Washington, 8 nëntor (BBC/AP) - Më në fund është mësuar rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe bota ka komentuar fitoren e Joe Biden kundrejt presidentit Donald Trump. Për disa ditë më radhë, bota kishte kthyer sytë nga Amerika se kush do të qeveriste Shtëpinë e Bardhë gjatë katër vjetëve të ardhshëm – një lider i ri në krye të saj mund ta transformojë politikën e jashtme të vendit dhe qasjen ndaj miqve dhe rivalëve. Dhe ja se si kanë reaguar disa prej liderëve të shteteve të botës pas rezultatit të së shtunës.
Kancelarja gjermane gjermane, Angela Merkel, ka vlerësuar se “miqësia transatlantike është e padiskutueshme nëse duam të merremi me sfidat e mëdha të kohëve tona”.
Donald Trump është jashtëzakonisht jopopullor në Gjermani. Ai dhe Merkeli janë përplasur vazhdimisht lidhur me fondet për NATO-n, diplomacinë botërore dhe koronavirusin, duke spikatur një marrëdhënie krejtësisht të kundërt krahasuar me atë me pararendësin Barack Obama. Çështjet, si shpenzimi ushtarak do të vazhdojnë të mbeten të paqarta, por SHBA-ja do të përtërijë marrëdhëniet me Gjermaninë në kohën e presidencës Biden.
Pas rezultatit të zgjedhjeve ka dalë me qëndrim edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. “Amerikanët kanë zgjedhur presidentin e tyre. Kemi shumë punë për të bërë për të zgjidhur sfidat e së sotmes. Le të punojmë bashkërisht!” – ka deklaruar Macron.
Macroni është munduar vazhdimisht të kultivojë marrëdhënie të mira me Trumpin – përfshirë ftesën në paradën ushtarake në Ditën e Bastijës më 2017 – por ka më shumë ngjashmëri politike me Bidenin, i cili, sikur se ai, favorizon bashkëpunimin me ndryshimin klimatik dhe diplomacinë.
Edhe
Netanyahu pret që Trumpi ta ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve me vendet arabe
Për fitoren e demokratëve në zgjedhjet presidenciale amerikane, kryeministri britanik, ka uruar Bidenin dhe tashmë zëvendëspresidenten Kamala Harris për “arritjen e saj historike”.
“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe pres të punojmë ngushtë bashkë për prioritetet tona të përbashkëta, prej ndryshimit klimatik deri te tregtia dhe siguria”, ka deklaruar Johnson, i cili në kohën kur Brexiti është afër finalizimit zyrtar, do të ketë matanë Atlantikut një tjetër partner. Mbretëria e Bashkuar aktualisht zhvillon marrëdhënie tregtare bazuar në marrëveshjet e SHBA-së me Bashkimin Evropian, por kjo mund të ndryshojë pas 1 janarit 2021. Uashingtoni dhe Londra po mundohen të negociojnë një ujdi të re. Biden, shpesh flet për rrënjët e tij irlandeze – ka thënë se nuk do të lejonte që Irlanda Veriore të bëhet “viktimë e Brexitit” nëse ai zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë kohës së administratës së Trumpit, politika amerikane në Lindje të Mesme ka pësuar mkthesa të mëdha. Ai ashpërsoi tensionet me njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit, dhe ndihmoi që të viheshin marrëdhënie ndërmjet Izraelit dhe disa shteteve arabe. Bideni nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të SHBA-së në marrëveshjen me Iranin. Kjo ka shqetësuar zyrtarët izraelitë. Bideni njihet edhe për kundërshtimin e vazhdimit të kolonizimit izraelit të territoreve palestineze.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka uruar Bidenin duke kujtuar se “ka 40 vjet që kemi miqësi të ngrohtë personale”. Ai ka thënë gjithashtu se e di se Bideni është mik i madh i Izraelit. “Pres të punoj me të dy për të fuqizuar edhe më tej aleancën speciale ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit”, ka deklaruar Netanyahu, duke uruar edhe Harrisin. Lideri izraelit ka falënderuar edhe Trumpin për “ngritjen e aleancës amerikano-izraelite në lartës të pashembullta”.
Bideni, portret i një burrështetasi amerikan
Zgjedhjet e sivjetme presidenciale në Shtetet e Bashkuara ishin e treta e vërteta e tentimeve të Joe Bidenit për t’u bërë president. Ndryshe nga tentimet e mëparshme të vitit 1987 dhe 2008, në garën presidenciale të vitit 2020 hyri si lider i partisë demokratike, i rryer në politikën amerikane.
77-vjeçari garën nuk e nisi mirë kur në zgjedhjet shtetërore pësoi disfatë në Iowa dhe New Hampshire, por kontrollin e garës e mori me një seri suksesesh kur në të ashtuquajturën “Super e Marta”, 14 shtete votuan për nominimin e tij në garën presidenciale të demokratëve.
Fushata e mirë e organizuar dhe pa shumë njerëz ishte krejt e kundërta me atë që bënte presidenti Donald Trump që mbante fjalime para turmave të mëdha në pikun e pandemisë. Demokrati Biden e portretizoi veten si më të përgjegjshëm në respektimin e masave për mbrojtje nga koronavirusi.
Ani pse presidenti Barack Obama e cilësoi si “zëvendëspresidentin më të mirë që ka pasur Amerika ndonjëherë”, suksesi i Bidenit për katër dekada në shërbimin publik është sulmuar shpesh.
Por, kush është Joe Bideni dhe si arriti në këtë pikë që të bëhet president?
Bideni garoi në nominimin e demokratëve për president në vitin 2008, por e braktisi garën dhe u bashkua me Obaman. Në tetë vjetët e tij në Shtëpinë e Bardhë – në të cilën gjithmonë ia mbajti krahun presidentit, ia mundësoi Bidenit që të mbështetej në trashëgiminë e Obamas, përfshirë pakon financiare dhe reformat që miratuan për të përballuar krizën financiare të vitit 2008.
Lidhja e tij me Obaman, të cilin shpesh e ka thirrur “vëlla” – mund të ketë ndihmuar që afroamerikanët të votonin për të. Për një kohë të gjatë si zyrtar i Washingtonit, Bideni ka përvojë të madhe në punët e jashtme. Kjo i ndihmoi që të balanconte papërvojën e Obamas në marrjen e vendimeve të rëndësishme.
I ashtuquajturi “Joe i shtresës së mesme”, ishte sjellë në ekipin e Obamas që të siguronte përkrahje nga amerikanët e racës së bardhë, që ishin grup shumë i vështirë për t’u fituar nga Obama. Bideni mori vëmendje të madhe në vitin 2021 kur tha se ndihej shumë rehat me martesat e së njëjtës gjini. Kjo e zuri ngushtë Obaman që deri atëherë nuk dha ndonjë qëndrim për këtë çështje. Martesave të së njëjtës gjini u dha përkrahje presidenti, pak ditë pasi Bideni e bëri.
Edhe Asgjë e re nga WashingtoniBideni, që ishte senator për gjashtë mandate, për herë të parë u zgjodh në vitin 1972. Ai garoi për president në vitin 1988, por u tërhoq pasi pranoi se kishte bërë plagjiat fjalimin e atëherë kryetarit të partisë laburiste në Britani, Neil Kinnock.
Karriera e gjatë në kryeqytetin amerikan u ka dhënë kritikëve material të bollshëm për ta sulmuar.
Në fazën e hershme të karrierës, ai doli në krah të segregacionistëve jugorë në kundërshtimin e autobusëve që në formë racore të integroheshin në shkollat publike. Ndërkaq si kryetar i Komitetit për Drejtësi në Senat, në vitin 1991, u kritikua për mënyrën e menaxhimit të akuzave se Anita Hill ishte abuzuar seksualisht nga i nominuari.
Bideni gjithashtu ka qenë një përkrahës i madh i ligjit kundër krimit në vitin 1994 dhe shumë majtistë thonë se ky ligj ka mundësuar dënimet e tejzgjatura me burgim. Jeta e Bidenit është e mbërthyer me tragjeditë familjare.
Në vitin 1972, shkurt pasi fitoi garën për senator, humbi bashkëshorten e parë Neilan dhe të bijën Naomi. Të dyja vdiqën në aksident trafiku. Ai është senatori i parë që bëri betimin jashtë Senatit. Betimin e bëri nga dhoma e spitalit pasi dy djemtë Beau dhe Hunger kishin pësuar lëndime gjatë aksidentit.
Në vitin 2015, Beau vdiq nga kanceri në moshën 46-vjeçare. Bideni i ri shihej si yll në ngritje i politikës amerikane dhe synonte që të garonte për guvernator të shtetit Delaware në vitin 2016. Bideni e ka falënderuar të birin e ndjerë që e ka inkurajuar të garojë për president. Gjatë tërë fushatës ka përdorur tragjeditë familjare për të sqaruar se përse kujdesi shëndetësor, një prej premtimeve kyçe të tij, është çështje personale.
Pas vdekjes së të birit, Bideni shfaqi fuqinë e një amerikani dhe vuri në pah reputacionin si burrë i urtë dhe njeri familjar.
Ngritja e pandalshme e Harrisit
Amerika ka zgjedhur për herë të parë një grua në postin e zëvendëspresidentes. Kamala Harris njihet për identet të përzier. Ka prejardhje afrikane dhe aziatike. Gjatë kohës sa po shpresonte të merrte mbështetjen partiake për kandidate për presidente, senatorja nga Kalifornia e sulmoi në debat Bidenin për çështjet e racës. Shumëkush mendoi se ajo do ta pësonte, por ishte Bideni që e ktheu 56-vjeçaren në vëmendjen kombëtare kur e bëri bashkëgaruese.
“Shumë njerëz nuk kishin menduar se ajo kishte disiplinën dhe fokusin për t’u ngjitur në një pozitë në Shtëpinë e Bardhë kaq shpejt, megjithëse njerëzit e dinin se ajo kishte ambicie dhe se ishte yll potencial”, ka deklaruar Gill Duran, që kryeson drejtorinë për komunikim të fushatës së Harrisit. Njerëzit e afërt me të thonë se njihet për kurajën e saj të pashembullt kur i rreket një pune.
Pse humbi Trumpi?
Arsyet për humbjen e presidentit Donald Trump kanë qenë të shumta, por në një analizë të televizionit britanik BBC, vlerësohet se autoritarizmi në ngritje në Shtëpinë e Bardhë shihet si acarues, duke përfshirë edhe paralajmërimin në fushatën se nuk do t’i njihte zgjedhjet nëse nuk del fitues. Dhe një moment ka spikatur gjatë intervistës së një gazetari të BBC-së në Pittsburgh në SHBA, kur Chuck Howenstein do të deklaronte në tarracën e shtëpisë së tij. “Njerëzit janë të lodhur”.
Edhe
Vetëm një në 10 evropianë e konsideron aleate SHBA-në
Mbështetës i Trumpit në presidencialet e vitit 2016, Howenstein sivjet votoi për Bidenin. “Njerëzit duan të shohin kthimin e normalitetit në vend. Duan të shohin dinjitet. Duan që të ndalet kjo urrejtje. Duan ta shohin këtë vend të bashkuar. Dhe këtë do ta sjellë presidenca e Joe Bidenit”.
Një tjetër politikë e Trumpit ishte fakti se nuk ia doli ta zgjeronte bazën e përkrahësve përtej besnikëve të tij. Dhe nuk u mundua fort për këtë punë. “Presidenti më përçarës i 100 vjetëve të fundit bëri pak që ta bënte për veten Amerikën e kaltër, 20 shtetet që votuan Hillary Clintonin” e demokratëve më 2016.