Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtetet mirëpresin këndelljen e marrëdhënieve me SHBA-në pas fitores së Bidenit

Më në fund është mësuar rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe bota ka komentuar fitoren e Joe Biden kundrejt presidentit Donald Trump. Për disa ditë me radhë, bota kishte kthyer sytë nga Amerika se kush do të qeveriste Shtëpinë e Bardhë gjatë katër vjetëve të ardhshëm – një lider i ri në krye të saj mund ta transformojë politikën e jashtme të vendit dhe qasjen ndaj miqve dhe rivalëve.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vlerësuar se “miqësia transatlantike është e padiskutueshme nëse duam të merremi me sfidat e mëdha të kohëve”. Donald Trump është jashtëzakonisht jopopullor në Gjermani. Ai dhe Merkeli janë përplasur vazhdimisht lidhur me fondet për NATO-n, diplomacinë botërore dhe koronavirusin, duke spikatur një marrëdhënie krejtësisht të kundërt krahasuar me pararendësin Barack Obama.

Pas rezultatit të zgjedhjeve ka dalë me qëndrim edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Amerikanët kanë zgjedhur presidentin e tyre. Kemi shumë punë për të bërë për t’i zgjidhur sfidat e së sotmes. Le të punojmë bashkërisht!” – ka deklaruar Macron.

Ndërkaq, kryeministri britanik ka uruar Bidenin dhe tashmë zëvendëspresidenten Kamala Harris për “arritjen e saj historike”.

Gjatë kohës së administratës së Trumpit, politika amerikane në Lindje të Mesme ka pësuar kthesa të mëdha. Ai ashpërsoi tensionet me njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit dhe ndihmoi që të viheshin marrëdhënie ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe. Bideni nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të SHBA-së në marrëveshjen me Iranin. Kjo ka shqetësuar zyrtarët izraelitë.

Edhe Aleatët e ftojnë Bidenin për bashkëpunim Botë Aleatët e ftojnë Bidenin për bashkëpunim

Bideni njihet edhe për kundërshtimin e vazhdimit të kolonizimit izraelit të territoreve palestineze. Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka uruar Bidenin, duke kujtuar se “ka 40 vjet që kemi miqësi të ngrohtë personale”. Ai ka thënë gjithashtu se e di se Bideni është mik i madh i Izraelit.

“Pres të punoj me të dy për të fuqizuar edhe më tej aleancën speciale ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit”, ka deklaruar Netanyahu, duke uruar edhe Harrisin. Lideri izraelit ka falënderuar edhe Trumpin për “ngritjen e aleancës amerikano-izraelite në lartës të pashembullta”.