuar, e shumë të tjerë edhe po vdesin.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në vend është rreth 800,000, teksa përvjetori i vaksinës së parë po afron. Vitin e kaluar numri ishte rreth 300,000. Një numër i pallogaritshëm jetësh, ndoshta dhjetëra mijëra, janë shpëtuar nga vaksinimi. Por, ajo që ka mundur të jetë koha për të festuar arritjen shkencore është mbushur me mosmarrëveshje dhe zi.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Francis Collins, ka thënë se shkencëtarët dhe zyrtarët shëndetësorë mund ta kenë nënvlerësuar se si përhapja e keq-informatave mund ta pengojë “arritjen mahnitëse” të vaksinave.
“Vdekjet vazhdojnë...shumica janë prej të pavaksinuarve, shumica prej tyre ngase dikush diku i ka ushqyer me informacionin se kjo është kategorikisht keq dhe e rrezikshme”, ka theksuar Collins.
Të zhvilluara dhe të shpërndara me shpejtësi të madhe, vaksinat kanë rezultuar tepër të sigurta dhe efektive në parandalimin e vdekjeve dhe të hospitalizimeve. Njerëzit e pavaksinuar kanë një rrezik 14 herë më të lartë për të vdekur në krahasim me njerëzit e vaksinuar plotësisht, sipas vlerësimeve të bëra nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bazuar në të dhënat e disponueshme nga shtatori.
Efekti i vaksinave
Efektiviteti i tyre është mbajtur për pjesën më të madhe, duke lejuar që shkollat të rihapen, restorantet të mirëpresin njerëzit dhe familjet të mblidhen për pushime. Në numërimin e fundit, 95% e amerikanëve 65 vjeç dhe më të moshuar kanë qenë të paktën të vaksinuar me dozën e parë.
“Për sa u përket arritjeve shkencore, në shëndetin publik dhe logjistikë, kjo futet në të njëjtën kategori me shkuarjen e njeriut në hënë”, ka sqaruar Dr. David Dowdy, epidemiolog i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik në Johns Hopkins Bloomerang.
Viti i parë i vaksinave ka qenë i vështirë me një zhgënjim për rritjen e infeksioneve, grindjet politike mbi mandatet dhe tash, shqetësimet nëse Omicroni mutant do t’i shmanget mbrojtjes.
Pavarësisht krejt kësaj, Dowdy ka thënë, “kur të shikojmë prapa, do të themi që vaksinat ishin ngjarje e një suksesi të madh”.
Pikërisht në ditën kur një komb i etur filloi t’i përveshë mëngët e veta, më 14 dhjetor 2020, numri i vdekjeve në SHBA kishte arritur shifrën 300,000. E vdekjet ishin mesatarisht më shumë se 2,500 në ditë dhe po rriteshin shpejt, më shumë se sa ajo çka dëshmoi vendi gjatë pranverës së hidhur së 2020-ës, kur qyteti i New Yorkut ishte epiqendra shpërthyese në SHBA.
Nga fundi i shkurtit, totali i vdekjeve në SHBA kishte kaluar 500,000, mirëpo numri ditor i vdekjeve po binte nga lartësitë e tmerrshme të fillimit të Janarit. Me shpresat në rritje, në fillim të marsit, disa shtete filluan të rihapeshin, duke hequr obligimin e maskave dhe të kufizimet për ambientet e mbyllura. Ish-presidenti, Donald Trump, gjatë një interviste për Fox News, i siguroi mbështetësit e tij që vaksina është e sigurt dhe u kërkoi atyre ta merrnin atë.
Mirëpo, deri ne qershor, me zbehjen e kërcënimit nga COVID-19, kërkesat për vaksina kishin rënë dhe shtetet dhe kompanitë u kthyen në stimuj, duke u përpjekur ta kthejnë interesimin për vaksinim.
Ishte pak vonë. Delta, një formë mutacioni e koronavirusit, shumë ngjitëse, ka arritur qetësisht dhe ka nisur të shpërndahet shpejt, duke gjetur shumë viktima të pavaksinuara.
“Duhet të jesh pothuajse i përkryer gjatë gjithë kohës për ta luftuar këtë virus”, ka spikatur Andrew Novmer, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë, Irvine. “Nuk është vetëm vaksina që po bën pandeminë të shkatërrojë prapë në Tokë”.
Një nga mundësitë e mëdha të humbura të pandemisë COVID-19 është shmangia e vaksinimit nga shumë amerikanë.
Këtë vjeshtë, Rachel McKibbens, 45-vjeçare, ka humbur babanë dhe vëllanë nga COVID-19. Që të dy kishin refuzuar të vaksinoheshin sepse besonin në teori konspirative të rreme që dozat përmbanin helm.
“Ç‘tragjedi e turpshme”, ka thënë McKibbens. “Nuk kishte pse të ndodhte në këtë mënyrë”.
Sipas një analize nga Associated Press, më shumë se 228,500 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 që nga 19 prilli, data kur të gjithë amerikanët e rritur ishin të gatshëm të vaksinohen. Kjo është rreth 29% e numërimit që kur vdekjet e para nga koronavirusi në Amerikë u regjistruan në shkurt të vitit 2020.
Në total, dy shtete – Florida dhe Teksas – kontribuuan me më shumë se 52,000 vdekje që nga ajo datë. Alaska, Hawaii, Oregon, Wyoming dhe Idaho, po ashtu kanë parë shifra të mëdha të vdekjeve në mes të prillit.
Republikanët dhe demokratët

Shtetet e republikane kishin më shumë gjasë se shtetet demokrate të kishin një mesatare më të rritur të numrit të vdekjeve që atëherë.
“Më duket SHBA si të jetë në kamp”, ka thënë Novmer. “Vaksinat janë bërë një provë lakmusi për besimin te qeveria”.
Wyoming dhe Virxhinia Perëndimore, shtetet me përqindjen më të lartë të votave për Donald Trump në vitin 2016, kanë regjistruar rreth 50% të vdekjeve totale të tyre nga COVID-19, qëkur të gjithë të rriturit u deklaruan të gatshëm për vaksinim në këto shtete. Në Oklahoma afërsisht 60% e vdekjeve nga COVID-19 janë shfaqur pasi të gjithë të rriturit ishin të gatshëm për vaksinim.
Ka edhe përjashtime: Veçanërisht, Havai dhe Oregon, janë të vetmet shtete mbështetëse të Joe Bidenit, ku më shumë se gjysma e vdekjeve të COVOD-19 erdhën pasi dozat u shpërndanë tek të rriturit. Dakota Veriore dhe ajo Jugore – të dyja shtetet e zjarrta të Trumpit – kanë mbajtur pjesën e tyre të vdekjeve, pasi vaksina u bë e disponueshme në të gjithë bordin deri në 25%.
Kalifornia ka parë më shumë se 15,000 vdekje nga COVID-19, qëkur shteti e ka hapur mundësinë vaksinimit për të gjithë të rriturit në mes të prillit. Babai dhe vëllai i McKibbens kishin vdekur në Santa Ana të Kalifornisë, në shtëpinë që po e ndanin së bashku.
McKibbens bashkoi të gjitha pjesët e ngjarjes prej mesazheve në telefonin e vëllait. Disa mesazhe që ajo kishte lexuar pas vdekjes së tij, përfshirë disa mesazhe ku një kushëri i kishte përmendur atij TikTokun si burim të këshillave të këqija.
“Vëllai nuk kishte kërkuar ndihmë mjekësore për babanë”, duke e lënë atë të shtrirë edhe kur frymëmarrja e tij ka filluar të tingëllonte si një motor i prishur, ka treguar McKibbens, e cila jeton në Rochester, New York.
Babai i saj, Pete Camacho, vdiq më 22 tetor në moshën 67-vjeçare. McKibbens ka udhëtuar nga Kalifornia për të ndihmuar me aranzhime.
Keqinformimet
Edhe vëlla i saj ishte po ashtu i sëmurë, mirëpo “ai refuzoi të më linte të hyja në shtëpi, ngaqë ai më tha se unë po e shpërndaja koronavirusin sepse jam vaksinuar”, ka kujtuar ajo. “Ishte një besim i ri i çuditshëm që nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë”.
Një mik e kishte gjetur trupin e vëllait të saj pasi kishte vënë re porositë e paprekura në hyrje. Peter Camacho, i emëruar sipas babait, vdiq më 8 nëntor në moshën 44-vjeçare.
Këshillat e rëndësishme për dikë erdhën shumë vonë. Shtatëmuajshe shtatzënë dhe e pavaksinuar, Tamara Alves Rodriguez rezultoi pozitive me koronavirus më 9 gusht. Dy ditë më vonë me shumë gra shtatzëna që sëmureshin rëndë, zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së forcuan udhëzimet e tyre, duke u bërë thirrje të gjithë nënave të ardhshme të vaksinohen.
Rodriguez kishte provuar të vaksinohej javët në fillim, por i ishte thënë në një farmaci se duhet një autorizimin nga mjeku i saj. “Më kurrë nuk shkoi”, ka treguar motra e saj, Tanya Alves nga Weston, Florida.
Gjashtë ditë pasi rezultoi pozitiv, Rodriguezit është dashur t’i vendosej tubi për frymëmarrje në fyt, në një spital afër shtëpisë së saj në San Juan, Puerto Rico. Vogëlushja e saj u lind me prerje cezariane urgjente më 16 gusht.
Nëna e re asnjëherë nuk e mbajti beben e saj. Rodriguez vdiq më 30 tetor në moshën 24-vjeçare. Ajo la pas burrin e saj, dy fëmijë të tjerë dhe një familje të gjerë.
“Fëmijët e saj pyesin vazhdimisht për të”, ka treguar Alves. “Ndihem sikur një pjesë e imja më është hequr se madje as këto fjalë nuk janë të mjaftueshme për ta përshkruar këtë”.
Ajo u bën thirrje të tjerëve të vaksinohen: “Nëse do të kishit ditur tmerrin e hospitalizimit a ta kesh dikë të zemrës aty...nëse njerëzit do ta dinin këtë do të frikoheshin, në vend se të kenë frikë nga vaksina”.
Përktheu: Blerta Haxhiu